Balla mesazh policisë së Durrësit: Kujdes personat në kërkim, rrezik për akte të rënda kriminale

Ministri i Brendshëm Taulant Balla u la një mesazh të qartë drejtuesve dhe efektivëve të Policisë së Durrës. Në një takim me strukturat e Drejtorisë së Policisë së Durrësit Balla u kujtoi se kanë shumë persona që janë të rrezikshëm për shoqërinë dhe janë ende në kërkim.

“Të kujtoj që edhe në Durrës kemi një numër të lartë të personave në kërkim, që janë gjithmonë një burim i një akti të rëndë tjetër kriminal. Prandaj ne duhet të rrisim sa më shumë vëmendjen dhe kontrollin tonë”, tha Balla.

Duke u ndalur tek mbarëvajtja e sezonit turistik dhe përballimi I fluksit të lartë të pushuesve që kanë hyrë në Shqipëri, Ministri i Brendshëm kërkoi kujdes dhe ndërhyrje në cdo rast konflikti.

“Ju kujtoj që sezoni është në kulmin e tij, sepse pushuesit do të vazhdojnë të frekuentojnë plazhet, dhe ndërkohë që jemi edhe në situatën që një pjesë e pushuesve përmes trageteve po kthehen nga Italia dhe vendet e tjera të Europës. Na duhet që kujdesin në të gjitha plazhet ta kemi me të njëjtin intensitet që e kemi pasur deri më tani. Të mos mendoni që pjesa më e rëndësishme e sezonit ka mbaruar. Dua ta marr këtë si një shembull që në detyrën tuaj, një prej gjërave që gjithmonë ka ndikuar, do ta quaja për keq, është ajo shprehja ç’më duhet mua! Unë mendoj që atë shprehje duhet t’ia lëmë të shkuarës.  Por ne jemi dhe ju jeni këtu pikërisht për të ndërhyrë sa herë që të jetë e nevojshme dhe duhet t’i dalim përpara çdo lloj konflikti. E mora këtë si shembull për të thënë që edhe në këto dy – tre ditët e fundit, kemi pasur raste të caktuara konfliktesh, kishim në Tiranë, kishim dje në Kuçovë. Dhe ne na duhet të ndërhyjmë menjëherë. Meraku dhe porosia ime është që koha e mbërritjes tonë, sa herë që një qytetar thërret për ndihmë, duhet të shkurtohet sa më shumë. Dhe prandaj sa më shumë prezencë dhe sa më shumë ndërhyrje efikase”, tha Ministri i Brendshëm gjatë takimit./Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne