Ngjarjet e 20 qershorit, pas kontrolleve të ushtruara nga policia në kampin Ashraf 3, siç duket ka sjellë anulimin e eventit vjetor të muxhahedinëve. Kampi ishte sot sërish nën masa të shtuara sigurie, ndërsa burime brenda kampit konfirmuan për abcnews se nuk kishte ardhur asnjë i ftuar amerikan, në një shenjë të parë të heqjes së mbështetjes për ta nga Uashingtoni. Një ditë më parë kryeministri Rama përmendi për herë të parë mundësinë e largimit të tyre nga Shqipëria.
Ndërkohë, në hyrje të kampit vijon të qëndrojë një patrullë e policisë, si edhe Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, të cilët kontrollojnë çdo makinë apo person që hyn e del nga kampi. Patrulla u vendos pranë kampit, pas operacionit të madh të Policisë së Shtetit për kontrolle në godinat e kampit në Manëz, pas dyshimeve për se përgatisnin sulme kibernetike në dëm të Iranit.
Gjatë operacionit të kontrolleve, efektivët e policisë hasën në rezistencën e banorëve të kampit ku mbetën 15 efektivë të plagosur si dhe disa rezidentë të kampit MEK. Prokuroria e posaçme ka nisur hetime ndaj anëtarëve të kampit Mek për disa vepra penale, nga ajo e “provokimit të luftës” “Përgjim i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “Ndërhyrje në sistemet kompjuterike” të gjitha këto te kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal./TPZ