Benet Beci i jep pa garë Rebani Kadijes 105 milionë lekë për bojatisjen e shkollave

Kryebashkiaku Benet Beci, vazhdon punën me fasadat, duke mbuluar mungesën e investimeve thelbësore në Shkodër. Por edhe ato pak lekë që po dalin nga buxheti i bashkisë, po shpërndahen përmes tenderave të korruptuar.

Afera e radhës e Becit mban titullin ‘Mirëmbajtje e objekteve të arsimit (Bojatisje)’, me fond limit 88 milionë lekë (105 milionë lekë me TVSH). Në dokumente nuk përcaktohen se sa objekte janë planifikuar të lyhen me këtë fond, por tregohet se për 3 muaj do të punojnë me lyerjet 5 bojaxhi dhe 2 muratorë.

Gjithsesi, ne vazhdojmë të këmbëngulim, se si i ka bërë llogaritë stafi i Becit, që i del fondi 105 milionë lekë për të rregulluar fasadat e shkollave.

Të paktën në një pjesë të shkollave ku janë  bërë rikonstruktime të godinave,  nuk ka nevojë për të harxhuar lekë për fasadat.

Nga ana tjetër, kjo punë do të bëhet në kohën e gabuar, pasi vera iku dhe nxënësit janë kthyer nëpër shkolla. Mësimi ka filluar, çka i bie që ose do të bëhet vetëm lyerja nga jashtë, ose do nisë zvarritja dhe rrëmuja për nxënësit që do shpërngulen nga klasat.

Abuzimi vazhdon edhe më tej. Beci ka skualifikuar 7 ofertat më të lira dhe ia ka dhuruar kontratën firmës që kishte propozimin më të shtrenjtë.

Tenderi është mbajtur më datë 12 gusht 2024, kur në procedurë shqyrtohej vetëm oferta e firmës KADIA SHPK, pasi të tjerat ishin përjashtuar që në fazën e parë. Ofertat e të shkualifikuarve varionin nga 60 milionë lekë deri në 64 milionë lekë. Kjo tregon që komisioni e ka fryrë fondin limit përtej çmimeve të tregut.  Firmat u skualifikuan me argumente se nuk kanë dorëzuar dokumentet që deklaronin bojaxhinjtë, apo katalogun për produktin që do përdoret.

Ligji kërkon që AK të njoftojë operatorët me oferta ekonomike për mangësitë që kanë në dokumentacion, sidomos kur flitet për propozime më të lira.

Beci e ka bërë rrugë që nuk e zbaton këtë pikë të ligjit. Pasi e eliminoi konkurrencën, kryetari nënshkroi kontratën me kompaninë e Rebani Kadijes, “KADIA” SHPK, e cila kishte ofertën 70 milionë lekë, ose 84 milionë lekë me TVSH. Kontratë e cila u zhvillua në 12 gusht 2024, por u bë publike më datë 11 shtator 2024.

Open Data Albania i ka vendosur tenderit ‘Flamurin e Kuq’, që shënjon riskun e korrupsionit./ Gijotina.com

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne