Nga Lutfi Bilalli
Arabia Saudite ndihmoi fshehurazi Izraelin kundër Iranit – Çka do të thotë kjo për të ardhmen politike në Lindjen e Mesme ? Shtetet arabe sunite po e “mbrojnë me ngulem” kauzen palestineze !! Në një zhvillim të papritur por tepër domethënës, Arabia Saudite thuhet se ka ndihmuar fshehurazi Izraelin në mbrojtjen kundër sulmeve ajrore iraniane, edhe pse zyrtarisht ka dënuar sulmet izraelite.
Sipas raportimeve nga gazeta izraelite Israel Hayom, Arabia Saudite jo vetëm që ka ndarë të dhëna nga radarët dhe inteligjencën, por ka lejuar gjithashtu kalimin e avionëve izraelitë në hapësirën e saj ajrore veriore – një veprim i pazakontë në një rajon të tensionuar. Arabia Saudite, bashkë me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Jordaninë, kanë marrë pjesë në operacione të përbashkëta mbrojtëse të udhëhequra nga SHBA-ja, përmes shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit të hapësirës ajrore.
Këto veprime tregojnë një përqasje të çuditëshme të disa shteteve arabe që, përkundër qëndrimeve publike, janë të gatshme të bashkëpunojnë me Izraelin për të ndalur kërcënimet e përbashkëta – në këtë rast, Iranin. Çka nënkupton kjo për të ardhmen politike ndërmjet shteteve arabe dhe Izraelit? Ky bashkëpunim i fshehur është një sinjal i fuqishëm që rivalitetet tradicionale po zbuten përballë një armiku të përbashkët: Iranit. Në prapaskenë, po formohet një bosht strategjik mes disa shteteve sunite dhe Izraelit, me mbështetjen e SHBA-së.
Ky zhvillim mund të ketë disa pasoja të rëndësishme: 1. Normalizimi i marrëdhënieve Izrael-Arabi Saudite Ky veprim tregon se dy shtetet kanë ndërtuar tashmë një nivel të lartë të besimit dhe bashkëpunimit strategjik. Megjithëse Arabia Saudite nuk e ka njohur zyrtarisht Izraelin, këto veprime mund të jenë një hap drejt normalizimit të marrëdhënieve, ndoshta në një të ardhme jo shumë të largët, ashtu siç po përgaditet me Marrëveshjen Abraham (Abraham Accords).
2. Presioni mbi Palestinezët dhe çështjen palestineze ? Ky bashkëpunim mund të shihet si një zhgënjim për kauzën palestineze, pasi vendet arabe po e vënë sigurinë rajonale dhe interesat kundër Iranit përpara qëndrimeve tradicionale ndaj Izraelit.
3. Riformësimi i aleancave në Lindjen e Mesme Ky është një sinjal i qartë se blloqet e vjetra po shpërbëhen. Aleanca të reja po formohen mbi baza strategjike, jo ideologjike. Izraeli, SHBA-ja, Arabia Saudite, Emiratet dhe Jordania po i afrohen njëra-tjetrës për t’u përballur me ndikimin në rritje të Iranit dhe grupeve që ai përkrah si Hezbollahu apo Houthit.
4. Rrezik për përshkallëzim Ky bashkëpunim i heshtur gjithashtu mund të çojë në rritje të tensioneve me Iranin, i cili mund ta shohë këtë si një kërcënim të drejtpërdrejtë dhe të përgjigjet në mënyrë më agresive, duke rritur rrezikun për konflikt më të gjerë rajonal. Veprimet e Arabisë Saudite dëshmojnë për një ndryshim të thellë në politikën e saj të jashtme. Ndërsa retorika publike mbetet kundër Izraelit, në prapaskenë po ndërtohen ura bashkëpunimi që mund ta ndryshojnë tërësisht hartën politike të Lindjes së Mesme. Nëse ky trend vazhdon, bota arabe mund të hyjë në një epokë të re të “realpolitikës”, ku interesa të përbashkëta të sigurisë peshojnë më shumë se qëndrimet tradicionale ideologjike. Apo shtete arabe sunite ( udhëheqja e tyre) ka shitur dhe tradhtuar çështjen palestineze !?/gazetaimpakt