E bujshme, Samir Mane zyrtarisht nën hetim nga SPAK për aferën në Portin e Vlorës, si iu falën nga Rama…

SPAK-u nuk ndalon, po heton dhe merr përpara këdo që i del se ka prekur buxhetin e shtetit dhe në këtë rast po dalin emra nga bota e biznesit VIP që kanë futur duart në xhepat e taksapaguesve shqiptarë, natyrisht në bashkëpunim me politikën. Gazeta “SOT” ka mësuar nga burime brenda SPAK, se kallëzimi penal që u dorëzua më 26 mars 2024 nga Nisma Thurje për skandalin me Portin e Vlorës është regjistruar nga prokurorët specialë. Për këtë aferë, në filtrat e SPAK janë futur ministra dhe oligarkë. Nga dosja që kemi siguruar, të rrezikuar janë ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku, ish-ministrja e Financave Delina Ibrahimaj, oligarku Samir Mane dhe Geront Çela. Të gjithë këta emra, përfshirë edhe kryeministrin Edi Rama pritet të japin llogari para Prokurorisë së Posaçme.

Hetimet

SPAK po heton zyrtarët e lartë publik të përfshirë në procedurat e miratimit të koncesionit të portit Marina Vlorës, si dhe të procedurave për dhënien e statusit investitor strategjik për Marina di Valona, duke përfituar transferimin e 57 mijë metrave katrorë truall publik në zonën pranë portit të Vlorës. Prokurorët kanë futur në skaner procedurat e dhënies së koncesionit për portin Marina Vlorë nga ana e Belinda Ballukut, si dhe dhënia e 57 mijë metra katrorë truall në pronësi publike, të cilat dyshohen se janë bërë në kundërshtim me ligjin, duke shkelur barazinë në tendera, si edhe kanë dëmtuar interesat e shtetit. Nga ana tjetër edhe Ministria e Financave përmes veprimeve dhe mosveprimeve të saj ka lejuar ndryshimin e aksionerëve që kanë fituar tenderin, duke ngritur dyshimet mbi një skemë me përfitues të fshehtë, ku disa kompani hyjnë në garë fiktivisht vetëm për përmbushjen e kritereve të kërkuara ekonomike, teknike dhe të eksperiencës, por largohen me të përfunduar procedurat konkuruese, duke ia lënë administrimin përfituesit real, i cili në këtë rast është Samir Mane dhe Geront Çela.

Ja të gjitha detajet e aferës me pronën publike

Projekti “Marina di Valona” do të realizohet nga bashkimi i shoqërive (JV) “Marina Di Valona” SHPK NIPT M01324008A, “BRUNES” SH.P.K NIPT K37125203H, “NDREGJONI” SH.P.K NIPT K31329048I DHE “MARINA PROJECTS” L.T.D Me numër regjistrimi 04182366. Pra, sipas Vendimit 4/3 29.03.2021 të KIS, po i njëjti bashkim operatorësh që ka fituar koncesionin e projektit të Marina Vlorë, është shpallur njëkohësisht edhe investitor strategjik për të zhvilluar zonën në kufi me portin duke përfituar: Vendosjen në dispozicion e pasurive shtetërore, konkretisht pronat që kanë qenë në pronësi të shoqërisë “Porti Detar” për zhvillimin e projektit. Suport për krijimin e mundësisë për lidhjen me pikat ekzistuese të energjisë, kanalizimeve dhe furnizimit me ujë, sipas kapaciteteve të nevojshëm në përputhje me parashikimet në instrumentet përkatëse nga organet e planifikimit. Në bazë të vendimit të KIS, me datë 13 Tetor 2021 Këshilli i Ministrave me VKM Nr.599 jep miratimin për lidhjen e kontratës së qirasë mes MIE dhe koncesionarit, për një territor me sipërfaqe total truall 57502 m2, me sipërfaqe ndërtimore 3828 m2 në. 8602 Bashkia Vlorë. Në faqen 2, të kësaj kontrate shpjegohet se: Meqenëse Bashkimi i Shoqërive (JV), “Marina di Valona” sh.p.k., me NUIS M01324008A, “Brunes” Sh.p.k, me NUIS K37125203H, “Ndregjoni” sh.p.k., me NUIS K31329048I, “Marina Projects” LTD me numër regjistrimi 04182366 është fitues i Koncesionit në Portin Vlorë.

Në shtesë të investimeve që do bëjë në lidhje me Koncesionin, Qiramarrësi planifikon të investojë, nëpërmjet një subjekti për qëllime të veçanta të krijuar për këtë qëllim, edhe disa struktura shërbimesh dhe struktura mbështetëse me fokus turizmin, si dhe ngritjen e disa ndërtimeve me natyrë civile, komerciale apo akomoduese (me fokus turizmin)… Ky artikulim të lë të kuptosh se koncesioni i administrimit të portit Marina Vlora është trajtuar si kusht për përfitimin e kontratës së qiradhënies. Pra Këshilli i ministrave, duket se e ka konsideruar këtë kontratë qiraje për truallin jashtë portit të Vlorës, si një shtesë të kontratës koncesionare për portin “Marina Vlorë”. Një arsyetim i tillë është përforcuar edhe nga deklarimet e Kryeministrit Edi Rama, i cili në një konferencë për shtyp në Nëntor 2023, në përgjigje të interesimit të gazetarëve për arsyen e dhënies “me qira simbolike 1 euro, të 57 mijë metra katrorëve në portin e Vlorës për të ndërtuar një kompleks rezidencial”, e justifikoi këtë vendim si mënyrë për të nxitur interesin e subjekteve private për koncesionin e administrimit të Portit të Vlorës.

Më poshtë pjesë nga përgjigja e kryeministrit, Edi Rama ndaj pyetjes së medias:

Në Vlorë ne do të ndërtojmë një nga 4 portet turistike të Shqipërisë…portet turistike në vetvete janë investime të mëdha dhe nuk janë investime që sjellin një fitim të arsyeshëm nëse nuk kanë kompleksin e mikpritjes aty ose rezidencial…Për shembull, investitorë shumë të rëndësishëm që na afrohen, kërkojnë mbështetje financiare nga qeveria për të investuar…Nuk është një sakrilegj [dhënia e truallit me qira simbolike] sepse llogaria është shumë e thjeshtë… se ndryshe për çfarë do vijnë të investojnë? Dhe investimi tek Marina Vlorë]kërkon shumë kohë për t’u shlyer dhe patjetër duhet te kombinohet me pjesën tjetër me shërbimet…Në vazhdim të këtyre vendimeve, në datë 23 Nëntor 2021, Ministria e Financave dhe Ekonomisë (MFE) dhe Shoqëria“Marina Residences Vlorë” shpk, me numër unik identifikimi NIUS M12103049U, lidhin kontratën e qirasë me çmimin simbolik 1 euro. Në faqen 1, të kësaj kontrate, në një artikulim të ndryshuar nga kontrata e miratuar me VKM, përcaktohet: Meqënëse Bashkimi I Shoqërive (JV) “Marina di Valona” shpk…është fitues i Koncesionit në Portin Vlorë…Në shtesë të investime që do të bëjë në lidhje me Koncesionin, Qiramarrësi planifikon të investojë, si subjekt për qëllime të veçanta i krijuar për këtë qëllim (SPV), edhe disa struktura shërbimesh dhe struktura mbështetëse me fokus turizmin, si dhe ngritjen e disa ndërtimeve me natyrë civile, komerciale apo akomoduese… Pra, ndryshe nga kontrata e miratuar me VKM Nr. 599, ku parashikohej se Qiramarrësi do të investonte “nëpërmjet një subjekti të krijuar për këtë qëllim” në këtë kontratë, Qiramarrësi parashikohet të investojë “si subjekt i krijuar për këtë qëllim”. Ky ndryshim në artikulim e ka konsideruar koncesionarin si një subjekt për qëllime të veçanta (SPV), në vend që ta detyronte atë të krijonte një SPV për këtë qëllim. Ky ndryshim ka hapur rrugën e ndryshimit të aksionerëve që përbënin qiramarrësin, duke ngritur dyshimet mbi një skemë me përfitues të fshehtë, të cilët, ku disa kompani hyjnë në garë fiktivisht vetëm për përmbushjen e kritereve të kërkuara ekonomike, teknike dhe të eksperiencës, por largohen me të përfunduar procedurat konkurruese, duke ia lënë administrimin përfituesit real.

Interpretimi i fakteve dhe argumentet ligjore

Nga sa më sipër, SPAK po verifikon nëse mënyra se si është vepruar në këto procedura është bërë në kundërshtim me legjislacionin shqiptar, dhe nëse subjektet e përfshira kanë konsumuar veprat penale të parashikuara nga Kodi Penal i RSH. Nga rrethanat e parashtruara më sipër, shpjegohet se shpallja fitues i tenderit për koncesionin e portit Marina Vlorë trajtohet si kusht për përfitimin e kontratës së qirasë simbolike 1 euro për truallin publik pranë portit të Vlorës. Por nisur nga koha e shpalljes së kësaj kontrate dhe dokumentet e tenderit, ngrihet dyshimi se ky informacion nuk ka qenë i ditur për të gjithë operatorët e interesuar, të cilët në kushtet e një informacioni më të plotë do të mund të kishin paraqitur ofertat e tyre në këtë tender. Pikërisht për të evituar këtë situatë ligjvënësi ka parashikuar shpalljen e një tenderi të ri, kur rrethanat e tenderit ndryshojnë. Specifikisht Ligji 125/2013, neni 31, pika 4 parashikon: Ndryshimet e kushteve thelbësore të kontratës, që nuk parashikohen në dokumentacionin e tenderit dhe/ose në vetë kontratën, kërkojnë zbatimin e një procedure të re të dhënies së kontratës së koncesionit/partneritetit publik privat.

Ndërsa në pikën 5 të tij ‘kushtet thelbësore’ përkufizohen si:

…kushtet të cilat, nëse do të kishin qenë të përfshira në njoftimin fillestar të kontratës ose në dokumentacionin e tenderit, do të kishin bërë të mundur që ofertuesit të dorëzonin një ofertë në thelb të ndryshme, si dhe nëse ndryshimet do të kishin tejkaluar objektin e kontratës në atë masë që këto ndryshime do të përfshinin shërbimet që nuk mbulohen fillimisht. Duke vepruar në kundërshtim me parashikimet ligjore, këtu mund të jetë shkelur barazia e pjesëmarrjes në tendera publike, si dhe t’i jetë shkaktuar dëm interesave të ligjshëm të shtetit, të cilat përbëjnë vepër penale sipas neneve 248 dhe258 të Kodit Penal të RSH. Së dyti, nisur edhe nga koincidimi i dy kontratave në kohë,vlen për tu hetuar nëse operatorët e përfshirë në këtë tender publik kanë patur informacion të privilegjuar mbi rrethanat e plota të tenderit, çka përbën vepër penale sipas Nenit 143/a/2 të Kodit Penal. Së treti, duhet hetuar nëse veprimet e ndryshimit të pronësisë ë subjektit Marina Residences, bien ndesh me dispozitat e Ligjit 125/2013, i cili në Nenin 32, pika 1 parashikon se: …me pëlqimin paraprak me shkrim nga autoriteti kontraktues, kontrata e koncesionit/partneritetit publik privat mund të transferohet te një person i tretë, që përmbush kërkesat e përshtatshmërisë, të përcaktuara në dokumentacionin e tenderit, në bazë të të cilit kontrata ishte dhënë fillimisht… Së katërti, vlen për tu hetuar kush kanë qenë motivet që i kanë shtyrë zyrtarët publik të përfshirë në këto procedura që të mos shpallin një tender të ri kur ndryshuan kushtet e tenderit, ndryshuan tekstin kontratave të miratuara, dhe lejuan ndryshimin e pronësisë së operatorëve të përfshirë në tender. Një hetim i tillë që ka nisur nga SPAK do të mund të vërtetojë nëse janë kryer veprat penale të korrupsionit, parashikuar nga Nenet 244 dhe 245 të Kodit Penal./sot

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne