Sadri Ramabaja
Ju ngjatë jeta burra, motra dhe vëllezër,
Para një viti pasi që ishim konsultuar bashkë me Veselin, përveç tjerash, pata tërheq një paralele mes daljes në skenë të UÇK-së dhe daljes në skenë të Lëvizjes së Deçanit, dhe nëse UÇK-ja po e fillonte një revolucion të mirëfilltë për t’i dërguar atje ku e kanë vendin pushtuesit serb, Lëvizja e Deçanit (në vijim: LD) si feniks po rikthehej në histori dhe po fillonte një revolucion kulturor të përmasave të jashtëzakonshme, frytet e të cilës pas dy viteve janë të qarta.
Më lejoni që me këtë rast të lexoj një kumtesë prej dy faqesh të cilën e titullova “Lëvizja e Deçanit dhe rikthimi i shqiptarëve drejt civilizimit perëndimorë”, është ky një vështrim më tepër politik, sepse unë jam i specializuar më shumë në këtë drejtim, në fushën e politikës dhe gjeopolitikës, por që ka një mesazh që prekë sferën e mendimit politik dhe kulturor. Këtë vit Mischael Sandem, një filozof me ndikim në filozofinë bashkëkohore, të cilit iu dha çmimi (Bergroom, kështu e ka shqiptuar) në politikë dhe kulturë që jepet çdo vit në SHBA për të nderuar mendimtarë që kanë ndikuar, se si njerëzimi ta kuptojë veten dhe botën. Dhe, në një fjalë rasti që e ka mbajtur, ai thotë; filozofia nuk është një luks akademik, por një mjet për të kuptuar vlerat që na lidhin si njerëz dhe si qytetarë, dhe në një epokë të polarizuar ne kemi nevojë të kuptojmë se debati moral është thelbi i demokracisë, e jo kërcënimi i saj.
Pse këtë citat e vura në krye të kumtesës, sepse LD unë e shoh ekskluzivisht si një platformë të revolucionit kulturor dhe politik së bashku. LD këtë raport të lëvizjes politike me vlera që lidhin interesat tona kombëtare me civilizimin që i përkasim, jam i prirë ta shoh si një platformë politike që po mundëson hapjen e debatit në shoqërinë tonë mbi moralin, si themelin e demokracisë si dhe maturimin kulturor dhe politik të kombit tonë në prag të rirreshtimeve të reja gjeopolitike.
Nga besimi te përkatësia kulturore në fillim shekullin 20-të, në një Ballkan që po dilte nga epoka Osmane dhe po hynte në orbitën e nacionalizmave të rinj, shqiptarët u përballën me një dilemë të thellë kulturore, si të ruanin identitetin kombëtar pa humbur nga ndarjet fetare që Perandoria osmane i kishte lënë pas. Në këtë sfond LD shfaqet si një përpjekje e guximshme për ta rivendosur kombin shqiptar në shtratin e tij natyror perëndimorë përmes rikthimit në krishterim, si simbol kulturor e shpirtëror, jo domosdoshmërisht si paradigmë fetare.
Do të duheshin disa dekada që kjo ide të rilindte sërish në Deçan, sepse, më duhet ta pohoj një të vërtetë historike, emri LD ishte një lëvizje e viteve të para të shekullit 20-të, dhe kjo është edhe një arsye për t’iu përgëzuar për këtë emër të ringjallur e që ishte edhe në konceptin e Gjergj Fishtës.
Konteksti historik mes Perandorisë osmane dhe shteteve tjera, ku pas rënies së pushtetit osman dhe krijimit të shteteve të reja ballkanike, shqiptarët u gjenden mes dy botëve civilizuese, asaj lindore islame, dhe asaj perëndimore kristiane. Në këtë udhëkryq elitat e Deçanit, Gjakovës e Pejës, po flas për decenien e parë dhe të dytë të shek. 20-të, të lidhura shpesh me traditën françeskane dhe katolike të Shkodrës, dhe sërish në fillet e dekadës së tetë, rikthehet dhe ringjallët tradita e bollshme të cilën Gj. Fishta ynë i madh e cilësonte si një akt që do t’i ndihmonte popullit tonë që të ri-gjenin burimin e shpirtit të vet evropian. Citim nga Hylli i dritës 1913.
PËRMBAJTJA DHE OBJEKTIVAT E LËVIZJE SË DEÇANIT
(në mënyrë telegrafike do t’i përmendi disa çaste historike)
Lëvizja aktuale e Deçanit ka një karakter të dyfishtë; fetar dhe kulturor
Në planin fetar ajo kërkon rikthimin vullnetarë të shqiptarëve të islamizuar në të krishterë, si një akt i lidhjes me traditën e hershme iliro-arbërore, ndërkaq në planin kulturor, ajo përfaqëson çlirimin e vetëdijes shpirtërore nga ndikimet orientale dhe afirmimin e identitetit perëndimorë si bazë për modernizimin e kombit tonë.
Lëvizja para-rendëse në fillim të shek. 20-të, në dokumentet e kohës, sidomos i gjeni te Revista Leka, e vitit 1933 në arkivin e Shkodrës, ky proces pra shihet si pjesë e evropianizimit shpirtëror të shqiptarëve, një term që përfshinte arsimin laik, kulturë qytetare dhe rikthimin e moralit humanist.
Mbi këto baza duhet të ngritet edhe lëvizja e re e Deçanit sot.
PËRMASAT STRATEGJIKE TË KËTIJ AKTI
Ky ndikim ka veprime që tejkalojnë fushën fetare, në planin kombëtar LD kontribuon në ndërtimin e një identiteti unitar përtej ndasive konfesionale, ajo afirmon faktin se shqiptarët mund të bazohen mbi vlera të përbashkëta civilizuese, jo ekskluzivisht mbi paradigmat fetare. Në planin kulturor ajo, besoj se që tani ka filluar të shndërrohet në një kundërpeshë ndaj ndikimeve të islamit politik, duke afirmuar modelin e arsimit perëndimorë, të emancipimit dhe shtetit laik. Ndërkaq në planin gjeopolitik ajo do të forcojë edhe më ndjeshëm orientimin e qartë euro-perëndimorë të kombit tonë në rirreshtimet e pritshme gjeopolitike në këtë akshol të rendit të ri botëror.
Në thelb, LD nuk është pra, thjeshtë rikthim në fenë e të parëve, por një strategji e vetëdijshme e civilizimit politik shqiptar. Kështu duhet kuptuar këtë. Pra, një lloj revolucioni përmes kulturës dhe besimit, dhe ju e dëshmuat sot këtu me këngët që i shfaqet, prandaj LD meriton mbështetje të fuqishme, dhe këtë mbështetje do ta ketë edhe prej meje.
LËVIZJA E DEÇANIT SI KOD CIVILIZUES
Sot LD duhet parë si akt i madh simbolik i përpjekjes për të rikthyer shqiptarët në origjinën e tyre perëndimore, jo në kuptimin, siç thash ekskluzivisht të paradigmës fetare, por si pohim i vlerave universale të qytetërimit evropian. E tha historiani, ato vlera ne ia kemi dhënë Evropës, ata nuk na i kanë dhënë ato neve, dhe në këtë pikëpamje, në themel të këtyre vlerave dhe qytetërimit është dinjiteti i njeriut, arsimi, racionalizmi dhe liria.
Në këtë kuptim ajo i paraprinë një procesi që do përmbyllet me krijimin, sipas pikëpamjes time, federatës shqiptare dhe rikthimit të plotë të kombit në familjen euro-perëndimore. Shih për këtë LD do të mbetet një kod moral e kulturor që e lidhë kombin shqiptar me Evropën, në rrënjë, jo në imitim.















