Milazim Krasniqi
Dashuria bashkon, urrejtja përçan. Ndërsa dashuria ndaj Zotit, i jep kuptim dhe bukuri jetës sonë/
Pothuajse çdo ditë më ndodhë të shoh fytyra njerëzish që duken të zemëruar, që shikojnë me inat, disa edhe me urrejtje. Duken si fytyra të torturuara nga vuajtja, ndërsa më të shumtën janë të veshur mirë, të ushqyer mirë. Sa herë që i shoh e i shoh shpesh këto fytyra në Prishtinë, më kujtohet pasazhi antologjik i prozës së Muhamed Asadit nga libri i tij autobiografik “Rruga për në Mekë.” Ai e ka përshkruar një ndodhi të ngjashme në vitin 1926, e cila është bërë shkas që ai ta pranonte Islamin dhe nga Leopold Veis të bëhej Muhamed Asad. Përshkrimi i tij është aq i bukur, sa që nuk kam asnjë shans ta përshkruaj me bukurinë dhe dramaticitetin që ka tregimi i tij. Vetëm po e skicoj shkurt: në metron e Berlinit, ai shikon një burrë që ishte i veshur mirë, me një valixhe të bukur, me unazë me diamante, por që fytyra i dukej se po vuante shumë, dukej i brengosur, i mërzitur. Pastaj Leopoldi (ishte ende Leopold) vëzhgon edhe fytyra të tjera në metro atë ditë dhe të gjitha i duken fytyra që po përejtojnë tortura. E pyet të shoqen, Elsen, e cila ishte piktore. Ajo, pas një vëzhgimi, i thotë: “Ata të gjithë kanë pamje sikur po vuajnë torturat e ferrit. Çudi, po ata vetë a e dinë se ç’po u ndodhë” (f.513) Kur kthehen në shtëpi, ai shikon Kuranin, të cilin e kishte lënë të hapur në tryezë, syri i zë këto këto ajete: Juve ua ha shpirtin lakmia gjithnje e më tepër/ Deri sa ju të shkoni në varret tuaja/ Kurrsesi, por ju keni për ta mësuar/ (…) Dhe atë ditë do të pyeteni se ç’keni bërë me begatitë e jetës? (f.514) Përvoja e tij personale është unike, pas atij episodi ai e pranon Islamin. Ndërsa mesazhi i tij është përtej përvojës personale: njerëzit mosmirënjohës ndaj Zotit, i gëzojnë begatitë e jetës, pa qenë mirënjohës. Për atë arsye, në vend se të jenë të kënaqur, ata janë të brengosur, të vuajtur. Kaq shumë këso fytyrash shoh në Prishtinë, sa nuk mund të jetë impresion. E kam bindje se kushdo që është mosmirënjohës ndaj Zotit, për begatitë që Zoti ia ka dhënë, ndihet i pangopur, i mërzitur, i torturuar dhe ka shumë vner e urrejtje ndaj të tjerëve. P.S. Meqë jemi në prg festash, duhet të ofrojmë më shumë dashuri dhe ta frenojmë urrejtjen. Dashuria bashkon, urrejtja përçan. Ndërsa dashuria ndaj Zotit, i jep kuptim dhe bukuri jetës sonë./fb

















