Çështja e Gërdecit/ Mediu: Prokuroria të provojë përgjegjësinë e ministrit! Të pyetet edhe ish-shefi i shtabit

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu ka folur për mediat lidhur me dosjen e Gërdecit, ku ai është nën hetim. Nga ambientet e jashtme të GJKKO, Mediu tha për mediat se dëshmitarët u thirrën formalisht, ndërsa deklaroi se prokuroria duhet të provojë përgjegjësinë e ministrit. “Dua të theksoj se ashtu siç u procedua me pjesën më të madhe të dëshmitarëve që u sollën formalisht edhe sot në paraqitjen e provave shkresore, prokuroria bie atë volum shkresash pa përcaktuar qartë përgjegjësitë e ministrit në shpërdorimin e detyrës.

U tha se ishte salduar një karrocë. Ne i kërkuam prokurorisë që të na thotë ekzaktësisht se ku është përgjegjësia e ministrit në kuadër të shpërdorimit të detyrës. Nëse ky debat nuk zhvillohet rreth përgjegjësive të ministrit, por do të vazhdojë një debat pa hyrë në thelb të së vërtetës, mendoj se është një proces që të kalohet te procesi i radhës. E shikoj si një nxitim ta mbarojmë sa më shpejt. Por në duhet të shtrojmë faktet: Çfarë ka bërë ministri, kë ligj ka shkelur ministri? Duhet parë në atë analizë të fakteve në gjykatë që nxjerr të vërtetën.

Se çfarë ka ndodhur në Gërdec, njerëzit e dinë, se çfarë ka bërë ministri, atë duhet të faktojnë”, tha ndër të tjera Mediu, i cili theksoi se “unë duhet të analizoj ekspertizën e amerikanëve”. Po ashtu, Mediu u shpreh se duhet te pyetet edhe Shefi i Shtabit: “Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm duhet të japë versionin e tij. Nuk është e vështirë që të gjendet adresa e tij në SHBA.”/AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne