Blendi Gonxhja merr ish-vartësen e tij në ministri, e emëron zv.ministre

Qeveria ka emëruar një zv.ministre për ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, të krijuar së fundmi dhe që do të drejtohet nga Blendi Gonxhja. Bëhet fjalë për Lira Pipën, teksa vendimi është marrë në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave.

Lira Pipa ka qenë një vartëse e Blendi Gonxhes tek Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), teksa tani vihet sërish nën urdhërat e tij si zv.ministre e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Lira Pipa ka kryer studimet gjatë viteve 2009 – 2012, pranë Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Tiranës dega Administrim Biznesi. Më pas gjatë viteve 2012 – 2014, ka përfunduar studimet Master në Marketing, pranë Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Tiranës.

Gjatë viteve 2016 – 2019, ajo ka punuar si specialiste pranë Drejtorisë së Komunikimit Publik, në Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit. Në këtë pozicion, është angazhuar me përgatitjen e materialeve për publikime dhe mirëmbajtjen e rrjeteve sociale, planifikimin dhe implementimin e strategjive të Medias Sociale dhe Planit të Medias, promovimin e aktiviteteve dhe eventeve të Agjencisë, si dhe realizimet grafike të përshtatshme për publikime të ndryshme.

Nga viti 2019, Lira Pipa i është bashkuar stafit të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, institucion në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, në pozicionin e Drejtorit të Kabinetit.

Kujtojmë se bashkimi i ministrisë së Ekonomisë me atë të Kulturës është pritur me kritika ana e opozitës, po ashtu edhe emërimi i Blendi Gonxhes në krye të kësaj ministrie, një bashkëpunëtor i vjetër i kryeministrit Edi Rama.

Duhet theksuar dhe fakti se emri i Blendi Gonxhes është lakuar shpesh për afera korruptive nga denoncimet e opozitës, por edhe raportimet mediake të cilat kanë zbuluar se si me kompaninë “Albarent”, ai ka përfituar qindra milionë para publike në procedeura tenderuese.

Gjithashtu, tenderat e DPSHTRR-së të ankimuar në Komisionin e Prokurimit Publik ngrenë dyshime për procedura të paracaktuara e korruptive nga Blendi Gonxhe. Një vit më parë, ai ishte në qendër të kritikave pasi u shfaq si mbrojtjes i një nisme që parashikonte rritjen me më shumë se dyfish të çmimit të patentës.

lendi Gonxhe është një prej bashkëpunëtorëve më të vjetër e më të ngushtë të kryeministrit Edi Rama. Në vitin 1998, kur ish-kreu i qeverisë, Fatos Nano, e mori Ramën nga emigrimi në Paris dhe e emëroi në krye të Ministrisë së Kulturës, Blendi Gonxhe u emërua shef i tij i kabinetit. Më tej, Rama e mori Gonxhen si zëvendës të tij në Bashkinë e Tiranës, në vitin 2002. Blendi Gonxhe u largua me dorëheqje, pas përmbytjes së “Tiranës së Re” nga një hapje e gabuar e digës së Liqenit Artificial.

Pas disa vitesh në aktivitet privat, Blendi Gonxhe rikthehet në Bashkinë e Tiranës, kësaj radhe si vartës i Erion Veliajt. Ai qëndroi për tre vjet në postin e drejtorit të Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit dhe në vitin 2018 u emërua nga kryeministri Edi Rama në postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit të Transportit Rrugor./boldnews

 

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne