BE-ja duhet të gjejë alternative tjeter për eksportin e grurit të Ukrainës pas terheqjes se Rusise.

BE-ja do të rishikojë ndalimin, pasi disa vende kërkuan një zgjatje përtej 15 shtatorit.

Ministri polak i Bujqësisë Robert Telus u tha gazetarëve të martën se ai donte një ndalim të pjesshëm, duke shpjeguar si shembull se Polonia donte të ndalonte mjedrat, por do të lejonte farat e lulediellit.

“Nuk ka asnjë mënyrë që pas 15 shtatorit, gruri i Ukrainës të hyjë në Poloni”, tha Telus. “Ne kemi shumë drithëra, çmimet e drithit tashmë janë të ulëta…kjo do të destabilizonte plotësisht tregun tonë”, tha ai.

Lituania i ka kërkuar Komisionit Evropian të zhvillojë një rrugë për grurin ukrainas përmes pesë porteve në shtetet baltike të Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë, sipas një letre të parë nga Reuters.

Pesë portet kanë një kapacitet të kombinuar të eksportit të grurit prej 25 milionë ton, thuhej në letër.

Shefja e USAID-it, Samantha Power tha të martën se Uashingtoni do të kërkojë të investojë në magazinimin shtesë të drithit për Ukrainën, në mënyrë që të korrat që mund të ishin transportuar përmes Detit të Zi të mos kalben derisa presin të eksportohen në tregjet globale.

Refuzimi i Rusisë për të rinovuar marrëveshjen në fillim të këtij muaji, ka bërë që anijet e ngarkuara me drithëra të mos mund të kalojnë nga portet e Ukrainës.

Marrëveshja ishte ndërmjetësuar nga OKB-ja dhe Turqia si një mënyrë për të dërguar grurin në vendet në zhvillim, veçanërisht në Afrikë dhe Lindjen e Mesme, pavarësisht luftës së nisur nga Moska kundër Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Kur u arrit marrëveshja e grurit, Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së rifitoi një furnizues kryesor, duke lejuar 725,000 tonë ndihma ushqimore humanitare të largoheshin nga Ukraina dhe të arrinin në vendet në prag të urisë, duke përfshirë Etiopinë, Afganistanin dhe Jemenin./REL

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne