Dhunimi për vdekje i Egli Progës, Rama: Policia dhe urgjenca u akuzuan pa prova

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me ngjarjen e rëndë në Pogradec, ku Egli Proga u dhunua për vdekje, si dhe për akuzat në drejtim të Policisë së Shtetit. Rama shprehet se akuzat ndaj policisë për fshehje të ngjarjes janë të pabaza, ndërsa nënvizon se uniformat blu e arrestuan autorin në kohë rekord.

Deklarata e plotë e Ramës:

Sot Policia e Shtetit dhe Urgjenca Kombëtare dhanë publikisht provat që hedhin poshtë agresionin e neveritshëm ndaj tyre lidhur me ngjarjen tragjike të Pogradecit, ku policia u akuzua pa asnjë bazë sikur tentoi të fshihte ngjarjen, ndërsa urgjenca sikur u vonua tejmase në dhënien e ndihmës për viktimën. Në fakt të gjitha provat tregojnë e dokumentuara, qoftë të operacionit policor e qoftë të sistemit elektronik të Urgjencës Kombëtare tregojnë, se Policia e arrestoi në kohë rekord autorin për “Vrasje me dashje” dhe Urgjenca iu përgjigj në 7 minuta thirrjes për ndihmë!

“Vrasja nga pakujdesia” e ngritur si akuzë nga Prokuroria, e cila tingëllon e pakuptueshme për këdo që është njohur me dinamikën e kësaj ngjarjeje tragjike, nuk ka asnjë lidhje me Policinë e Shtetit apo me punonjësit e urgjencës, të cilët e kanë kryer detyrën me profesionalizëm dhe integritet të plotë ligjor e moral. Ky është edhe konkluzioni i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, e cila është  angazhuar nga Ministria e Brendshme, menjëherë pas daljes së pretendimeve apo fabrikimeve mbi rrjedhën e ngjarjes, duke kryer kontrollin e të gjitha hapave të operacionit për kapjen e autorit të vrasjes.

Duke mos komentuar qëndrimin e organeve të drejtësisë, por duke mirëkuptuar plotësisht indinjatën e kujtdo që ndjehet i skandalizuar nga akuza e ngritur nga Prokuroria, bashkohem me thirrjen e Policisë së Shtetit për të gjitha burimet e përgjegjshme të informimit, që t’i referohen dokumenteve të operacionit të policisë si edhe të shërbimit të urgjencës, për të luftuar dizinformimin dhe keqinformimin e qëllimshëm të publikut, duke luajtur me një vdekje tragjike për lloj-lloj motivesh të dobëta politike, mediatike apo edhe thjesht jonjerëzore./tpz

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne