Nga Mario Lavia
Meloni po shpërfill ligjin mbi qendrat në Shqipëri, por rrezikon ta pësojë sërish…
Kokëfortësia e kryeministres Giorgia Melonit mbi çështjen e dy qendrave në Shqipëri për mbajtjen e emigrantëve që kërkojnë azil, është një metaforë e shkëlqyer për një grua që po rrëmbehet paksa dhe që mendon se është mbi çdo gjë, madje edhe mbi ligjin por edhe mbi realitetin.
Në mbledhjen e fundit të qeverisë, e cila krijoi përshtypjen se ishte shumë formale dhe me rezultate të paracaktuara, Meloni pretendoi sërish dobinë e qendrave të famshme në Shqipëri për transportin, apo dëbimin e emigrantëve të ndaluar në Itali.
Një strategji që pas vendimit negativ të Gjykatës së Romës, i la kryeministres italiane përshtypjen më të keqe. Tani, thotë qeveria, ne do t’ia nisim sërish nga puna, sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Madje ajo premtoi “zgjidhje inovative” por pa dhënë detaje dhe pa shpjeguar se përse operacioni duhet të nisë funksionojë papritmas.
Ndër të tjera, Georgia Meloni e vuri theksin tek “konsensusi i gjerë që u pa, edhe me rastin e takimit të promovuar së bashku me kryeministrat e Danimarkës dhe Holandës me vendet anëtare më të interesuara për këtë çështje, në kuadër të samitit të fundit të Këshillit Evropian”.
Por nga ana tjetër, ajo e shmangu problemin në sfond, që ka lidhje me vendimin e gjyqtarëve në vlerësimin e konceptit mbi një “vend të sigurt”. Sekretari i partisë “Più Europa”, Riccardo Magi e shpjegoi më mirë këtë qasje.
“Sipas kësaj logjike, qeveria mund të deklarojë që edhe Egjipti është një vend i sigurt, sepse kur Matteo Salvini ishte atje me pushime nuk i ndodhi asgjë. Megjithatë, gjykatat kanë ende fuqinë por edhe detyrimin që të vlerësojnë, nëse një vend është realisht i sigurt për çdo emigrant që mbërrin në Itali për të kërkuar azil, dhe nëse mund të zbatohet procedura e përshpejtuar me paraburgimin e tyre në dy qendrat e ngritura në Shqipëri”- tha ai. Kjo ishte dhe mbetet pika e dobët e qasjes së Georgia Melonit. Ajo ndihet më e fortë pas një vendimi të Gjykatës së Lartë, që po ashtu konfirmoi mundësinë që gjyqtarët të vlerësojnë përgjithësisht sigurinë e vendit të origjinës së emigrantit, dhe të mos e zbatojnë dekretin e qeverisë mbi listën e vendeve që cilësohen të sigurta.
Prandaj, nuk ka ndonjë vlerë të madhe fakti që qeveria italiane harton me dekret listën e saj të vendeve të sigurta, nëse këto nuk përputhen me parametrat e përcaktuar nga jurisprudenca dhe rregulloret evropiane. Sepse duke qenë se është një dispozitë e ligjit kombëtar, dekreti duhet të jetë në përputhje edhe me legjislacionin evropian.
Plani tjetër i qeverisë, i cili është ligjërisht i dobët, ka të bëjë me transferimin e vendimeve nga gjykatat e shkallës së parë tek ato të Apelit, me shpresën e marrjes së vendimeve të favorshme. Kjo masë hyn në fuqi 30 ditë pas hyrjes në fuqi të ligjit, pra në 11 janar të vitit të ardhshëm, ndaj vetëm nga ai moment anija “Libra” do të mund të rikthehet në punë për të transportuar, apo deportuar emigrantët në portin shqiptar të Shëngjinit.
Me sa duket kryeministrja Meloni ka vendosur të ngatërrohet me ligjin derisa të fitojë. Është mënyra e saj tipike për të bërë politikë: të mos dëgjojë, të mos ndërmjetësojë, të mos i sheshojë dallimet. Por vetëm duke bërtitur nga skena e partisë se qendrat në Shqipëri “funksionojnë!”. Tashmë kryeministrja Meloni, rrezikon që rrëshqasë rrezikshëm drejt një deliri plotfuqishmërie, duke e ngatërruar praktikën e një pushteti të përjetuar si absolut, me koincidencën mes vullnetit dhe pushtetit. Kudo që ndodhet, në Atreju apo në Lapland, Meloni po tregon se mund të ecë gjithmonë përpara.
Kjo do të jetë e vlefshme edhe për aleatët e shumicës qeverisëse. Por pastaj janë gjyqtarët dhe Evropa. Këtu qëndron dhe problemi: meqënëse nuk kanë ndryshuar kushtet themelore që shkaktuan dështimin e misionit të parë me qendrat në Shqipëri, Giorgia Meloni rrezikon të dështojë sërish./Pamfleti