Dashamir Shehi kundër paktit PS-PD për kodin zgjedhor, i drejtohet Kushtetueses: Lista të hapura!

Kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi përmes përfaqësuesit ligjor ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese një padi kundër ndryshimeve  të fundit në Kodin Zgjedhor.

Në kërkesën e depozituar në Kushtetuese thuhet se lista e kandidatëve për deputetë duhet t’i nënshtrohet vullnetit të qytetarëve dhe jo vullnetit të kryetarëve dhe ato sipas tij duhet të jenë të hapura.

Partitë e vogla kundërshtojnë paktin “PS-PD” me Grupin e Dialogut Gjiknuri-Bylykbashi, për mbylljen e listave në 1/3 e tyre, dhe hapjen e 2/3-ve, duke kërkuar shfuqizimin e këtij neni.

Rezart Kthupi teksa dilte nga Gjykata Kushtetuese tha para mediave se e ka dorëzuar padinë në emër të partisë së Shehit, pasi partitë e vogla opozitare kanë mendime të ndryshme juridike dhe vendosën që paditë t’i bëjnë të veçanta.

“Nga momenti i hyrjes në fuqi jemi përpjekur të adresojmë në mënyrë të përbashkët problematikën, duke pasur parasysh që mendimet juridike janë të ndryshme, kemi vendosur që secili të bëjë padi të veçantë”, tha Kthupi.

Edhe vetë Dashamir Shehi, ndarjen e listave më 1/3 të mbyllur dhe 2/3 me votë preferenciale, Shehi e ka komentuar si një version të ri të ndryshimeve të Kodit Zgjedhor të vitit 2008.

Kjo sepse sipas tij, ky ligj i ri privilegjon në mënyrë të pamoralshme partinë që sot qeveris dhe ju jep mundësi të abuzojnë edhe me votat.

“Ne duam të kthehemi në rekomandimin e Gjykatës Kushtetuese për t’u hapur listat. Veç nesh, janë edhe disa parti që duan lista të hapura. Kushtetuta vetë e hoqi herësin. Ne kërkojmë që partitë që kanë dëshirë të hapin listat, të kenë mundësi të garojnë me lista të hapura.Kjo është mundësi që Kushtetusja të tregojë indipedencën nga institucionet politike.” –u shpreh kreu i LZHK.

I pyetur nëse do të garoj në zgjedhjet e vitit 2025, edhe nëse padia e tij rrëzohet, Dashamir Shehi deklaroi se për të përmbushur detyrimin e tij moral dhe zgjedhor ndaj qytetarëve që i kanë besuar votën, do duhet të garojë gjithsesi.

“Ne do hyjmë edhe me një ligj më të keq se ky, është detyrim ndaj zgjedhësve. Në garë do hyjmë patjetër sepse pretendojmë të krijojmë një alternativë tjetër”, tha Shehi./Gijotina

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne