Banda e Altin Krekës dhe ambasadës izraelite, kërkojnë të frikësojnë shqiptarët dhe gazetarët

Një publikim i AIA.AL ka ngritur pretendime për “fushatë të koordinuar radikale islamike”, ndërsa në realitet shkrimi duket si një përpjekje e hapur për të mbuluar kritikat ndaj vizitës së disa gazetarëve shqiptarë dhe kosovarë në Izrael. Artikulli, i ndërtuar mbi burime anonime dhe insinuata të pa verifikuara, përpiqet t’i portretizojë qytetarët dhe gazetarët kritikë si pjesë e një “rrjeti ekstremist”, duke përdorur gjuhë dramatike për të shtrembëruar debatin publik.

Në vend të një analize objektive, shkrimi prodhon një narrativë të qartë frikësimi: kushdo që kritikon udhëtimet e financuara nga Izraeli, shpallet automatikisht “radikal”, “i rrezikshëm” apo “i paguar”. Ky manipulim synon të delegjitimojë çdo zë kritik ndaj propagandës pro-izraelite që është rritur ndjeshëm muajt e fundit.

Pretendimet për “financime”, “shërbime inteligjente” dhe “operacione të sinkronizuara” mbeten të pambështetura nga asnjë provë konkrete. Artikulli i referohet “burimeve të sigurisë”, por nuk sjell asnjë fakt të verifikueshëm, asnjë dokument, asnjë identitet. Në vend të informacionit, lexuesi merr paranojë të paketuar si analizë.

Në fakt, kritikat ndaj gazetarëve që vizituan Izraelin nuk vijnë nga ndonjë “rrjet ekstremist”, por nga qytetarë të zakonshëm, aktivistë, analistë dhe njerëz të medias, të cilët prej muajsh kanë denoncuar masakrën e mijëra civilëve në Gaza. Opinioni publik ka të drejtë të reagojë ndaj çdo përpjekjeje për të normalizuar narrativën e një shteti që po denoncohet botërisht për krime kundër njerëzimit.

Shkrimi i AIA.AL, në vend që të mbrojë gazetarët, tenton të mbrojë një grusht individësh që janë kritikuar për udhëtimet e tyre në kohë lufte. Duke krijuar artificialisht “armiq të padukshëm”, artikulli synon të heshtojë debatet legjitime dhe të brandosë çdo kritik si ekstremist.

Gazetarët kanë të drejtë të bëjnë pyetje, të kritikojnë dhe të kundërshtojnë pa u etiketuar si “kërcënim kombëtar”. Është e drejta e çdo individi të mendojë ndryshe, të shprehë qëndrimin e vet dhe të mos përputhet me narrativën që dikush përpiqet të imponojë. Përpjekja për ta paraqitur mendimin ndryshe si “ekstremizëm” është një strategji e vjetër për të heshtur zërat kritikë — dhe shkrimi i AIA.AL është shembulli më i qartë i kësaj taktike. /gazetaimpakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne