Banorët e Pezës kanë ngritur alarmin mbi skandalet e shumta të ish-administratorit Besmir Kola, duke denoncuar abuzimet dhe pasurimin e tij të dyshimtë. Me anë të dëshmive të tyre, ata tregojnë se si ai ka privatizuar prona publike dhe ka përvetësuar prona private për interesat e tij personale. Ata kërkojnë drejtësi dhe transparencë për veprimet e tij që kanë shkatërruar komunitetin.
Një nga skandalet më tronditëse, sipas banorëve, është privatizimi i Kalasë së Ndroqit. Nga një pasuri kombëtare e trashëgimisë kulturore, ajo u shndërrua në pronë të Besmir Kolës. Me manovra ligjore të dyshimta, ai arriti të përvetësojë një sipërfaqe prej 50 mijë metra katrorë tokë. Një akt që jo vetëm fshin historinë, por edhe vjedh nga brezat e ardhshëm një pjesë të trashëgimisë së tyre.Tërmeti i 2019-s ishte një tragjedi kombëtare, por për Besmir Kolën, ai u kthye në një mundësi për të zhytur duart edhe më thellë në pasuritë e qytetarëve. Sipas dëshmive të tyre, Kola u merrte nga 15 deri në 20 milion lekë për të rregulluar shtëpitë e dëmtuara, duke shfrytëzuar faktin që ai kishte në dorë regjistrimin e tyre në procesin e rindërtimit. Në vend që të ndihmonte qytetarët në nevojë, ai u imponoi pagesa të majme për të siguruar që banesat e tyre të përfshiheshin në programet e rindërtimit.
Sipas banorëve, Besmir Kola ka tjetërsuar me forcë 30 mijë metra katrorë tokë tek vendi i njohur si zona e ‘Patllakes’ në Pezë. Pronat janë marrë nëpërmjet shantazhit dhe manipulimit të dokumentacionit ligjor, duke i lënë pronarët e vërtetë pa të ardhme dhe pa mundësi të mbrohen nga sistemi i kalbur ligjor.
A ka pasur dorë Besmir Kola në pronat e dhëna tek pastori Toni Gogu?
Një tjetër pistë që duhet të hetohet, është kalimi i pronave të dyshimta tek Toni Gogu në Maknor, Pezë. Aty ku pastori i PS ka ndërtuar vilën e tij luksoze. A ka qenë Besmir Kola ai që ka ndihmuar në përvetësimin e këtyre pronave? Këto janë pyetje që nuk duhet të mbeten pa përgjigje.
Sipas burimeve dhe dëshmive të banorëve, Besmir Kola ka investuar shumë nga paratë e përfituara nga skemat korruptive dhe plackitëse në ndërtim pallatesh në një zone mjaft të lakuar. Ai nuk shfaqet si investitor i drejtpërdrejtë, por fshihet pas një biznesmeni, të cilin e ka ortak de-facto.
Jeta prej ‘sheiku’, makina luksoze, bizhuteri me diamant dhe apartamente të shumta
Banorët janë të indinjuar dhe pyesin se si Besmir Kola, dikur administrator i një zone të varfër, bën jetën e një sheiku. Ai zotëron makina luksoze, apartamente në zona elitare, çanta dhe bizhuteri me diamante që nuk mund të justifikohen me rrogën e tij të dikurshme si administrator komune. Nga ku burojnë këto pasuri? /Pamfleti