Sot është afati i fundit që Presidenti i Republikës mund të shprehet me dekret nëse është pro apo kundër dekretimit të 3 ligjeve shumë të debatueshme: atë për legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore, trajtimin special të studentëve të Mjekësisë dhe ndryshimeve në Ligjin për Akademinë e Shkencave.
Të tre ligjet e miratuara me shumicën e votave të socialistëve në seancën e fundit të sesionit parlamentar kanë prodhuar debate dhe kontestime.
Studentët e Mjekësisë, por edhe opozita, ka kundërshtuar ligjin që i detyron ata që studiojnë për Mjekësi të nënshkruajnë një kontratë me shtetin, ku për 5 vjet do të jenë të detyruar të punojnë “atje ku ka nevojë atdheu”, pasi në të kundërt nuk përfitojnë lehtësirat që parashikohen.
Legalizimi i kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale është një tjetër ligj që ka prodhuar kundërshti dhe Presidentit i ëhstë bërë thirrje jo vetëm nga opozita, por edhe nga shoqëria civile, që të mos dekretojë një nismë të tillë, aq më tepër në kushtet kur Qeveria e ka të pamundur të kontrollojë mbjelljen e kanabisit. Rasti i fundit kur në një prej reparteve elitë të Forcave të Armatosura, u zbulua një parcelë me 125 rrënjë kanabisi, tregon se ccfarë mund të ndodhë nëse legalizohet bima për efekte mjekësore apo industriale.
Gjithashtu Kreut të Shtetit i është kërkuar të mos miratojë ndryshimet në ligjin për Akademinë e Shkencave, duke e konsideruar ligjin një pucc institucional.
Të tre ligjet janë miratuar në seancën e 20 korrikut, ndërsa Presidentit i duhet të shprehet me dekrete është pro apo kundër. Por ka edhe një rrugë të mesme, që Kreu i Shtetit të “heshtë”, ligjet hyjnë në fuqi, dhe Presidenti mund të mos krijojë përplasje me Qeverinë apo mazhorancën socialiste që e përzgjodhi dhe e votoi në postin më të lartë shtetëror.
Dhe kjo nuk do të ishte hera e parë në vitet e fundit kur Presidenti ka kaluar në heshtje nismat apo ligjet e Qeverisë, pavarësisht kundërshtive që kanë prodhuar. Këtë formë kanë aplikuar më parë edhe Bamir Topi, Bujar Nishani (i ndjerë) apo Ilir Meta, që në heshtje kanë lejuar hyrjen në fuqi të ligjeve, duke mos acaruar raportet me Qeveritë, pavarësisht se kujt krahu i përkisnin./Gijotina