Bushati: Ata që mendojnë se Maqedonia mund të qeveriset pa shqiptarët, kanë frikë nga vlerat

“Shqiptarët në Maqedoni janë qartazi faktor përcaktues për stabilitetin demokratik ardhmërinë euro-atlantike të Maqedonisë”, deklaron kryediplomati shqiptar, Ditmir Bushati lidhur me situatën atje.

Ministri i jashtëm thekson se ”Shqiptarët në Maqedoni, si një popullsi shtet-formuese, janë qartazi faktor përcaktues për stabilitetin demokratik dhe ardhmërinë euro-atlantike të Maqedonisë. Nuk do të rreshtim së theksuari nevojën e zhvillimit të shqiptarëve kudo ata jetojnë, në respekt të asaj që u takon”.

Sipas tij, pjesëmarrja e faktorit shqiptar në proceset demokratike do të forcojë shtetin maqedonas.

“E kemi inkurajuar vijimësisht faktorin shqiptar kudo ku jeton, përfshirë në Maqedoni për të luajtur rol konstruktiv dhe për të marrë pjesë aktivisht në proceset demokratike, duke adresuar shqetësimet e tyre në rrugë institucionale. Ata që mendojnë se Maqedonia mund të qeveriset pa shqiptarët kanë frikë nga barazia sociale, shteti i së drejtës dhe nga vlerat e parimet evropiane”, nënvizon ministri Bushati.

Nga ana tjetër,  “Mos kini frikë nga gjuha e Nënë Terezës. Shqiptar përjetë. Jam krenar që jam shqiptar. Më këto mbishkrime në pankartat e tyre, një grup të rinjsh anëtarë të “Klubi i patriotëve të rinj të PDIU-së” protestuan para ambasadës së Maqedonisë në Tiranë në mbështetje të shqiptarëve në Maqedoni.

Politika të bëhet bashkë në mbështetje të shqiptarëve të Maqedonisë ishte apeli i deputetes së PDIU, Mesila Doda.

…Gjithë politikanët të të gjithë krahëve, të Shqipërisë, të Kosovës, të ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, duhet të bëhen të gjithë bashkë për të mbajtur vëllezërit e tyre që sot janë pa të drejta që duhet t’i kishin që pas marrëveshjes së Ohrit. Mos kini frikë! Ne jemi një komb, kemi një atdhe…

Vijnë këto reagimi të politës shqiptare këtu në Shqipëri pasi presidenti maqedonas Ivanov nuk pranoi të mandatonte liderin e LSDM-së Zoran Zaev të formonte qeverinë për shkak të marrëveshjes së tij me partitë shqiptare në Maqedoni./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne