Dhjetera mijera demostrues ne Izrael marshojne kunder kryeministrit Benjamin Netanyahu

Dhjetëra mijëra protestues marshuan në autostradën kryesore që të çon drejt Jeruzalemit të shtunën në mbrëmje, në një shfaqje force që synon të bllokojë rishikimin me ligj të kompetencave të drejtuesve të sistemit gjyqësor, nga ana e kryeministrit Benjamin Netanyahu.

Mbërritja e marshuesve e ktheu hyrjen kryesore të qytetit në një det me flamuj izraelitë bardhë e blu, ndërsa ata përfunduan pjesën e fundit të një udhëtimi katër-ditor, prej 70 kilometrash, nga Tel Avivi drejt parlamentit të vendit.

Marshuesit bashkuan forcat me qindra protestues të tjerë që kanë në plan të ngrenë tenda jashtë Knesset-it, siç njihet parlamenti izraelit, në pritje të votimit që mbahet ditën e hënë.

Zoti Netanyahu dhe aleatët e tij të ekstremit të djathtë pretendojnë se rishikimi është i nevojshëm për të frenuar ato që ata thonë se janë kompetenca të tepërta që kanë sot gjyqtarët. Por kritikët e reformës thonë se ligji do të shkatërrojë sistemin e kontrollit e balancës së vendit dhe do ta fusë atë në rrugën e një sulmi autoritar.

Ndryshimet ligjore të propozuara kanë nxitur kritika të ashpra nga drejtuesit e biznesit e shëndetësisë, si dhe një numër në rritje i rezervistëve ushtarakë që kanë thënë se do të ndalojnë paraqitjen për detyrë nëse ligji miratohet, duke ngritur shqetësimin se kjo gjë do të kërcënonte interesat e sigurisë së vendit.

Mbi 100 ish-shefa të lartë të sigurisë, mes tyre komandantë ushtarakë në pension, komisionerë policie dhe krerë të agjencive të zbulimit, iu bashkuan të shtunën thirrjeve kundër ligjit. Mes nënshkruesve ishte edhe Ehud Barak, një ish-kryeministër izraelit.

Pas shtatë muajsh demonstratash, nga më të qëndrueshmet dhe më intensivet që kanë përfshirë ndonjëherë vendin, lëvizja duke se ka arritur një pikë kritike.

Parlamenti pritet të votojë të hënën rreth ligjit që do të pengonte gjyqtarët e Gjykatës së Lartë të rrëzonin vendimet e qeverisë, bazuar në një gjykim të arsyeshëm.

Përkrahësit e ligjit thonë se standardi aktual tek i cili bazohen gjykatësit për të rrëzuar vendimet e qeverisë u jep atyre kompetenca më të mëdha mbi vendimmarrjen, krahasuar me zyrtarët e zgjedhur. Por kritikët thonë se heqja e standardit, i cili përdoret vetëm në raste të rralla, do të lejonte qeverinë të miratonte vendime arbitrare, të bënte emërime ose shkarkime të paligjshme dhe t’i hapte derën korrupsionit.

Në një fjalim të enjten, zoti Netanyahu i cilësoi kritikat ndaj ligjit si absurde edhe pse ne te njejten kohe ai po hetohet per korrupsion dhe shperdorim detyre.

I alarmuar nga masa në rritje e rezervistëve që refuzojnë të shërbejnë, ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant, bëri thirrje për një shtyrje të votimit të së hënës, sipas njoftimeve në mediat izraelite. Mbetet e paqartë nëse të tjerë zyrtarë do t’i bashkohen kësaj thirrjeje./VOA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne