Natën e kësaj të enjte, 9 nëntor, Arjanit Rizaj është qëlluar me armë zjarri teksa ndodhej brenda automjetit të tij, i cili ishte parkuar pranë urgjencës së spitalit Luis Vernaza, në qendër të qytetit Guyaquil në Ekuador. Viktima, 53 vjeç, ka marrë të paktën 9 goditje plumbash nga një armë zjarri e kalibrit 9 milimetra. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:30.
Sipas të dhënave të policisë, shqiptari priste gruan e tij, e cila ndodhej në spital, duke vizituar të atin. Autorët kanë mbërritur me motoçikletë dhe pasi kanë kryer vrasjen janë larguar me të njëjtin mjet me të cilin kanë mbërritur.
Qytetarët që kanë vëzhguar ngjarjen tragjike janë larguar të tmerruar, të tjerët i janë afruar viktimës dhe kanë tentuar ta ndihmojnë, e kanë zbritur nga makina dhe e kanë dërguar në një tjetër qendër shëndetësore kur ndërroi jetë pas disa minutash.
Bashkëshortja e të ndjerit u tha hetuesve se bashkëshorti i saj nuk punon, pasi nuk ishte i legalizuar në vend dhe se merrte para nga Shqipëria ose nga një vëlla me banim në Kanada./BW