Arrestohet pronari i lokalit të homoseksualëve në Rusi për “propagandë”

Një gjykatë ruse ka urdhëruar që pronari i klubit të homoseksualëve Pose në qytetin e Orenburgut të vendoset në paraburgim për organizimin e aktiviteteve “ekstremiste” të lidhura me përhapjen e propagandës LGBT. Sipas një deklarate nga Gjykata Qendrore e Qarkut në Orenburg, i dyshuari do të qëndrojë në paraburgim deri më 18 maj, ndërsa hetimi është në vazhdim. Gjykata nuk e ka publikuar emrin e të dyshuarit, por disa media e kanë identifikuar atë si Vyacheslav Khasanov, i arrestuar në aeroportin Sheremetyevo në Moskë më 28 mars.

Sipas hetimeve, pronari i klubit ishte duke bashkëpunuar me një grup individësh që mbështesin aktivitetet e lëvizjes së ndaluar LGBT. Thuhet se ai ka kryer funksione organizative si marrja me qira e ambjenteve dhe shndërrimi i tyre në lokal, emërimi i menaxherëve, përzgjedhja e artistëve, miratimi i shfaqjeve dhe eventeve dhe më pas postimi i materialeve fotografike dhe video që promovojnë marrëdhënie jotradicionale në kanalin Telegram të klubit “duke siguruar akses në këtë informacion për një numër të pacaktuar personash.”

Në fillim të këtij muaji, drejtori i artit të klubit, Aleksander Klimov, dhe drejtuesja e biznesit Diana Kamilyanova, u arrestuan me akuza të ngjashme. Nëse shpallen fajtorë, ata mund të përballen me dhjetë vjet burg. Propaganda LGBT është shpallur e jashtëligjshme në Rusi që nga viti 2022, dhe në nëntor të vitit të kaluar Gjykata e Lartë vendosi që aktivitetet e “lëvizjes sociale ndërkombëtare LGBT” të njihen si “ekstremiste”. Javën e kaluar, Shërbimi Federal i Monitorimit Financiar i Rusisë (Rosfinmonitoring) përfshiu “lëvizjen dhe njësitë e saj strukturore” në listën e personave dhe organizatave që mendohet se janë të përfshirë në aktivitete ekstremiste ose terrorizëm.

Rasti i klubit Pose është hetimi i parë penal në Rusi i lidhur me vendimin e Gjykatës së Lartë. Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar më parë se legjislacioni anti-LGBT nuk duhet të ndikojë në jetën personale të njerëzve, me kusht që ata “të mos e shfaqin atë” në publik dhe të mos përfshijnë fëmijë./gazetaimpakt/rt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne