Ana e panjohur e Konferencës së Paqes (Paris 1919-1920)

Dëmshpërblim që nuk u dha kurrë
Që kur filluan punimet e Konferencës së Paqes në Paris, Esad Toptani paraqiti kërkesat për mbrojtjen e Shqipërisë si vend aleat i Antantës, duke theksuar se qeveria e tij e kishte treguar me pjesëmarrjen e trupave në frontin e Lindjes.
Më 28 maj 1919, ai i drejtoi Z. Klemanso kryetar i Konferencës së Paqes dhe z. Graillet, konsull i Francës në Shqipëri, një kërkesë për shpërblim dëmi të shkaktuar nga pushtimi austriak.
Në një letër dërguar z. Poincare, kryetar i komisionit të dëmshpërblimeve, ai kërkoi dëmshpërblim për familjet e ushtarëve të rënë në luftë përkrah ushtarëve aleatë. Bashkë me kërkesën, ai i përcolli edhe kopjen e një letre që i dërgonte konsullit francez të Selanikut, më 17 dhjetor 1918, ku i rendiste humbjet që kishte pësuar Shqipëria dhe ai vetë.
Dëmet që kishte pësuar Shqipëria dhe familja e tij i saktësonte edhe ish ambasadori i Francës në Shqipëri, Krajevski. Më 23 qershor 1919, ai i dërgoi një notë Drejtorisë Politike pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës notë që e përsëriti më 24 janar 1920, duke dhënë edhe arsyet pse ai dëmshpërblim ishte i merituar.
Dëmet i njihte edhe mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene; dëme që ishin shkaktuar gjatë tërheqjes së serbëve nëpër Shqipëri. Delegacioni i saj, më 14 gusht 1919, i dërgoi një letër kryetarit Klemanso, ku kërkonte që populli shqiptar dhe personalisht Esad Toptani të shpërbleheshin për dëmet e pësuara nga lufta.
Më 30 prill 1920, i dërguari i Francës në komisionin e dëmshpërblimeve, i kthente përgjigje Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës duke e konsideruar kërkesën si të pamundur dhe i kërkonte ministrit që të hiqte dorë.
Delegacioni francez në komisionin e dëmshpërblimeve iu përgjigj Esad Toptanit dhe i sugjeronte t’i drejtohej qeverive të Fuqive Aleate, që çështja të zgjidhej.
Më 23 maj kishte një letërkëmbim midis të dërguarit të Francës në komisionin e dëmshpërblimeve, kryeministrit Klemanso, ministrit të Punëve të Jashtme të Francës, komisionit të dëmshpërblimeve te Konferencës së Ambasadorëve mbi çeshtjen e dëmshpërblimeve të Esad Pashës dhe shqiptarëve të rënë në krah të forcave aleate.
Ato ditë mbrriti në Paris një përfaqësi e Këshillit Kombëtar të dalë nga Kongresi i Lushnjes, e cila u takua me Esad Toptanin dhe i propozoi të merrte kryesinë e qeverisë në Tiranë. Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjes ishte zhytur në krizë të thellë dhe ishte paralizuar nga rivaliteti i ashpër për pushtet.
Esad Toptani pranoi ofertën e bërë, por u tha se do të qeveriste me të rinj të ndershëm dhe nga “të vjetrit” do të pranonte vetëm Myfid bej Libohovën, doktor në drejtësi.
Me mbarimin e Luftës së Parë Botërore, qeveria e Francës kishte vendosur të mos e lejonte Esad Toptanin të kthehej në atdhe.
Esadi u vu në dijeni të këtij vendimi vetëm në gjysmën e prillit 1920 dhe i dërgoi qeverisë franceze një letër ku kërkonte të dinte arsyet përse nuk lejohej të kthehej në atdheun e tij.
Por.., pas disa ditësh, atë e vranë…! “Miqtë” e kishin shpallur “non grata”. AQSH, fondi 1503/3, dosja 37, f. 24-39. /GazetaImpakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne