Gazetari Arbër Hitaj ka ndarë një përshkrim të detajuar nga vizita e tij pesëditore në Izrael, duke e cilësuar udhëtimin si një eksperiencë që shpalos kontrastin mes lashtësisë, modernitetit dhe sfidave të vazhdueshme të sigurisë me të cilat përballet vendi. Hitaj e nisi vizitën në Jerusalem, të cilin e përshkruan si “thesar me gur të bardhë”, ku ndodhen vendet më të rëndësishme të trashëgimisë fetare si Muri Perëndimor, Kisha e Varrit të Shenjtë dhe Kompleksi i Xhamisë Al-Aqsa. Ai thekson se çdo rrugicë e qytetit bart histori mijëravjeçare dhe përfaqëson realitetin e bashkëjetesës së shenjtërive të feve të ndryshme.
Në vijim, ai vizitoi Knessetin parlamentin izraelit të cilin e përshkruan si zemrën politike të vendit, me një sistem parlamentar që nxit formimin e koalicioneve të përhershme dhe garanton funksionimin e institucioneve demokratike.
Një pjesë e udhëtimit u fokusua në zonat e prekura nga konflikti. Hitaj vizitoi kibucin Nir Oz pranë Gazës, si dhe kufirin verior me Libanin, ku evidentohen dëmet e shkaktuara nga përplasjet e viteve të fundit. Ai përmend se gjatë vizitës u takua me të mbijetuar dhe ish-pengje të sulmit të Hamasit të ndodhur dy vite më parë. Në kontrast me zonat e prekura nga lufta, Hitaj përshkroi Tel Avivin si një qytet energjik, të gjallë dhe të përqendruar te teknologjia dhe ritmi modern i jetës. Ai vuri re prani të qendrave fetare myslimane dhe praktikimin e lirë të fesë.
Pjesa e fundit e udhëtimit përfshiu Capernaum, vend që tradita e lidh me shtëpinë e Jezusit dhe Shën Pjetrit, ku sipas Hitajt mbizotëron një atmosferë qetësie absolute mbi brigjet e Detit të Galilesë. Në përfundim, ai e cilësoi Izraelin si një hapësirë që ndërthur historinë e lashtë me sfidat moderne, si dhe një vend ku ndikimet fetare dhe tensionet rajonale vazhdojnë të formësojnë ritmin e jetës së përditshme.
Ndërsa ai nuk përmend situatën në Gaza ku, sipas OKB-së dhe Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, po zhvillohet një katastrofë humanitare e përshkruar gjerësisht si një akt me elementë të “genocidit të mundshëm” në hapësirën publike janë shprehur shqetësime të forta se përdorimi i figurave mediatike shqiptare për të promovuar vetëm perspektivën izraelite, duke anashkaluar shkatërrimin masiv dhe vuajtjen e popullsisë palestineze, është një praktikë e tmerrshme dhe moralisht e turpshme, sidomos në një kohë kur civilët në Gaza po përballen me një tragjedi të papërshkrueshme./gazetaimpakt





















