Belind Këlliçi ngre grup ekspertësh për hetimin e Veliajt

Ish-kandidati për kryetar bashkie në Tiranë, Belind Këlliçi, i njohur gjatë fushatës së 14 majit për zgjedhjet vendore si Belo, ka ngritur një grup ekspertësh për të rilexuar, hetuar, verifikuar çdo fakt të publikuar në media, dokumentat që disponon selia blu, qytetarët dhe bashkëpunëtorë të ndryshëm të cilët mund t’i japin informacione dhe të dhëna të qenësishme që mund të ndihmojnë në zbardhjen e të vërtetës deri në fund për çështjen e inceneratorit.

Pas publikimit dje nga SPAK se ishte sekuestruar inceneratori i Tiranës, i cili ndryshe quhet zona e përpunimit të mbetjeve, Këlliçi ka thirrur disa ekspertë midis tyre juristë, ekonomistë dhe teknicienë për të vlerësuar të gjithë procesin e dhënies me koncesion.

PD disa herë e ka denoncuar, fakte, skandale por gjithçkaje tashmë do t’i hyhet me detaje dhe me themel deri tek çështja e pronësisë së truallit rreth landfillit, zgjerimit dhe shpronësimit të bërë, dokumentave të tjera në lidhje me subjekte bashkëpunëtore, nënkontraktor, konsulencat dhe gjithçka tjetër është bërë tek afera e inceneratorit të Tiranës.

Sipas CNA-së, ky grup ekspertësh do të mbledhë një material voluminoz i cili do të bëhet publik dhe gjithashtu një material i plotë do t’i çohet dhe SPAK-ut.

Faktin për grupin e ekspertëve e konfirmoi edhe ekspertja e ekonomisë, Brisida Shehaj, e cila theksoi se Belind Këlliçi ishte duke ngritur një grup specialistësh për të verifikuar të gjitha problematikat, teknikalitet, shkeljet e ligjit në lidhje me aferën e inceneratorit të Tiranës, paralel kuptohet me investigimin, hetimin dhe ekspertizën që ka bërë SPAK, por kjo që do të bëjë grupi i ekspertëve të Belind Këlliçit do të jetë në çdo detaj, për çdo kompani, për gjithë subjektet e përfshira, për çështjet tekniko-ligjore deri tek pagesat, kontratat, nënkontraktimet, mediat dhe gjithçka që është përfshirë në aferën më të madhe të shekullit, siç është ajo e inceneratorëve./TPZ

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne