Ministri i Jashtëm iranian Hossein Amir-Abdollahian dhe princi saudit i kurorës Mohammed bin Salman kanë zhvilluar bisedime “të sinqerta dhe të frytshme” në Xheddah.
Bisedimet e nivelit më të lartë që nga rivendosja e marrëdhënieve mes të dy vendeve u mbajtën me dyer të mbyllura.
Amir-Abdollahian tha se bisedimet ishin “të qarta, të sinqerta, të frytshme dhe produktive bazuar në politikën e fqinjësisë së mirë”. Të dyja palët theksuan nevojën për të forcuar marrëdhëniet e qëndrueshme në të gjitha fushat, tha ai.
Gjatë takimit, Amir-Abdollahian përsëriti vendosmërinë e Iranit për të përmirësuar marrëdhëniet me vendet e rajonit, veçanërisht me Arabinë Saudite. “Republika Islamike e Iranit dhe Arabia Saudite mund të sjellin rritje dhe prosperitet të mëtejshëm në rajon duke përmirësuar bashkëpunimin gjithëpërfshirës, në fushat politike, ekonomike, tregtare, tranzite, shkencore dhe teknologjike, kulturore dhe popullore,” tha diplomati iranian.
Ai tha se Teherani dhe Riadi mbajnë një “përgjegjësi historike” përballë zhvillimeve globale. Duke treguar arritjet dhe kapacitetet e Iranit, Amir-Abdollahian nënvizoi nevojën për të nxitur dialogun si dhe lidhjet e orientuara drejt zhvillimit si “rruga drejt suksesit” në rajon.
Irani dhe Arabia Saudite luajnë një rol udhëheqës në rajon dhe në botën myslimane, tha ai. Ministri i Jashtëm iranian e përshkroi Palestinën dhe Kudsin si çështjet kyçe të botës myslimane dhe tha se regjimi izraelit përbën një kërcënim për të gjitha kombet.
Princi i kurorës i Arabisë Saudite, nga ana e tij, përcolli përshëndetjet e tij dhe të mbretit saudit për Ajetollah Khamenein dhe presidentin iranian Ebrahim Raisi.
Bin Salman tha se Arabia Saudite i sheh marrëdhëniet me Iranin si strategjike. /Parstoday