Buxheti 2024 mund të votohet pa debat, zbulohet plani i PS nëse opozita bllokon Parlamentin

Projektbuxheti i 2024-ës rrezikon të miratohet në parim të hënën pa diskutime nëse opozita do të bllokojë sallën e seancave plenare. Të hënën e 20 nëntorit në orën 10, parlamenti do të mblidhet në seancën dedikuar projektbuxhetit në parim për vitin e ardhshëm. Në kushtet kur opozitarët kanë paralajmëruar një seancë jo normale, mazhoranca ka gati planin B për të vënë në zbatim.

Burime për Euronews bëjnë me dije se nëse demokratët do të veprojnë me të njëjtin skenar, atë të mos realizimit të diskutimeve në sallën plenare dhe bllokimin e saj, atëherë kryetarja e kuvendit do të kalojë automatikisht në votimin e projektbuxhetit, veprim i cili është ndjekur gjatë seancave të fundit, ku janë miratuar ligje pa diskutime.

Nëse opozita do të përshkallëzojë më tepër aksionin e saj duke mos lejuar as procesin e votimit të projektbuxhetit, atëherë do të pritet një vendim i momentit i konferencës së kryetarëve. Seanca e ditës së hënë parashikohet të vijojë edhe ditën e martë, por zhvillimi i saj do të jetë në varësi të asaj çfarë do të prodhohet më 20 nëntor./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne