Dhuna në Veri, Gjermania gati për dërgimin e trupave shtesë në Kosovë

Zyrtarë gjermanë të mbrojtjes thanë të premtën se po shqyrtojnë mundësinë të dërgojë trupa shtesë në Kosovë për të përforcuar misionin paqeruajtës të NATO-s pas dhunës dhe tensioneve javëve të fundit në veri të Kosovës.

“Me një kërkesë të koleges sime austriake Klaudia (Tanner), ne po shqyrtojmë nëse mund të rrisim pak angazhimin tonë brenda mandatit aktual (parlamentar) për të lehtësuar Austrinë,” tha ministri i mbrojtjes së Gjermanisë, Boris Pistorius.

NATO-ja vendosi trupa shtesë në Kosovë pas tensioneve që shpërthyen që nga 26 maji në veri të vendit ku grupe protestuesish serbë dolën në rrugë duke kundërshtuar vendosjen në zyra komunale të kryetarëve shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, që u bojkotuan nga partitë politike serbe. Gjatë përleshjeve në fund të muajit maj mbetën të plagosur të paktën 30 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse.

Diplomatët perëndimorë janë vënë në përpjekje që t’i bindin Kosovën dhe Serbinë në uljen e tensioneve duke përmbushur tre kërkesa të Bashkimit Evropian që përfshijnë pezullimin e operacioneve policore, zhvendosjen e kryetarëve të komunave në zyra alternative dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme me pjesëmarrje të pakusht të serbëve të Kosovës.

Diplomatët perëndimorë kanë shprehur shqetësimin për mundësinë e përshkallëzimit të situatës së sigurisë në një kohë kur as Kosova dhe as Serbia nuk kanë ndërmarrë hapa për uljen e tensioneve me gjithë thirrjet e tyre.

I dërguari evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, pas vizitës në Prishitinë e Beograd në përpjekje për të gjetur rrugëdalje nga kriza në veri të Kosovës, tha se takimet me udhëheqësit e dyja vendeve i kanë ndihmuar në qartësimin e hapave të ardhshëm për shtensionimin e situatës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur në favor të mbajtjes së zgjedhjeve të reja dhe uljes së pranisë së njësive të posaçme të policisë në veri, krahas vendosjes së sundimit të ligjit. Ai ka kërkuar nga autoritetet ndërkombëtare garanci që zgjedhjet të mbahen pa trysni nga Beogradi dhe të mos përësëritet rezultati i 23 prillit kur u bojkotuan nga serbët lokal.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç tha se Beogradi i ka përmbushur të gjitha kërkesat e Bashkimit Evropian dhe është i gatshëm të punojë më tej për shtensionimin, e cila sipas tij nuk varet vetëm nga Serbia. Ai ka paralajmëruar se do të kërkojë një seancë emergjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për të ndalur atë që ai e përshkroi një “përndjekje” të serbëve në Kosovë.

Kosova dhe Serbia katër muaj më parë, u pajtuan për një plan të hartuar nga Bashkimi Evropian për t’u dhënë fund armiqësive dhe për të ndihmuar përmirësimin e marrëdhënieve, por tensionet kanë vazhduar dhe palët akuzuan njëra-tjetrën për nxitjen e tyre./VOA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne