Dashuria Platonike!

Nga: Faik Miftari

Ishin vitet e tetëdhjeta, periudha kohore e socializmit në Kosovën e atëhershme autonome në kuadër të ish Jugosllavisë vetëqeverisëse. Si sot më kujtohet, pas gati plot katërdhjetë vitesh të kaluara, gjatë së cilës isha student, kujtimet nga një pushim veror të kaluar në mes dy viteve akademike studentore. Sapo e pata përfunduar afatin e qershorit të provimeve me sukses, me ç’rast e fitova kushtin për t’u regjistruar në vitin vijues akademik, pas së cilës vendosa t’ia jap vetes një pushim, në atë mënyrë që gjatë asaj vere, në muajin korrik kalova disa ditë të pushimeve verore, përveç tjerash edhe në det.

Në atë kohë i kishim tre opsione të mundshme për të shkuar në det për pushime verore. Opsioni i parë ishte Ulqini, ku kryesisht shqiptarët shkonim për të kaluar pushimet verore në bregdetin Adriatik, me ç’rast në njërën anë ishte qyteti i vetmi bregdetar në atë kohë me shumicë shqiptare, ndërsa në anën tjetër nëpërmes turizmit shqiptarët nga të gjitha trojet shqiptare në ish Jugosllavi kontribuonin edhe zhvillimit ekonomik të këtij qyteti të vetmi bregdetar me popullatë shumicë shqiptare në ish Jugosllavi. Opsioni i dytë ishte Greqia, në të cilin shkonin një numër i konsiderueshëm qytetarësh për të kaluar pushimet verore në det, dhe opsioni i tretë ishte Turqia, në të cilin në një masë më të vogël qytetarët shkonin për pushime verore në det për shkak të largësisë më të madhe gjeografike. Për ne, në atë kohë bregdeti shqiptar i Shqipërisë ishte një tabu dhe një zonë e ndaluar, pasi kufiri ishte pothuajse hermetikisht i mbyllur dhe rrallë ndonjë qytetarë mund të kalonte dhe atë me shumë mundime dhe kushtëzime.

Ishte hera e parë në jetën time që shkova në det për të kaluar disa ditë të pushimeve verore në Turqi, pasi kisha dëshirë të vizitojë edhe një shokë atje që ishte me prejardhje nga Prizreni. Barriera gjuhësore nuk ishte problem në Turqi, pasi që ne nga Prizreni që jemi, përveç tjera flasim dhe njohim gjuhën turke. Gjatë vizitës në Turqi, përveç tjerash një javë qëndrova edhe në detin Marmara, në rivierën bregdetare të qytetit të Jallovës.

Dua të ceki edhe një detaj me rëndësi në atë kohë gjatë studimeve, i cili më ndihmoi që të kalojë disa ditë pushimi pran bregdetit Marmara në Turqi. Ne studentët që ishim në atë kohë, kryesisht merrnim bursë ose kredi nga fabrikat apo institucionet publike, e ata që ishin më të zhdërvjelltë merrnin edhe bursë edhe kredi, njëri prej tyre isha edhe unë, të cilët pas kryerjes së studimeve i kthenim bursat dhe kreditë gjatë punësimit ose na faleshin. E veçanta e kësaj ishte, gjatë asaj kohe, bursat dhe kredit për tre muajt e parë, tetor, nëntor dhe dhjetor të vitit akademik, i merrnim tog së bashku, me ç’rast grumbullohej një shumë e konsiderueshme parash, të cilët zakonisht i shpenzoja çdo vit në blerjen e librave të ndryshme, përveç atyre profesionale, për të pasuruar fondin e bibliotekës shtëpiake. Por atë vit, parat e grumbulluara i këmbeva në valutë të huaj, marka gjermane, dhe i ruajta ato për të shkuar në vizitë në Turqi, dhe për të kaluar edhe disa ditë pushimi veror në det.

Isha në atë kohë në moshën 22 vjeçare, mosha në të cilin përveç studimeve, i riu ballafaqohet edhe me çastet e përjetuara të ndjenjave të dashurisë. Dashuria si e tillë është e llojllojshme: dashuria platonike, dashuria e çastit, dashuria në shikim të parë, dashuria e verbër, dashuria që nuk njeh kufi, dashuria e parealizuar, dashuria e realizuar, etj. Por mbi të gjitha më e veçanta e dashurisë është kombinimi fatal i dashurisë së verbër dhe dashurisë së parealizuar e cila shkakton vuajtje shpirtërore të përhershme si një rrufe që vetëton me një shpejtësi marramendëse me dritë ndriçuese.

Këtu në këtë shkrim do të përshkruaj vetëm njërën prej llojeve të dashurisë, atë të dashurisë platonike të cilin atë vit pata rast të përjetojë, gjatë disa ditëve të pushimeve verore në bregdetin e bukur Marmara të Turqisë. Dashuria platonike daton nga Greqia antike, sipas së cilës “është koncepti i dashurisë i aluduar në doktrinën e filozofit grek Platonit, i cili dashurinë e definon si motiv të përpjekjes së zbulimit të bukurisë, i cili proces fillon nga bukuria fizike dhe vazhdon drejt bukurisë shpirtërore,….”. Me kalimin e kohës, dashuria platonike u shndërrua në përkufizimin e dashurisë së paarritshme.

Dashuria platonike perceptohet edhe si dashuria në distancë, të cilin dashuri e ndien mashkulli ndaj gjinisë së kundërt, femrës, si krijesë më e bukur e kësaj bote, pa pasur rast që këtë dashuri që ndien në zemër i riu të shpreh vajzës së dashuruar, për arsye të ndryshme. Sa isha në det, pata rast të takojë një vajzë e cila së bashku me familjen e saj ishin duke kaluar pushimet verore në atë vend ku ishim edhe ne. Ishte një vajzë e re, ndoshta 18 vjeçare, jo më shumë, por ishte e veçantë. Kishte një shtat mesatar, flokë ngjyrë gështenje, të gjata dhe të drejta, sytë bojë kafe, e tërhequr në vetvete, me fytyrë të kuqërremtë, vetullat të rrafshëta, tipare të cilin vetëm një Zot i madhëruar, atij i kofshim falë, e ka krijuar femrën në formën më të bukur të mundshme, si qenie më e bukur në këtë dynja. Bukuria e femrës është e veçantë, bukuria e saj qëndron jo vetëm në pamje fizike, por edhe në pamjen shpirtërore të saj, për dallim se pamja fizike është e dukshme, ndërsa pamja shpirtërore është e padukshme. Edhe pse në shumicën e rasteve, meshkujt bien në grackën e asaj të dukshmes, bukurisë së femrës, e padukshmja, ajo shpirtërorja e femrës është më e vlefshme dhe jetëgjate, por që për fat të keq nuk mundemi dot ta kuptojmë, pasi që është më vështirë e kapshme dhe perceptueshme.

Në çastin e parë që e pashë atë vajzë simpatike, ndjeva një shqetësim të veçantë ne zemër gjatë asaj periudhe rinore, dhe sa herë që e shihsha, gjatë atyre ditëve të kaluara në det, ajo dukej çdo herë më e ndritshme, si një yll i veçantë që shkëlqente në mesin e yjeve tjerë në qiell gjatë atyre netëve verore. Sytë e mia të kaltra dhe sytë e saja të kafta, paraqitnin një kombinim “per exellent” ngjyrash të një dashurie platonike. Sa herë që e vështroja, ajo e ulte shikimin e saj, ndoshta nga marrja, pasi që marrja ka qenë tipare përcjellëse e gjinisë femërore, por ndoshta edhe pse ishte në prani të familjes së saj. Kjo ishte një dashuri platonike ndaj vajzës së bukur me fytyrë kuqërreme, me flokë të drejta ngjyrë gështenje dhe sytë bojë kafe gjatë disa ditëve të kaluara të pushimeve verore në detin Marmara të Turqisë.

Në përmbyllje të këtij shkrimi, do të theksoja, e veçanta e kësaj dashurie ishte se përfundoi vetëm si dashuri platonike, pasi që po të realizohej kjo dashuri platonike përtej kufijve do të përcillej në praktik me vështirësi të shumta, qoftë të aspektit kulturor, zakonor, largësisë, e besa edhe atij material apo financiar që është një prej elementeve kyç për mbarëvajtjen me sukses të një jete të lumtur të një çifti bashkëshortor.

P.S. Këtë shkrim e shkrova si përgjigje ndaj të gjithë atyre zërave kritike që thonë se “autori a nuk di gjë tjetër të shkruaj, përveç temave të pandemisë dhe vaksinimit”. /GazetaImpakt

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne