Akuzat nga SPAK dhe opozita, Rama “shet” Olta Xhaçkën e Frida Krifcën, merr krahun e djathtë të Veliajt. Ndryshimet në qeveri e PS

Kryeministri Edi Rama njoftoi dje ndryshime në qeveri në gjatë Asamblenë Kombëtare të PS. Kryesocialisti pas kritikave të ashpra për zyrtarët e korruptuar nga radhët e socialistëve, të cilëve u bëri të qartë se nuk ka asnjë arsye ti mbrojë përballë SPAK dhe akuzave të opozitës i konsideroi lëvizjet si mundësi për të përmbushur misionin “Shqipëria 2030”.

Për herë të parë kryesocialisti u shpreh se do të nisë të mbajë përgjegjësi për emërimet dhe se kujt do ti japë besimin dhe mundësinë për të drejtuar.

Pikërisht kjo duket se është pikënisja e të paktën gjysmës së ndryshimeve të kabinetit të tij.

Kryeministri shkarkoi nga posti i Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçkën dhe propozon në vend të saj Igli Hasanin. Gjatë gjithë sesionit të kaluar parlamentar Xhaçka ishte në qendër të akuzave dhe kritikave të opozitës pasi bashkëshorti i saj, ish-deputeti i PS Artan Gacci u shpall investitor strategjik dhe përfitoi një pronë shtetërore në bregdet për të ndërtuar një resort me 5 yje. Pasi e mbrojti nga heqja e mandatit të deputetes edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Rama e uli në detyrë. Një tjetër arsye mund të jete thirrja 2 herë nga SPAK për të dëshmuar mbi privatizimin e pronave të ushtrisë gjatë periudhës që Xhaçka ka drejtuar Ministrinë e Mbrotjes. Vetë Xhaçka në momentin e marrjes së lajmit u dukej e hutuar ndërsa shfaqi mërzi për vendimin e kryesociaistit.

Pezullimi i fondeve të BE për bujqësinë në Shqipëri duket se është arsyeja kryesore që i “hëngren kokën”, Frida Krifcës. Ajo u argua nga detyra për ti lënë vendin Anila Denaj, e cila rikthehet në kabinetin qeveritar pasi më herët ka mbajtur postin e Ministres së Financave. Krifca është sulmuar gjatë muajve të fundit nga opozita ndërsa është përplasur edhe me socialistin e vjetër Erion Braçe, i cili shpeshherë i ka shprehur hapur rezervat e tij ndaj mënyrës së drejtimit të saj. Vetë Krifca e priti me buzëqeshje vendimin, që duket se i lehtësoi punë ndërsa Denaj e priti me habi propozimin e Ramës që sipas pamjeve duket se nuk e besonte.

Barrën e mbajtjes për gati 2 vite të bordeve të transparencës për cmimet e naftës dhe produkteve ushqimore, Rama nuk do ta mbajë edhe në sesionin e ri, duke shkarkuar nga detyra e Ministres së Ekonomisë dhe Financave Delina Ibrahimaj dhe emëruar në vend të saj, Ervin Mete, aktualisht drejtor i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, dhe ish zëvendësministër i Financave në periudhën 2013-2017. Rama nuk e largoi përfundimisht nga kabineti qeveritar, pasi Ibrahimaj, propozohet si Ministre shteti për Sipërmarrjen, pa portofol, duke zëvendësuar zonjën Edona Bilali. Largimi i Bilalit nga qeveria vjen pas akuzave për shpërdorim të fondeve të “Start-up” vitin e kaluar por edhe përplasjeve të saj me eksponentë të rëndësishëm të PS në Shkodër, duke i quajtur edhe llum politik.

Mospërballja me studentët e Mjeksisë për Ligjin që i detyron të punojnë 5 vite në shtet, bëri që Rama të shkarkonte si Ministre të Arsimit Evis Kushin dhe në vend të saj të dërgojë Ogerta Manastriliun,  e cila nga Rama ka mërrë verësime sidomos gjatë periudhës së pandemisë duke ju bindur me verbëri urdhërave të tij politik. Ndonëse Kushi ka marrë vlerësime për punën e saj, përplasjet e shpeshta opozitën kanë sjellë këtë lëvizje. Nga ana e saj, Manastirliu lë Ministrinë e Shëndetësisë e cila po përballet me akuza të fortë për shkak të koncensionit të sterilizimit i dhënë jo me firmë të saj, por që e kanë bërë atë “tabeë qitje” nga opozita. Në vend të manastirliut në krye të shëndetësisë emërohet Albana Koçiu, një profil i ulët politik.

Kryesocialisti Rama në emër të asaj që ai e konsideroi si “forcim i lidhjes së pushtetit qendror me atë vendor”,  shkriu ministrinë e Shtetit për standarde e shërbime, duke shkarkuar Milva Ikonmin dhe ngritur MInistrinë e Shtetit për pushtetin vendor që do ta drejtojë Arbian Mazniku. Krahu i djathtë dhe njëri i besuar i Kryetarit të Bashkisë Tiranë, njëherësh dhe drejtues politik i qarkut, Erion Veliaj, merr post në qeveria afër Ramës. Veliaj mesa duket do të kontrollojë pushtetin lokal në të gjithë vendin, pas Tiranës, pasi duke përjashtuar Kavajën, 4 bashkitë e tjera drejtohen nga socialistët. Pasi mbushi Këshillin Bashkiak të Tiranës me emra të njohur, zv/ministra dhe drejtues të tjerë politik Veliaj dërgon njeriun e besuar në qeveri.

Rama ndryshoi propozoi edhe sekretariatin organizativ të Partisë. Blendi Klosi do të mbajë detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm. Etjen Xhafaj dhe Eridian Salianji do të vazhdojnë të drejtojnë të njëjtat struktura, përkatësisht Xhafaj si Sekretar Digjital dhe i Rinisë dhe Salianji Sekretar i Çështjeve Zgjedhore. Ish-MInistrja Kushi merr detyrën politike si sekretare e gruas në PS ndërsa deputeti Eduard Ndreca do jetë organizojë burimet njerëzore. Sekretare e Marrëdhënieve me Jashtë është propozuar Romina Kuko ndërsa Milva Ekonomi Sekretare e Programit të PS. Të gjitha veprimtaritë organizative do të kalojnë nga duart e Adrian Çelës, pasi ai është propozuar nga Rama si Sekretar organizativ i PS. Ndryshimet në PS do ti votojë Asambleja në Kongresin e Partisë që pritet të mbahet në fillim të tetorit./GazetaImpakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne