Botohet libri “Kufizimet e drejtave të njeriut gjatë pandemisë dhe vaksinimit”

Nga Av. Faik MIFTARI

Libri “Kufizimet e drejtave të njeriut gjatë pandemisë dhe vaksinimit” përmban 30 punime të zgjedhura të shkruara gjatë katër viteve të kaluara(2020-2023) lidhur me kufizimet dhe shkeljet e lirive dhe drejtave të njeriut gjatë periudhës së pandemisë dhe vaksinimit si dhe pasojave të shkaktuara nga efektet anësore nga vaksinat e detyruara mRNA kundër COVID-19.

Libri nis me citimin e publicistit kroat Petar Jasakut:” Të dini, kur të mendoni se gjithçka ka marr fund, kur të humbni çdo fije shprese, kur lëshoni duart poshtë, atëherë Krijuesi i juaj ndërhyn, i shpërblen më të guximshmit dhe më te logjikshmit. Kurrë mos e humbni shpresën, sikurse nuk e humbim as ne.“.

Në fjalën hyrëse, autori i librit, përveç tjerash ka theksuar: ”Qysh nga muaji mars i vitit 2020 kur u shpall pandemia e korona virusit COVID-19 në nivel global nga Organizata Botërore e Shëndetësisë(OBSH-ja) pata ndier një shqetësim në veten time, diç nga brendësia e shpirtit tim më shtynte të jem skeptik dhe të dyshoja në këtë pandemi të paparë gjer tani në historinë e civilizimit njerëzor me përmasa mbarë botërore, se a ishte vërtetë kjo pandemi pasojë e shfaqjes dhe përhapjes së virusit natyror apo ishte pasojë e programimit, krijimit dhe shpërndarjes së virusit artificial COVID-19.
Si avokat që ushtrojë profesionin, isha pothuajse prej të paktëve që haptas në mënyrë publike, në Kosovë fillova të shkruajë dhe të shfaqë opinionin tim në kundërshtim me narrativën zyrtare të pandemisë dhe vaksinimit, krahas avokatit Altin Goxhaj në Shqipëri, avokatit Mirnes Ajanoviq në Bosnjë, avokatit Reiner Fuellmich në Gjermani, dhe avokatëve tjerë në botë.
Të gjitha prononcimet e argumentuara në mënyrë shkencore që kanë rënë ndesh me versionin zyrtar për pandeminë e COVID-19 janë shpallur “teori të konspiracionit” nga ana e qeverive, OBSH-së, institucioneve shëndetësore, mediave, etj. Termi ”teori konspiracioni” përdoret në mediat e sotshme botërore kryesisht për diskreditimin e opinioneve publike kritike në botë dhe në mbështetje pa masë establishmentit aktual politik qeverisës në botë. Teoria e konspiracionit nënkupton “komentimi i proceseve politike, shoqërore, ekonomike, shkencore, si dhe dukuria e veprimeve të grupeve sekrete për të realizuar qëllime jolegale dhe jolegjitime”. Në kuptimin më të gjerë ky term nënkupton”komentimet të cilët nuk kanë bazë në analizat e thukëta, por në paragjykimet, besëtytnitë, paranoja apo lloje tjera të mendimeve joracionale”.
Çdo mendim tjetër i shprehur ndaj korona virusit COVID-19 dhe vaksinimit mRNA kundër COVID-19 i cili dallonte nga versioni zyrtar i OBSH-së apo të Ministrive të Shëndetësisë dhe Instituteve Kombëtare të Shëndetësisë të qeverive të shteteve në botë, apriori janë shpallur si mendime të “çmendura” të cilat duhet të dënohen dhe të ndëshkohen sipas tyre, që ishte sulm i paparë gjer tani në lirinë e shprehjes dhe mendimit të lirë të njeriut, që është i garantuar me Kushtetutën e Kosovës, ligjet në fuqi në Kosovë si dhe me konventat ndërkombëtare.
Si rezultat i efekteve anësore të vaksinimit kundër COVID-19, krahas personave të moshës së shtyrë tani janë duke vdekur persona kryesisht të moshës së mesme dhe të rinj dhe atë papritmas po hasen të vdekur kudo, në shtëpi, në banesë, në oborr, në rrugë, në zyre, në ballkon, në xhami, në kishë, në park, në aeroplan, në autobus, në veturë, në bregdet, në fushë sportive, etj., e cila dukuri si e tillë gjer tani nuk është shënuar kurrë më parë në histori.
Personat që po vdesin papritmas, kryesisht po përjetojnë, sulm në zemër, sulm në tru, pneumoni, mpiksje gjaku, trombozë, e tjerë, si pasojë e efekteve anësore të shfaqura pas vaksinimit të qytetarëve të Kosovës me vaksinën mRNA kundër korona virusit COVID-19. Përveç vdekjeve papritmas po shënohen mijëra raste të qytetarëve që iu janë shfaqur sëmundje të ndryshme, prej atyre më të rënda, sikurse është kanceri, e gjer te më të lehta sikurse është demencia( harresa).

Në fund do të shtoja se Zoti e ka krijuar përveç tjerash edhe planetin tonë, Tokën, në formën më të bukur dhe më të përkryer, me qëllim që tek civilizimi njerëzor të dominojë e mira mbi të keqen. Për këtë arsye çdoherë ka pas, ka dhe do të ketë individ të vetëdijshëm, të arsyeshëm, të logjikshëm dhe të guximshëm, qofshin ata edhe në grupe të vogla të cilët me urtësi, mençuri dhe me guxim veprojnë me qëllim të vetëdijesimit dhe gjetjes së zgjidhjes për një të ardhme më të ndritur për civilizimin njerëzor në këtë planet tonë të bukur, Tokë”.

Në parathënien e librit recensenti i parë i këtij libri, Dr. Eqrem Raba ka shkruar: “Të dalësh nga Matrixi është sfidë, mirëpo të ballafaqohesh me shumicën dërmuese brenda Matrixit nuk jep garanci që njerëzit do të zgjohen dhe lirojnë veten nga ato të pavërteta, përkundër kësaj të shpërblejnë me etiketime nga më të ndryshme.
Saga e Covidit-19 formalisht kaloi, mirëpo la pasoja të thella, të cilat janë të mistershme në një te ardhme te pacaktuar, mbase të gjatë, do të jemi dëshmitar të pasojave të shumta. Kjo na mësoi që shumica dërmuese e njerëzve në glob janë vënë në gjumë nga globalistët, mirëpo fatmirësisht jo të gjithë. I tillë është autori i këtij libri, mendjendrituri Av. Faik Miftari. Për mua që e njoh personalisht them me bindje të thellë dhe me një lehtësi bindëse se shkaku i kauzës së drejtë te Faiku, motivi është universal, që në fakt është produkt i intelektit të thellë dhe gjendjes së tij shpirtërore. Si njohës i mirë i gjeopolitikës dhe ngjarjeve në botë, njohësit e kësaj fushe e dinë, se ata që dinë më shumë janë edhe më të brengosur, mirëpo autori, Av. Faik Miftari në mënyre të vazhdueshme rrezaton një qetësi dhe kuptohet brengosja e tij asnjëherë nuk është shndërruar në mllef. Kjo është dëshmi absolute që pikënisja e motivit të tij, për tu renditur me të drejtët është përtej motiveve private dhe në aspektin intelektual është duke u dalluar nga të tjerët.
Edhe pse në këtë kauzë ai përkrah vetes ka shokë, miqtë dhe bashkëmendimtar të cilët ndajnë të njëjtat pikëpamje, mirëpo për dallim nga miqtë, shokët dhe bashkëmendimtar e tij të kauzës së drejtë, edhe pse në moshë të shtyrë, gjeti motiv, kohë dhe vullnet që këtë komplot kundër civilizimit njerëzor pas shume shkrimeve të botuara në portale dhe rrjete sociale, t’i grumbullojë dhe t’i dokumentojë në këtë libër. Jo kotë s’është thënë, i mirë është ai që bënë mirë për familjen e vetë, ndërsa më i miri i të mirëve është ai i cili është i mirë dhe i dobishëm edhe për shoqërinë dhe mbarë njerëzimin në përgjithësi, i tillë pa mëdyshje është autori i këtij libri, Av. Faik Miftari.
Për këtë komplot mund të flas gjerë e gjatë, mirëpo këtu në parathënie unë do të përmbahem, sepse faqet vijuese të këtij libri do të shpalosin fakte, dëshmi dhe të vërtetën e këtij komploti. Prandaj i sugjerojë lexuesve të librit ta lexojnë me shumë vëmendje.Autori, Av. Faik Miftari si njohës i diturisë pa më të voglin dyshim, diturinë ja atribuon Zotit – Krijuesit të Gjithësisë”.

Në pasthënien e librit recensenti i dytë, Mr. Visar Zeka ka shkruar: “Autori, Av. Faik Miftari nëpërmjet shkrimeve të përmbledhura në këtë libër ka bërë një përvijim të shkëlqyeshëm të kronologjisë së asaj që u quajt COVID-19, masave drakoniane që u morën për të shpëtuar jetë njerëzish, dhe dëmeve të ndjeshme shkaktuar popullatës vendase e më gjerë. Shkrimet prekin aspektin kushtetues, ligjor, politik, mediatik, shëndetësor, social dhe atë shoqëror, të pandemisë së korona virusit të ashtuquajtur COVID-19. Përmbledhja e vyeshme e shkrimeve vjen në një kohë kur në vendin tonë akoma mbretëron një heshtje në sferën publike, mediatike, mjekësore e shoqërore rreth viktimave dhe dëmeve tashmë shkencërisht të dëshmuara si pasojë e efekteve anësore të shkaktuara nga vaksinimi masiv kundër COVID-19.

Në mars të vitit 2020, pushtetarët, politikanët, mediat, dhe personeli shëndetësor, te ne, sikurse edhe në botë, në mënyrë të orkestruar dhe të sinkronizuar frikës i injektuan steroide, e amplifikuan atë në përmasa të papara gjer më tani dhe e përhapen atë në një mënyrë aq masive sa s’mbahet mend të ketë ndodhur ndonjëherë. Na propagandohej pareshtur se gjoja ky virus do të na shfaroste të gjithëve pa dallim që në kontaktin e parë me të. Fill pasuan masat më çnjerëzore dhe reagimet institucionale më të çmendura që dikush mund t’i imagjinonte ndonjëherë. Dora e shtetit mbylli dhunshëm tërë popullatën me muaj, paralizoi thuajse çdo sektor, posaçërisht atë më jetik, shërbimet mjekësore në ambulanca e spitale. Popullata u urdhërua, pa u bazuar në asnjë studim shkencor, pa u thirrur tek asnjë protokoll i mëparshëm shëndetësor, të qëndronin hermetikisht të mbyllur, të karantinuar, të izoluar rreptësishtë nga njëri-tjetri, të mbanin distanca irracionale me të tjerët, të jetonin të frikësuar, të mbanin maska e dorëza gjatë gjithë kohës, t’i spërkatnin çmendurisht orë e çast duart, trupin, orenditë shtëpiake me dezinfektues, e me ankth t’i përcillnin tërë kohën lajmet ditore ku s’raportohej thuajse gjë pos shifrave të vdekjeve nga COVID-19. Pra, tërthorazi na thuhej të hiqnim dorë nga gjithçka normale e njerëzore teksa elitat globale po bënin përpjekje të mëdha të instalonin mendësinë e “normales së re”, e nënkuptuar gjoja si dekadë e viruseve dhe pandemive edhe më të shpeshta e më të rrezikshme që do të ndodhin kinse në një të ardhme të afërt.

Diktatet mjekësore që rëndonin mbi ne të shëndetshmit na thuhej se ishin vetëm për të mirën tonë, mirëpo kjo nënkuptonte se, teksa synohej t’iu shpëtohej jeta një pjese të popullatës, asaj më të ndjeshmes, pjesa më e madhe e shëndetshme të pësonte si më keq pa u vërejtur fare pikërisht për shkak të masave të rrepta. Kthimi i jetës normale, liria jonë e lëvizjes dhe e qarkullimit na u kushtëzua atëherë kur kompanitë e mëdha të farmakomafisë nëpërmes qeverive na e dhanë falas, ndërsa atyre i paguan paraprakisht, por gjithnjë nën kërcënim dhe imponim, serumin (vaksinën) e tyre shkencërisht të pa testuar për qëllime profilaktike e imunizuese. Popullatës në sy iu tha se vaksinat nuk sjellin imunitet, ai ishte rezervuar vetëm për farmakomafinë kundrejt përgjegjësive ligjore. Siç thoshte me të drejtë avokati gjerman, Reiner Fuellmich: “Vaksina nuk u soll për covidin por covidi u soll për vaksina. Pasi ta kuptosh këtë, çdo gjë tjetër do të ketë kuptim”.

Ndonëse institucionalishtë e heshtur, kjo temë, megjithatë, te masat e gjera ka zgjuar çdo herë e më shumë interesim e kureshtje. Kjo përmbledhje shkrimesh me plot të dhëna do të jetë gjithsesi e mirëseardhur për lexuesit e profileve të ndryshme për ta parë më qartë realitetin e tërë asaj çfarë ndodhi me atë që tashmë njihet si COVID-19”.

Libri përmbyllet me përkthimin e punimit të shkruar nga Akademik Ferid Muhiqi i cili përveç tjerash ka theksuar:
” Tani çdo gjë është e qartë! Në pyetje është një lojë e madhe. Më e madhja në historinë e njerëzimit. Marrja e pushtetit total. Sundimtari i padukshëm, COVID-19, në fakt është instrument në duart e sundimtarit të dukshëm, por të fshehur. Zoti i fshehur sot është pushteti politik. Në vend të konceptit të shoqërisë si bashkësi e individëve të lirë, në skenë po shfaqet koncepti i shteteve totalitare. Historia e përparimit të lirisë, ka përfunduar.

Ideja e shoqërisë në të cilin sjellja e çdo individit do të jetë e kontrolluar nga një qendër dhe e harmonizuar me kërkesat e saj, ka fokusuar me mijëra vjet imagjinatën e shumë filozofëve dhe shkrimtarëve të shquar. Projekti i cili tani është në veprim, është konceptuar teorikisht gjatë viteve 1948-1974, ndërsa realizimi i tij ka hyrë tani në fazën kritike. Ekonomistët dhe ekspertët e bursave në gjithë këtë veprim shohin humbje të mëdha. Dhe kanë të drejtë. Atë që ata nuk shohin, është se këtë e dinë oligarkët politik dhe financiar. Por humbja e tillë është e përfshirë në kuadër të realizimit të qëllimit të vërtetë të tyre, vendosjen e regjimit totalitar global, të cilën do ta zbatojnë në mënyrë rigoroze elitat lokale politike në të gjitha shtete, sipas direktivave të Organizatës Botërore Shëndetësore (OBSH), dhe në përputhje me qendrat teozofike të inspirimit të fuqisë botërore financiare. Implementimi i dëgjueshmërisë së verbër dhe të pakundërshtueshme, si virtyte dhe obligime më të larta qytetare, në vend të të drejtave dhe lirive qytetare të gjertanishme është prova gjenerale e diktaturës shtetërore globale drejt themelimit të Rendit të ri botëror, nga i cili kurrë nuk është hequr dorë. Fragmentimi i qytetarëve gjer te niveli i izolimit dhe desocializimit ( me imponim të distancës sociale, e cila drejtpërdrejtë është kundër natyrës së njeriut për nevojën e tij për shoqërim), ndalimi i tubimeve dhe protestave masive, gjer te aplikimi kundërligjor i gjendjes së jashtëzakonshme. Qëllimi është i qartë: të larguarit nga koka të çdo rezistence të organizuar kundër pushtetit dhe futja e idealit të dëgjuesit të stërvitur, në vend të idealit të individit të lirë, dinjitetit dhe integritetit individual, njëherë e përgjithmonë.
Nga qenie shoqërore, njeriu po bëhet qenie e vetmuar, nga qenie shpirtërisht e lirë, në qenie të robit shpirtëror. Po minohet vet themeli i shoqërisë, komponentja emocionale!
Besnikëria, lojaliteti, miqësia! Dhe dashuria! Dashuria si eros dhe si e pafundme! Nuk mundesh të fitosh miqësi në distancë, nuk mund të dashurosh onlajn! Askush më nuk do të dijë se çfarë do të thotë të vritesh për mikun, dhe as të dashurosh gjer në varr! Burimi më i fuqishëm i rezistencës njerëzore ndaj pushtetit, është mendimi kritik, që fiton fuqi nga vlerat morale të shoqërisë dhe lidhshmërisë emocionale njerëzore, me këtë projekt është varrosur. Statuja e lirisë, është rrënuar! Lojaliteti perfid i çoroditur abstrakt i shtetit, bazuar në frikën për jetën e vet, ka zëvendësuar vetëdijen kritike të individit të pavarur me integritet moral”.

P.S. Të gjithë lexuesit që librin dëshirojnë ta kenë në duart e tyre, mund të drejtohen autorit, i cili librin do t’ua dërgojë sipas porosisë me postë të shpejtë në vendbanimin në të cilin jetojnë në Kosovë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne