“Ditë historike”, vihet në funksion bursa e përbashkët energjetike Kosovë – Shqipëri

Bursa Shqiptare e Energjisë – ALPEX, e cila është bërë operacionale në Shqipëri nga marsi i vitit 2023 dhe do të ndihmojë për një treg konkurrues në Shqipëri dhe Kosovë, për të gjetur energji elektrike me çmime më të favorshme. Shqipëria dhe Kosova do të kenë një bursë të përbashkët për energjinë elektrike, për konkurrencë më të drejtë dhe çmime të besueshme.

Përfshirja në Alpex – bursa shqiptare e energjisë elektrike e themeluar në vitin 2020 – u inaugurua të hënën në një ceremoni në Prishtinë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ky është moment historik për sektorin e energjisë për të dy vendet, pasi sipas tij, kjo do të ketë rol në zhvillimin ekonomik si dhe në transparencën ne sektorin e energjisë.

“Inaugurimi i ALPEXIT shënon një moment historik për sektorin energjetik të Kosovës dhe përkushtimin tonë për bashkëpunim me Republikën e Shqipërisë. Një bashkëpunim i cili luan rol në zhvillimin ekonomik dhe atë të transparencës në sektorin e energjisë si dhe në transformimin e sektorit tonë energjetik në harmoni me strategjinë tonë kombëtare të energjisë. Në vitet e fundit kriza energjetike e ka bërë një gjë të qartë: sektori i energjisë si në Evropë ashtu edhe në gjithë botën ka ndryshuar rrënjësisht. Thellimi i bashkëpunimeve ndërkufitare është një ndër mënyrat më të suksesshme për t’u përballur me vështirësitë, sfidat e realitetit të ri në këtë sektor”.

Kurti gjithashtu tha se tregu i përbashkët krijon mundësi të reja biznesi dhe se bashkimi i tregjeve të energjisë elektrike Kosovë-Shqipëri është hap strategjik për një ekosistem energjetik më efikas.

Ndërkaq, duke folur për rëndësinë e kësaj ngjarje, kreu i Qeverisë tha se nëpërmjet këtij bashkëpunimi do të krijohet një mjedis më i favorshëm për tërheqjen e investimeve të huaja.

“Tregu i përbashkët siguron mundësi të reja biznesi edhe më shumë tregti ndërkufitare. Bashkimi i tregjeve të energjisë elektrike Kosovë-Shqipëri nuk është vetëm një hap strategjik drejt nxitjes së një ekosistemi energjetik më të lidhur e më efikas”.

Kurti tha se falë bashkëpunimit dypalësh, dy vendet kanë mundur të përballojnë krizat energjetike vitet e fundit.

“Shqipëria u furnizua me energji të bollshme nga Kosova verën e kaluar dhe qytetarët e bizneset e Kosovës kaluan një dimër më të ngrohtë falë energjisë së marrë nga Shqipëria. Le të vazhdojmë të punojmë së bashku për të ndërtuar një mjedis energjetik të qëndrueshëm, të sigurt dhe prosperues. Bashkë për bashkëpunim rajonal, zhvillim ekonomik, sinergji e transparencë dhe mjedis të fuqishëm të investimeve të sektorit priva”.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj e ka cilësuar historike këtë ditë për dy vendet.

“Sot ishte një ditë historike për sektorin e energjisë: u bë funksionalizimi i Bursës Shqiptare të energjisë elektrike ALPEX, midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës”.

Ambasadori ka thënë se me këtë lidhje funksionimit të sistemit elektroenergjetik të Shqipërisë dhe Kosovës të jetë shumë më e fortë.

“Me këtë lidhje, vendet tona gëzojnë një platformë tregtuese që siguron efikasitet, konkurrencë të ndershme dhe transparencë, duke bërë që cilësia e funksionimit të sistemit elektroenergjetik të Shqipërisë dhe Kosovës të jetë shumë më e forte”.

Ndërkaq në fjalën e saj, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se kjo është, ka qenë dhe mbetet një aspiratë e përhershme historike e Kosovës që politik bërjen në sektorin e energjisë ta bëjë në një mënyrë të tillë që e sheh dhe vlerëson këtë komplementaritet dhe e zhvillon edhe më tej.

Se ky bashkim është i rëndësishëm e shpreh edhe kryeshefi ekzekutiv i KOSTT-it, Evetar Zeqiri duke shtuar se kjo nuk do të arrihej pa vizionin largpamës të të dy qeverive, mbështetjen e pafund të ministrive respektive të dy shteteve.

Ai tha se kjo marrëveshje është epilog i një procesi të reformave të mbi dy dekadave në sektorin e energjisë.

Pjesëmarrës në këtë ceremoni ishin edhe drejtoresha e misionit të USAID në Kosovë Eileen Devitt.

Ndryshe, ALPEX-i është pjesë e reformës së ndërmarrë nga Qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë, për rindërtimin e sektorit të energjisë elektrike, në përputhje me ligjin dhe politikat qeveritare për zhvillimin e këtij sektori. Në kuadër të këtij bashkëpunimi të dy vendet njohin ALPEX-in si të vetmen bursë energjetike për të organizuar, operuar dhe mbajtur bashkimin e tregut me shumicë (Market Coupling) një ditë para dhe brenda ditës ndërmjet tregjeve të energjisë elektrike të Shqipërisë dhe Kosovës./monitor

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne