DURRËS YACHTS MARINA, ILUZIONI QË MUND TË PËRFUNDOJË NË SPAK DHE RREZIKU I MILIONA EUROVE TË QYTETARËVE QË KANË PAGUAR PËR “APARTAMENTE NË AJËR”

Në letër është projekti më i madh turistik i Ballkanit. Por në realitet, Porti Turistik i Durrësit – Durrës Yachts & Marina, po kthehet gjithnjë e më shumë në një pasqyrë që reflekton iluzione, me të cilat ka dyshime të forta se po mashtrohen shumë qytetarë shqiptarë, që po boshatisin xhepat e tyre për ëndrrën e të pasurit një apartament në bregdet, e cila, mesa duket, vështirë të realizohet.

Në kantierin që u inaugurua me shumë zhurmë nga Edi Rama dhe biznesmeni arab Mohamed Alabbar në shtator 2023, sot dëgjon tek-tuk ndonjë makineri që ndizet sa për mos iu ndryshkur motori.

Punimet, që sipas planeve duhej të ishin në fazën e dytë të ndërtimit, po ecin me ritmet e një treni me avull në një malore të fortë.

Në kantier, vetëm një ndërtesë (A01) ka themelet e para, ndërsa pjesa tjetër e projektit është ende në letër.

Reklamat që premtojnë ëndrra në bregdet nuk pushojnë, por në terren situata flet ndryshe.

Punëtorët janë të paktë, aktiviteti ndërtimor minimal dhe kantieri është pjesërisht i boshatisur. Burime nga Bashkia Durrës konfirmojnë për Zoom.al se nuk ka pasur aplikime të reja për leje ndërtimi shtesë pas tremujorit të parë 2024.

Në fakt, edhe tenderat për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano, që duhej të çlironte portin e Durrësit për të lejuar ndërtimin e Marinës Luksoze, kanë dështuar disa herë për mungesë ofertuesish.

Pa zhvendosjen e portit aktual, projekti i marinës nuk të realizohet, pasi zonat e manovrës detare janë ende të bllokuara nga trafiku tregtar.

Megjithatë, kompania Egle Hills po mbledh miliona euro për vete. Dy vjet pas nënshkrimit në janar 2023 të marrëveshjes me qeverinë Rama, sipas dokumenteve financiare të publikuara nga “Durrës Marina sh.p.k.”, gjatë vitit 2024 kompania e Alabbar ka arkëtuar rreth 42 milionë euro nga parapagimet e blerësve.

Por deri tani, janë shpenzuar rreth 35 milionë euro, siç tregohet në raportin financiar të kompanisë të publikuar në vitin 2025.

Kjo diferencë tregon se si Alabbar po i kryen punimet me paratë e shqiptarëve që kanë prenotuar apartamente dhe nuk po bën investime të vetat. Nga ana tjetër ajo ngre një pikëpyetje të madhe mbi destinacionin real të parave, përfshirë mundësinë që ato të jenë përdorur për financimin e operacioneve të tjera të grupit Eagle Hills jashtë Shqipërisë.

Rreziku për qytetarët që kanë investuar kursimet 

Qytetarët që kanë paguar për apartamente me porosi përpara ndërtimit përballen me një rrezik serioz financiar.

Në mungesë të një garancie bankare, të detyrueshme sipas praktikave europiane për projektet “pre-sale”(shitjet me porosi), ata mund të humbasin investimin në rast se projekti pezullohet ose kompania shpall falimentimin dhe largohet.

Disa juristë, që operojnë në sektorin e ndërtimit, të kontaktuar nga Zoom.al, shpjegojnë se kontratat e parapagimit të “Durrës Yachts Marina” nuk përmbajnë klauzola mbrojtëse për konsumatorin, por vetëm detyrime të njëanshme që favorizojnë investitorin.

“Nëse punimet nuk ecin sipas planit, blerësit nuk kanë asnjë mekanizëm ligjor për të rikuperuar shumën e paguar, përveç një padie të gjatë civile që mund të zgjasë me vite” – shpjegojnë juristët.

Sipas kontratës me qeverinë shqiptare, Egle Hills do të duhej të siguronte vetëm 180 milionë euro për investimin prej më shumë se 2 miliardë eurosh. Pjesën tjetër, kompania e Alabbar pretendonte se do ta siguronte nga blerësit e apartamenteve.

Por siç tregojnë të dhënat e vetë kompanisë, nga shitjet me premtim janë siguruar vetëm 42 milionë euro, ose vetëm 2.1 %, një shumë fare e papërfillshme në raport me 96 % të financimeve që duhet të përbënin paratë e siguruara nga blerjet e qytetarëve apo investitorëve të tjerë.

Mes këtyre të dhënave pesimiste, pyetja që mbetet si për autoritetet shtetërore ashtu edhe për qytetarët që kanë hedhur paratë e tyre në këtë projekt, është se ku do t’i gjejë Muhammet Alabbar 96 % të parave që i mungojnë, ose afërsisht 1.88 miliardë euro?

Dyshime për pastrim parash dhe një dosje që mund të përfundojë në SPAK

Ekspertë të pastrimit të parave të kontaktuar nga Zoom.al që në kohën e nënshkrimit të kontratës, kanë ngritur vazhdimisht shqetësimin se kontrata koncesionare e “Durrës Yachts Marina” është një terren ideal për injektimin e parave të paligjshme.

Në kontratë mungojnë mekanizmat e detyrueshëm për kontrollin e origjinës së kapitalit dhe verifikimin e fondeve të investitorëve privatë, të cilat, në projekte të kësaj madhësie, janë një standard idomosdoshëm i kërkuar nga Bashkimi Europian.

“Në kontratën me Eagle Hills ka aq shumë rrugë për të fshehur paratë, sa është e pamundur të kontrollosh rrjedhën e fondeve. Pjesa më e madhe e pagesave bëhet përmes ‘joint ventures’ ku shteti s’ka asnjë sy financiar brenda” – i tha një ish -zyrtar i Ministrisë së Infrastrukturës Zoom.al

Sipas disa artikujve të mëparshëm të Zoom.al dhe disa ekspertëve të ekonomisë, projekti mund shndërrohet në një lavatriçe për pastrimin e parave që vijnë nga trafiku ndërkombëar i drogës.

Në dosjet e agjencive ndërkombëtare të hetimit përmenden disa emra të njohur të krimit të organizuar shqiptar, “të fortë” nga Durrësi, të cilët jetojnë sot në Dubai, në të njëjtin qytet ku ka bazën Eagle Hills.

Një burim i tha Zoom.al se disa nga këta individë kanë investuar në mënyrë indirekte në nënkontrata ndërtimi.

Një hetim i thelluar do të mund të ekspozonte dhe të bënte transparencë tek të gjitha financimet që po vijnë në këtë projekt, nëpërmjet kompanisë offshore Eagle Hills.

Eagle Hills mori 800 mijë metër katrorë tokë shtetërore për të bërë pallate, hotele, lokale dhe në fund edhe një port jahtesh, për të cilin në kontratë nuk ka garanci nëse do të ndërtohet ose jo.

Projekti është denoncuar si korruptiv nga opozita. Nëse verifikohet se një pjesë e investimeve ka origjinë kriminale, dosja mund të kalojë në SPAK, pasi përfshin vepra të pastrimit të parave, mashtrimit ekonomik dhe shpërdorimit të pasurisë publike. /Zoom.al

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne