Dyshohet se tentoi të fuste në Shqipëri naftë të kontrabanduar, arrestohet 49-vjeçari

Një 49-vjeçar është vënë në pranga në pikën kufitare të Qafë Thanës, pasi dyshohet se tentoi të fuste në Shqipëri 500 litra naftë të kontrabanduar. Nafta ishte futur në bidona plastikë dhe fshehur në kamionin që 49-vjeçari drejtonte.

Njoftimi i policisë:

PKK Qafë Thanë

Sekuestrohet sasia e naftës.

Në vijim të punës së intensifikuar të shërbimeve të Policisë Kufitare, gjatë sezonit veror, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve në kufij, në PKK Qafë Thanë, në hyrje të RSh-së, u kalua në vijë të dytë, për kontrolle të detajuara, kamioni me drejtues shtetasin R. G.. Në këtë mjet, u gjetën bidonë plastikë të mbushur me 500 litra naftë të pashoqëruar me faturë blerjeje.

Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Korçë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit R. G., 49 vjeç, banues në Elbasan, për veprën penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”. Gjithashtu u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bidonët me naftë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme./tpz

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne