Biznesmenit dhe bamirësit haxhi Daliut (Post mortum)

Nga Av. Faik MIFTARI

Lajmi për ndërrimin jetë papritmas të shokut dhe mikut tim, zejtarit, biznesmenit, bamirësit Muhamedali Maxhunit- haxhi Daliut më preku thellë dhe më tronditi pa masë, pasi që humba një shok, mik, dost, jaran, besimtar e atdhetar, e mbi të gjitha një njeri jashtëzakonisht me shpirt human e bamirës.

Ishte ditë mërkure, sapo u zgjova nga gjumi dhe u përgatita për të shkuar në punë, në rrjete sociale pash njoftimin që e kishte postuar djali i tij Ymeri për ndërrimin jetë të shokut dhe mikut tim, haxhi Daliut. Për shpirtin e tij lexova Jasinin, Fatihan dhe bëra dua (lutje) Allahut-Krijuesi Fuqiplotë ta mëshirojë me mëshirën e tij shpirtin e ndritur të haxhi Daliut. Si shok dhe mik i tij i afërt, përveç obligimit shpirtëror, ndjeva edhe obligimin moral e shoqëror që ta përkujtojë me këtë shkrim post mortum (pas vdekjes), përgatitur nergut për shokun dhe mikun tim të dashur dhe të paharruar haxhi Dalinë.

Me zejtarin, biznesmenin dhe bamirësin haxhi Dalinë u njoftova për herë të parë në vitin 1984 kur isha student i vitit të parë, në lokalin e tij zejtar në të cilin ushtronte në atë kohën zejen e xhamprerësit përball xhamisë së Sinan Qatibit (Levishës). Prej vitit 1984, përplot 40 vite e kam pas shokë dhe jaran në kuptim të plotë të fjalës, gjer në ditën e fundit me 31 janar 2024 kur e varrosëm dhe e përcollën në botën e përhershme, për në Ahiret.

Dy ditë para ndërrimit jetë, ishte ditë e diel, e takova në qytet, ishte së bashku me Agimin, pasi u përshëndetëm, më tha: “po ku je Faik, ka kohë që nuk u takuam, më thirr ndonjë mbrëmje të pimë kafe dhe të bëjmë llafe”. Unë, të njëjtën ditë, në mbrëmje, pas namazit të jacisë, e thirra në telefon haxhi Daliun, dhe dolëm në kafe në Marash në ora 19.00. Qëndruam së bashku gjer në ora 21.00, plotë 2 orë, kaluan sa ora me llafe e muhabet. Në fund më tha, “më kënaqe Faik”, pasi që gjatë këtyre 2 orëve trajtuam tema si zakonisht që i trajtonim çdo herë, temat politike kombëtare e ndërkombëtare, fetare, ekonomike, kulturore e sociale,etj. Haxhi Daliu sikur e kishte parandier se do të largohej së shpejti nga kjo botë e përkohshme, pasi që ky takimi ynë ishte edhe i fundit. Dy ditë pas këtij takimi, ditë e marte, kishte shkuar në varrim të një gruaje të një mikut të tij, në namazin e drekës gjer në xhaminë e Terzimahallës ku ishte falur xhenazja. Pas kthimit prej xhamisë, shkoi në çajtoren Menta afër xhamisë së Sinan pashës në Shatërvan, me ç’rast në shoqëri së bashku me shokët e tij, Osmanin, Ibrahimin, Nadiun dhe Agimin, papritmas duke pirë kafe u rrëzua në tokë, përjetoi atak në zemër dhe pas dhënies së ndihmës urgjente, me emergjencë u dërgua në spitalin e Prizrenit, me ç’rast në mbrëmje në ora 21.30 e dorëzoi shpirtin e tij Krijuesit Fuqiplotë.

Krahas aktivitetit të tij tregtar biznesor, që nga greva e minatorëve të Trepçës së vitit 1989 e gjer në vitin1999, ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në grumbullimin dhe shpërndarjen e ndihmave të shumta humanitare bamirëse me destinacionin kryesor për në Mitrovicë dhe Drenicë. Ka qenë aktiv në Shoqatën e Zejtarëve të Prizrenit, ndërsa prej vitit 1994 ka qenë njëri prej iniciatorëve për themelimin e Shoqatës së biznesmenëve ESNAF- të Prizrenit në të cilin që nga fillimi e gjer te largimi i tij nga aktiviteti biznesor, mbi 20 vite ka qenë pothuajse Alfa dhe Omega i ESNAF-it. Për fat të keq nuk arriti të përjetojë kremtimin e 30 vjetorit të themelimit të ESNAF-it, i cili do të mbahet sivjet, ku ishte shpallur kryetar nderi i Shoqatës së biznesmenëve ESNAF gjer në vdekjen e tij.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, vazhdoi me aktivitetin biznesor, tani së bashku me ortakët e tij Erollin dhe Ramiun me ndërmarrjen e themeluar “Elif-19”, e pastaj vazhduan edhe me aktivitete prodhues së bashku me ndërmarrjen ABI. Krahas punës së palodhshme në menaxhimin dhe udhëheqjen e biznesit me bashkëpunëtorët e tij, pa u ndal ka vazhduar kontributin e tij humanitar e bamirës, në aktivitetet e shumta humanitare, fetare, sportive, kulturore e botuese.

Biznesmeni dhe bamirësi haxhi Daliu, ishte për nga natyra njeriu i qetë, por me një sens dhe largpamësi të jashtëzakonshme, i cili kishte ide të shumta kreative dhe mendonte gjithmonë dy hapa përpara se çfarë duhej bërë dhe parashikuar si në aktivitetet biznesore, humanitare, politike, fetare e kulturore.

Gjatë takimeve të shumta, shpesh jam konsultuar me te, dhe gjithnjë këshillat e t’ia kanë qenë të mirëseardhura dhe shumë të dobishme dhe të nevojshme për mua. Në takimin fundit që patëm, përveç tjerash më tregoi, se kishte filluar për të rregulluar dhëmbët te stomatologu dr. Tariku, me ç’rast në vitrinën e ordinancës së tij e kishte vërejtur librin tim më të ri, të cilën atij nuk ja kisha dhënë akoma. Më tërhoqi vërejtjen duke më thënë:”si bën dr. Tarikut ja paske dhënë librin, ndërsa mua ende nuk më ke dhënë”. Aman, i thashë haxhi, ai është problem më i vogël, pat kaluar kohë e që nuk jemi takuar dhe nuk pata rast me ja dhënë librin. Të hënën e ka pas terminin për dhëmbët te dr. Tariku, të cilën për fat të keq, tani dhëmbët mbetën në ordinancën e dr. Tarikut, ndërsa edhe librin pa dhënë, të cilën gjatë ditëve të pamës ia dorëzova librin post mortum (pas vdekjes) me nënshkrim, djalit të tij, Ymerit.

Gjatë veprimtarisë së tij të frytshme në shoqatën e afaristëve ESNAF haxhi Daliu ka pas rast të takohet me shumë biznesmen vendor e ndërkombëtar, politikan, ministra e kryeministra, për të cilat në këtë shkrim do t’i theksoja vetëm dy sosh që më pat rrëfye gjatë takimeve tona të shumta.

Rrëfimi parë ishte takimin që ka pas me kryeministrin e parë të Kosovës, të ndjerin Bajram Rexhepin, për të cilin ka pas respekt të madh. Gjatë takimit haxhi Daliu i tregoi për aktivitetin dhe kontributin jashtëzakonisht të madh humanitar e bamirës që kanë dhënë biznesmenët e Prizrenit gjatë periudhës 10 vjeçare(1989-1999), veçanërisht në rajonin e Mitrovicës dhe Drenicës. Pas luftës Prizreni si qytet i dytë i Prizrenit ishte anashkaluar, dhe se në atë kohë haxhi Daliu ia pat hap temën e ndërtimit të ZonësIndustriale në Prizren, si nevojë imediate në të cilin afaristët e Prizrenit do të zhvillonin aktivitetet e tyre tregtare, zejtare dhe prodhuese. Prej asaj kohe kaluan plot 20 vite, ndërsa Parku i Biznesit në Prizren akoma mbeti pa u finalizuar. Haxhi Daliu me sensin dhe largpamësin që ka pas, i kishte thënë kryeministrit Bajram Rexhepi një shembull ekuivalent të anashkalimit të Prizrenit. Me rastin e nxjerrjes së tabelave të regjistrimit të veturave, Prizreni si qytet e dytë në Kosovë, dhe si kryeqytet historik, do të duhej të kishte tabelën e veturave 02 pas kryeqytetit të Prishtinës me 01, e jo të ketë 04. Ish kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi mbeti i shtangur në vend me sensin dhe largpamësin e haxhi Daliut.

Rrëfimi i dytë ishte takimin që ka pas me ish kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj, i cili gjatë një fushate zgjedhor erdhi në vizitë Shoqatës së Biznesmenëve ESNAF në Prizren. Në eskortën e tij ishte edhe këshilltari i tij, ish politikani me përvojë shumëvjeçare nga koha e sistemit komunist, i ndjeri Mahmut Bakalli. Në selinë e shoqatës ESNAF në tavolinat ishin të vendosura shishet me ujë Kolonje, që është një traditë në Prizren për pritjen e mysafirëve. Mahmut Bakalli i thotë Ramush Haradinajt:” Ramush, këto nuk janë shishe të rakisë, se ESNAF-i Prizrenit nuk gostit me raki, por këto janë shishe me kolonjë për dezinfektimin e duarve, një zakon tradicional i Prizrenit”.

Në fund të këtij shkrimi post mortum (pas vdekjes) për shokun dhe mikun tim të dashur dhe të paharruar, haxhi Dalinë, e lus Allahun Fuqiplotë, që ta mëshirojë me mëshirën e pakufishme dhe ta shpërbleje me xhenet firdevs, ndërsa bashkëshortes së tij Elvanes, vajzës Nalane, djemve Ymerit dhe Barëshit si dhe familjarëve tjerë Allahu ju dhashë sabër e gajret./gazetaimpakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne