Blinken: Izraeli nuk veproi në përputhje me ligjin ndërkombëtar humanitar në disa raste

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken deklaroi se Izraeli nuk ka vepruar në përputhje me ligjin ndërkombëtar humanitar në disa raste. Blinken ishte i ftuar në programin “Face the Nation” në televizionin CBS. Duke vënë në dukje se në raportin për sulmet e Izraelit në Gaza përfshihen “shqetësimet” në lidhje me ndihmën humanitare pas 7 tetorit 2023, Blinken theksoi se vazhdon vlerësimi i “ngjarjeve” të ndryshme.

“Në rajon ka një ‘mjedis kompleks ushtarak’. Duke marrë parasysh të gjitha rastet në të cilat fëmijë, gra dhe burra u vranë ose u lënduan, është e arsyeshme të vlerësohet se Izraeli nuk ka vepruar në përputhje me ligjin ndërkombëtar humanitar në disa raste”, tha Blinken duke shtuar: “Ne kemi qenë të qartë se nëse Izraeli fillon operacion të madh ushtarak në Rafah, ka disa sisteme që ne nuk do t’i furnizojmë për këtë operacion”.

Sekretari amerikan shtoi se janë në negociata aktive me palën izraelite në lidhje me dërgesën e municioneve.

“Ne kemi shqetësime të vërteta për mënyrën e përdorimit të (armëve). Ne besojmë dy gjëra. Së pari, ju duhet të keni një plan të qartë dhe të besueshëm për mbrojtjen e civilëve (në Rafah), të cilin nuk e kemi parë ende. Së dyti, duhet të shohim një plan lidhur me periudhën pas përfundimit të konfliktit në Gaza dhe ne nuk e kemi parë ende këtë”, deklaroi Blinken.

Në një deklaratë më 9 maj, presidenti amerikan Joe Biden tha se do të pezullonte ndihmën me armë për Izraelin nëse ushtria izraelite kryen sulm të madh në Rafah. Kjo deklaratë e Bidenit shkaktoi reagime si nga Partia Republikane në SHBA ashtu edhe nga Izraeli./AA

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne