Bashkimi Evropian ka mirëpritur vendimin e Kosovës dhe Serbisë që zyrtarisht të njohin targat e makinave të njëra-tjetrës dhe të heqin plotësisht regjimin e letrave ngjitëse. “Ky vendim është hap pozitiv në zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit si dhe i zotimeve të kaluara në kuadër të dialogut që lidhen me lëvizjen e lirë”, tha përmes një deklarate shefi për politikë të jashtme dhe siguri i BE-së, Josep Borrell.
Sipas Borrellit, vendimi i qeverive në Kosovë dhe Serbi për çështjen e targave “dëshmon se arritja e përparimit në avancimin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është i mundur dhe vë në pah rëndësinë e vazhdimit të punës brenda dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja”. “Ky vendim po ashtu përbën hap në drejtimin e duhur drejt një integrimi më të mirë rajonal dhe evropian të Ballkanit Perëndimor, nga i cili përfitojnë qytetarët e rajonit”, tha Borrell.
Qeveria e kryeministrit Albin Kurti tha se heqja e regjimit të letrës ngjitëse nga ana e saj “është akt i fqinjësisë së mirë dhe vjen pas njohjes së plotë të targave të Republikës së Kosovës nga Serbia”.
Për çështjen e lëvizjes së Lirë, Kosova dhe Serbia kishin arritur marrëveshje më 2011, në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve që ndërmjetësohet nga blloku evropian. Makinat u lejuan të kalonin, ndërkaq simbolet shtetërore në targa ishin mbuluar me letra ngjitëse.
Por, kjo masë nxiti pakënaqësi në mesin e popullatës serbe në Kosovë, të cilët bllokuan rrugët që çonin në pikëkalimet kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak.