Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell, i bëri thirrje të hënën komunitetit ndërkombëtar që të rishikojë furnizimin me armë për Izraelin. “Sa herë keni dëgjuar liderët dhe ministrat e jashtëm më të shquar në mbarë botën të thonë, ‘shumë njerëz po vdesin?'”, pyeti Borrell në një konferencë shtypi në Bruksel.
Borrell theksoi se edhe presidenti amerikan, Joe Biden, duke komentuar numrin e të vdekurve në Gaza, tha se kjo është e tepërt dhe se është jo proporcionale. “Pra, nëse besoni se shumë njerëz janë vrarë, ndoshta duhet të dërgoni më pak armë në Izrael për të parandaluar vrasjen e kaq shumë njerëzve”, tha ai.
Duke kujtuar se në vitin 2006, Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën të ndalojnë dërgimin e armëve në Izrael gjatë Luftës së Libanit, kur Izraeli nuk donte t’i jepte fund luftës, Borrell tha se “pikërisht e njëjta gjë” po ndodh edhe sot.“Të gjithë shkojnë në Tel Aviv dhe luten: Ju lutemi mos e bëni këtë, mbrojini civilët, mos vrisni kaq shumë njerëz! Sa është shumë? Cili është ai standard?” pyeti Borrell.
Ai theksoi se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, nuk dëgjon askënd, sepse me këmbëngulje refuzoi të gjitha thirrjet për paqe dhe këmbëngul që Izraeli të marrë nën kontroll të gjithë Rripin e Gazës.
“Nëse komuniteti ndërkombëtar beson vërtet se kjo është një masakër, se shumë njerëz janë vrarë, ndoshta ata duhet të mendojnë për çështjen e dërgesave të armëve”, tha Borrell, duke iu referuar gjykatës holandeze që urdhëroi pezullimin e dorëzimit e pjesëve të avionëve F-35 për Izraelin nga Holanda, me qëllim zbatimin e vendimit të përkohshëm të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë./AA