Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, në bisedën telefonike me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, pak para marrëveshjes për armëpushim në Liban, i përcolli bashkëbiseduesit se fokusi tani duhet të jetë në shkëmbimin e pengjeve dhe marrëveshjen e armëpushimit në Gaza.
Sipas lajmit të faqes amerikane “Axios” të cilin e bazon në dy zyrtarë amerikanë të paidentifikuar, Biden i ka thënë Netanyahut se pas arritjes së armëpushimit në Liban, duhet të bëjë marrëveshje për shkëmbimin e pengjeve dhe armëpushim në Rripin e Gazës.
Biden i ka thënë Netanyahut: “Tani kemi një mundësi. Të marrim pengjet”, thonë zyrtarët amerikanë duke shtuar se kryeministri izraelit Netanyahu iu përgjigj pozitivisht Bidenit. Sipas zyrtarëve amerikanë të cilët transmetuan se biseda telefonike zgjati disa minuta, e vetmja çështje tjetër përveç Libanit që erdhi në rend dite në bisedën mes Bidenit dhe Netanyahut ishte armëpushimi në Gaza dhe marrëveshja e shkëmbimit të pengjeve.
Një këshilltar i paidentifikuar i presidentit amerikan Biden, që ka folur për “Axios” ka thënë se “Bideni mendon se do të ishte çmenduri të mos bënte asgjë dhe t’u thuash familjeve të pengjeve të presin deri më 20 janar”.
Netanyahu dëshiron “marrëveshje të pjesshme” për të vazhduar sulmet në Gaza
Një ministër izraelit i paidentifikuar i cili ka folur për “Axios” tha se Netanyahu po bën përpjekje për një “marrëveshje të pjesshme të pengjeve” e cila nuk do të detyrojë ushtarët izraelitë të tërhiqen plotësisht nga Gaza dhe e cila do të vazhdonte sulmet në Gaza.Zyra e Kryeministrit izraelit ka refuzuar të japë deklaratë lidhur me këtë çështje.
Netanyahu është kritikuar se për “arsye politike” nuk ka rënë dakord për një marrëveshje të ndërsjellë për shkëmbimin e pengjeve me Hamasin që do të lironte pengjet izraelite në Rripin e Gazës. Parashikohet se në Rripin e Gazës ndodhen 101 pengje izraelite./AA