Etiopi: Pas nderprerjes se ndihmave ushqimore nga SHBA dhe BE raportohet per 1400 te vdekur.

Së paku 1.400 persona kanë vdekur nga uria në rajonin verior të Etiopisë, Tigray, që nga pezullimi i ndihmave për shkak të vjedhjes së tyre, ka thënë një zyrtar.

Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së dhe Agjencia për Zhvillim Ndërkombëtar e ShBA-së (USAID) i ndërprenë ndihmat për këtë rajon para rreth katër muajve, raporton televizioni BBC.

Sipas një hetimi të autoriteteve në Tigray, gati 500 persona ishin të përfshirë në vjedhjen e ndihmave, i tha televizionit BBC një zyrtar.

Tigray ishte përfshirë nga një konflikt brutal më 2020, duke shkaktuar kushte të rënda për banorët e rajonit. Konflikti përfundoi në nëntorin e vitit të kaluar, pasi Qeveria e Etiopisë dhe Fronti Popullor Çlirimtar i Tigrayt nënshkruan një marrëveshje të paqes, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Afrikan.

Trupat e Eritresë luftuan në konflikt në krahun e ushtrisë së Etiopisë. Për një pjesë të madhe të kohës së konfliktit, rajoni ishte nën bllokadë, duke ndikuar që ndihmat humanitare kryesisht të ndaleshin.

I dërguari i Bashkimit Afrikan, ish-presidenti nigerian, Olusegun Obasanjo, ka thënë se rreth 600 mijë njerëz kanë vdekur gjatë konfliktit dyvjeçar. Hulumtuesit thonë se qindra mijëra viktimat civile janë shkaktuar nga luftimet, vdekja nga uria dhe mungesa e kujdesit shëndetësor.

Programi Botëror i Ushqimit dhe Agjencia për Zhvillim Ndërkombëtar e ShBA-së ishin duke ofruar ndihma për rreth gjashtë milionë njerëz në Tigray, por njoftuan një “pauzë” të shpërndarjes së ndihmave ushqimore, pasi zbuluan në prill se donacionet e tyre po devijoheshin dhe po përfundonin në tregje lokale. Dy agjencitë nuk kanë thënë se kush qëndron prapa këtij keqpërdorimi.

Televizioni BBC ka parë pako ushqimore me logot e agjencive të ndihmave në tregje të qyteteve e qytezave në Tigray, përfshirë kryeqytetin Mekelle.

Këto dy agjenci njoftuan për pezullimin e ndihmave ushqimore edhe për pjesën tjetër të Etiopisë në qershor. Agjencia USAID është dhuruesja më e madhe e ushqimit në Etiopi, duke ndihmuar miliona njerëz në vështirësi për shkak të konfliktit, thatësisë dhe kostos së lartë të jetesës./Nacionale.com

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne