Berisha e Malltezi u morën të pandehur, të mërkurën thirren në SPAK: Do të firmosin mbylljen e hetimeve

Ish-kryeministri Sali Berisha është thirrur të mërkurën në SPAK për të firmosur mbylljen e hetimeve për dosjen “Partizani”, ku ai dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi u moren te pandehur. Së bashku me mbylljen zyrtare të hetimeve, të pandehurit do të marrin edhe të gjitha aktet përfundimtare.

Më 11 shtator, Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet dhe ka njoftuar akuzat për ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, të akuzuar për korrupsion në atë që njihet si afera e terreneve sportive të klubit Partizani. Berisha është në hetim për veprën penale të korrupsionit pasiv së bashku me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, i cili akuzohet nga SPAK se ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.

Si Berisha ashtu edhe Malltezi i kanë kundërshtuar akuzat dhe e kanë cilësuar hetimin si të orkestruar nga kryeministri Edi Rama. Gjithashtu, Berisha dhe mbështetësit e tij e kanë cilësuar këtë masë si përpjekje për asgjësimin e opozitës. Në dyert e SPAK u thirr edhe biznesmeni Fatmir Bektashi, të cilit iu komunikua akuza “korrupsion aktiv” dhe “pastrim parash”. Akuza e “pastrimit të parave” iu komunikua edhe Xhimi Begeja, si dhe financieres Andia Pustina, ortakë dhe lidhje në veprimtari procedurash me Malltezin.

Afati i fundit i SPAK për mbylljen e hetimeve për privatizimin e ish-klubit sportiv Partizani ishte data 2 tetor. Hetimet për këtë çështje nisën katër vite më parë, pas kallëzimit të depozituar nga deputeti socialist Taulant Balla.

Në muajin Tetor 2023 SPAK arrestoi Jamarbër Malltezin dhe mori nën akuzë ish-kryeministrin Sali Berisha, me masën “detyrim paraqitjeje”. Për shkak të thyerjes së masës, më 30 Dhjetor 2023 GJKKO shtrëngoi masën ndaj Berishës, duke e izoluar me “arrest shtëpiak”, ku dhe ndodhet aktualisht. Malltezit iu zbut masa disa ditë pas ndalimit, nga arrest në burg, në atë shtëpiak.

Berisha akuzohet se lejoi një zinxhir të tërë institucionesh që të shkelnin ligjin e Parlamentit për “mosndryshimin e destinacionit të terreneve sportive” dhe se “terrenet sportive nuk privatizohen”, duke ua kthyer ish-pronarëve, mes tyre edhe dhëndri i tij. Në pronat e ish-klubit u ndërtuan të paktën 19 kulla pallatesh, duke u siguruar një fitim të konsiderueshëm të pandehurve nga ky biznes që nisi me paligjshmëri.

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne