Belinda Balluku dhe Mirela Kumbaro refuzojnë të zbatojnë urdhrin e drejtësisë për sekuestrimin e mbetjeve toksike..

Autoriteti Portual Durrës, në varësi të Belinda Ballukut dhe institucionet në varësi të Mirela Kumbaros kanë nxjerrë justifikime të ndryshme duke lënë në pritje shkarkimin e mbetjeve të dyshuara si toksike në port dhe gjetjen e një hapësire fizike ku mund të ruhen kontenierët e dyshuar në pritje të hetimeve. Duke iu referuar kërkesës së Prokurorisë së Durrësit, që kërkonte angazhimin e disa institucioneve për të gjetur një vend të sigurt mjedisor dhe garantimin e sigurisë fizike përmes monitorimit 24 orë me kamera, Autoriteti Portual ka kthyer përgjigje duke theksuar se nuk mund të sigurojë një hapësirë të përshtatshme, pasi mbetjet konsiderohen të rrezikshme dhe kërkojnë kushte të veçanta sigurie. Në një tjetër justifikim për BIRN, Autoriteti Portual tha se porti nuk ka kapacitete dhe hapësirë t’i mbajë.

“Nuk kemi kapacitet për t’i mbajtur në port pasi ato kërkojnë 1000 metra katrorë hapësirë”, i tha BIRN-it, zëdhënësja e Autoriteti Portual, Elitjana Doko. Ajo shtoi se kjo do të ndikonte në mbarëvajtjen e punës së terminalit. “Kush na garanton ne se nuk përbëjnë rrezik për mallrat e tjera në terminal?”,  aludoi ajo. Urdhri i prokurorisë që mban datën 27 tetor i drejtohet këtij institucioni dhe autoriteteve kufitare, policore dhe doganore. “Të merren masa që sendet e sekuestruara të depozitohen në një vend të sigurt si përsa i përket sigurisë mjedisore dhe asaj fizike, nëpërmjet monitorimit të kamerave 24 orë. Sendet e sekuestrua të mbahen në gjendjen që janë pa u proceduar me hapjen e tyre”- thuhet në këtë shkresë.

Edhe Manastirliu refuzon urdhrin e Prokurorisë

Por, BIRN mësoi se nuk është vetëm Autoriteti Portual që po refuzon të zbatojë këtë urdhër. Institucionet në varësi të Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit nuk kanë ofruar një zgjidhje për hapësirën ku duhet të ruhen këto kontenierë. Në një tjetër shkresë të prokurorisë me datë 28 tetor drejtuar Agjencisë Kombëtare e Mjedisit kërkohet që “të merren masat e nevojshme sipas legjislacionit në fuqi, për të siguruar mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit të njeriut dhe shmangien e çdo ndikimi negativ eventual”. Por AKM e ka lexuar kërkesën e prokurorisë si një kërkesë për interpretim të ligjit mbi menaxhimin e mbetjeve. “Kërkesa ishte për kushtet që duhet të plotësojë një hapësirë për materialet e konfiskuara kur dyshohen si të rrezikshme”,  i tha BIRN-it, Arta Dollani, drejtoreshë e kësaj agjencie.

“Nuk përgjigjemi nga AKM për hapësira konkrete, por bazën ligjore, për kriteret”- shtoi gjatë një komunikimi nëpërmjet aplikacionit Whatsup, por nuk vendosi në dispozicion përgjigjen e plotë që i është kthyer prokurorisë. Moszbatimi i urdhrit të prokurorisë shkaktoi dje debate në Kuvend, ku deputetë të opozitës akuzuan qeverinë se refuzon zbatimin e këtij urdhri, por ministrat ‘garantuan’ se po punojnë për një zgjidhje dhe se urdhri do të zbatohej.

“Urdhri i Prokurorisë ka dalë një ditë të diel”, u justifikua ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, por shtoi se institucionet po koordinoheshin për zbatimin e tij. “Po krijojmë infrastrukturën për vendosjen e kontejnerëve në hapësira publike ku do të monitorohen nga policia”,  shtoi ai. Por deputeti i opozitës, Agron Shehaj, i cilësoi deklaratat e ministrave të “pabesueshme” dhe mosveprimin e institucioneve si tentativë për të manipuluar hetimin. “Është e qartë që kjo qeveri po mundohet në çdo mënyrë të fshehë skandalin, të manipulojë hetimin”, tha ai.

Çfarë ka ndodhur?

Udhëtimi i 102 kontenierëve me destinacion Tajlandën ka ngjallur shqetësime prej muajit gusht, kur organizata mjedisore “Basel Action Netëork”, BAN, ngriti alarmin se brenda tyre mund të fshiheshin tonelata me mbetje të rrezikshme me burim hirin e oxhaqeve metalurgjike elektrike (EAFD). Prokuroria e Durrësit ka nisur një hetim ndaj kompanisë eksportuese “Sokolaj” sh.p.k, e cila nga ana e saj ka deklaruar se i kishte blerë mbetjet nga kompania e prodhimit të shufrave të hekurit, “Kurum International”.

Kompania “Kurum” ka mohuar që të ketë lidhje me eksportin e mbetjeve të rrezikshme, ndërsa Gjovana Sokolaj, administratore e kompanisë “Sokolaj”, ka pretenduar në Prokurori se mbetjet nuk janë të rrezikshme. Drejtori i BAN, Jim Puckett, i pranishëm në portin e Durrësit ditën e mbërritjes së anijes “Molivia” u bëri thirrje autoriteteve shqiptare që të mundësojnë një hapje publike të konteinerëve për një proces hetimor transparent, ndërsa kërkon që qeveria shqiptare të ndajë me organizatën e tij një mostër për analiza të pavarura.

Moszbatimi i vendimit të Prokurorisë është vepër penale

Moszbatimi i vendimit të Prokurorisë (p.sh., mosparaqitja për të dhënë dëshmi, moszbatimi i një urdhri për ndalimin e veprimeve të caktuara, ose pengimi i hetimeve) mund të rezultojë në pasoja ligjore, të cilat përfshijnë: Akuza për Pengim të Drejtësisë: Nëse dikush shmang ose ndërhyn në procesin hetimor, Prokuroria mund të ngrejë akuza shtesë për “pengim të drejtësisë.” Kodi Penal parashikon dënime për pengimin e drejtësisë që zakonisht përfshijnë gjoba ose dënime me burg, varësisht nga serioziteti i veprimeve.

Dënime Administrative ose Procedurale: Për moszbatim të lehtë, personi mund të marrë dënime administrative, si gjoba ose ndalim të përkohshëm të disa të drejtave, si liria e lëvizjes. Masë Sigurie: Në rastet kur moszbatimi i vendimit të Prokurorisë vlerësohet si i rrezikshëm, mund të merret masa e paraburgimit për të garantuar zbatimin e urdhrit të Prokurorisë. Dënimi i saktë varet nga lloji dhe shkalla e moszbatimit të urdhrit të Prokurorisë dhe përcaktohet nga Kodi Penal dhe procedurat gjyqësore të aplikueshme./sot

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne

Powered by WordPress