Shpërthimi me dy të vdekur dhe shtatë të plagosur në kapanonin e Bujar Çelës, arrestohet përgjegjësi i punimeve

Policia ka arrestuar një 32-vjeçar në Lushnjë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me pasoja të rënda, pas shpërthimit në kapanonin ku humbën jetën babë e bir dhe mbetën të plagosur shtatë persona, mes tyre dhe deputeti Bujar Çela.

Sipas policisë, nga veprimet hetimore ka rezultuar se Leonard Gjini, me mosveprimet e tij, duke qenë i autorizuar për kryerjen e ndërtimit të kapanonit, sipas kontratës së sipërmarrjes, ka lejuar kryerjen e punimeve, pa respektuar rregulloret përkatëse të sigurimit teknik, të disiplinës teknike të mbrojtjes në punë dhe nuk ka marrë masa për zbatimin, duke sjellë pasoja të rënda. Kujtojmë se shpërthimi ndodhi pasditen e së premtes (1 mars) teksa një vinç ku ndodheshin dy viktima Roland dhe Elidon Hoxha, baba e bir, po ngrinte një bombol oksigjeni që do të përdorej në lartësi për të kryer saldime.

Babai ka ndërruar jetë në vinç, ndërsa i biri u transportua me ambulancë në drejtim të Tiranës, por fatkeqësisht rrugës ka ndërruar jetë.

Nga ngjarja mbetën të plagosur edhe shtatë persona të tjerë, mes të cilëve edhe deputetit i Partisë Socialiste, Bujar Çela, i cili ishte pronar i kapanonit që po ndërtohej.

Njoftimi i policisë:

Lushnjë

Vijojnë veprimet hetimore dhe procedurale, në drejtimin e Prokurorisë së Fierit, për dokumentimin e rrethanave të shpërthimit të ndodhur në një kapanon në ndërtim, më datë 01.03.2024.

Në vijim të këtyre veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë ekzekutuan urdhrin e prokurorit, për ndalimin e shtetasit:

L. Gj., 32 vjeç, banues në fshatin Goriçaj, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me pasoja të rënda.

Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, me mosveprimet e tij, duke qenë i autorizuar për kryerjen e ndërtimit të kapanonit, sipas kontratës së sipërmarrjes, ka lejuar kryerjen e punimeve, pa respektuar rregulloret përkatëse të sigurimit teknik, të disiplinës teknike të mbrojtjes në punë dhe nuk ka marrë masa për zbatimin, duke sjellë pasoja të rënda.

Si pasojë e shpërthimit në kapanonin me lëndë djegëse, në lagjen “Karbunarë e madhe”, më datë 01.03.2024, ndodhi një shpërthim nga i cili humbën jetën 2 shtetas dhe u dëmtuan 7 të tjerë të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të kësaj ngjarjeje.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne