Nga Yasmine El-Sabawi
Një direktivë e re nga Ministria Izraelite e Çështjeve të Diasporës ka ndaluar hyrjen në Izrael të dhjetëra aktivistëve politikë dhe ligjorë nga SHBA, Britania, Kanadaja dhe Europa, për shkak të “delegjitimimit të qëllimshëm të Shtetit të Izraelit dhe forcave të tij të mbrojtjes”, thuhet në dokument.
Vizat e hyrjes nuk do t’u jepen më atyre që “me dije” dhe “publikisht” kanë bërë thirrje për bojkot të Izraelit; kanë shpërndarë përmbajtje që mohon Holokaustin; kanë mohuar ndikimin e sulmeve të udhëhequra nga Hamasi në jug të Izraelit më 7 tetor 2023; ose kanë “mbështetur apo publikuar” iniciativa për të nxjerrë në përgjegjësi shtetas apo ushtarë izraelitë në një gjykatë që nuk është izraelite.
Ndër organizatat e synuara është edhe Fondacioni “Hind Rajab”, i quajtur sipas vajzës pesëvjeçare nga Gaza që u vra nga breshëri izraelite ndërsa priste ndihmën e parë. Ajo kishte kaluar orë të tëra brenda një automjeti të rrethuar, si e vetmja e mbijetuar mes trupave të pajetë të të afërmve të saj.
Ky grup ka luajtur një rol kyç në identifikimin e pjesëtarëve të ushtrisë izraelite, duke përdorur llogaritë e tyre në rrjetet sociale dhe duke njoftuar qeveri të huaja për vendndodhjen e tyre me qëllim arrestimin.
Sipas dokumentit, Fondacioni Hind Rajab “ka dorëzuar kallëzime kundër ushtarëve në të paktën tetë vende dhe ka depozituar materiale në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, duke akuzuar mbi 1,000 ushtarë dhe oficerë për krime lufte në Gaza dhe Liban”. Direktiva përfshin gjithashtu edhe “Al-Haq Europe”, dega me bazë në Bruksel e organizatës juridike palestineze, e cila ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të kërkuar përgjegjësi nga Izraeli në Gjykatën Penale Ndërkombëtare (ICC), duke e akuzuar për “apartheid”, shumë përpara ngjarjeve të nisura më 7 tetor 2023.
‘Nga çfarë ka frikë Izraeli?’
Dy organizata të tjera me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, Law for Palestine dhe Lawyers for Palestinian Human Rights (LPHR), janë gjithashtu përfshirë në dokument.
Profesori kanadez i së drejtës, Michael Lynk, ish-raportues special i Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut në territoret palestineze, aktualisht është anëtar bordi në LPHR dhe është përmendur drejtpërdrejt në dokument.
“Duhet të pyesim: Nga çfarë ka frikë Izraeli?” – tha Lynk në një deklaratë me shkrim dhënë për Middle East Eye.
“Ne krijuam të drejtën moderne ndërkombëtare pas Luftës së Dytë Botërore për të siguruar që të drejtat themelore të njeriut të respektoheshin dhe të zbatoheshin, dhe që konfliktet të zgjidheshin nëpërmjet rregullave, këshillave dhe gjykatave të miratuara – jo përmes luftërave. Ndalesa ndaj meje dhe të tjerëve që punojnë për organizata paqësore tregon përçmim ndaj sundimit të ligjit,” – theksoi ai.
Në Uashington, tetë anëtarë të stafit drejtues të organizatës Democracy for the Arab World Now (DAWN), themeluar nga ish-kolumnisti i Washington Post dhe kritiku saudit i vrarë Jamal Khashoggi, janë gjithashtu ndaluar të hyjnë në Izrael.
Ndër më të rëndësishmit është John Paul, zyrtari i parë i lartë që dha dorëheqjen nga Departamenti i Shtetit të SHBA-së në tetor 2023, për shkak të mënyrës si administrata Biden e trajtoi përgjigjen izraelite ndaj sulmeve të 7 tetorit. Aktualisht, ai është këshilltar në DAWN.
Ish-drejtoresha për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut në Human Rights Watch, Sarah Leah Whitson, po ashtu është përfshirë në listë, dhe tani shërben si drejtoreshë ekzekutive e DAWN.
“Përpjekja për drejtësi dhe përgjegjësi nuk është krim, dhe Shtetet e Bashkuara nuk duhet ta tolerojnë si partnere një shtet që e trajton atë si të tillë,” – deklaroi John Paul në një postim në llogarinë e tij në LinkedIn të mërkurën.
“Regjime autoritare shtypëse”
Raed Jarrar, i vetmi palestinezo-amerikan që punon në organizatën DAWN dhe që është përfshirë në listën e ndalimeve, i tha Middle East Eye se përpjekjet e organizatës për të përdorur mekanizmat ligjorë ndërkombëtarë kundër Izraelit “pa dyshim që përbëjnë kërcënim për apartheidin e Izraelit, për gjenocidin e Izraelit. Përbëjnë kërcënim për racizmin e Izraelit. Dhe pikërisht këtë synojmë – dhe prandaj ata kanë frikë”.
“Përpjekjet për të shtypur lirinë e fjalës në SHBA dhe për të ngacmuar aktivistë ndërkombëtarë i japin dritën jeshile shumë regjimeve abuzive në botë, përfshirë Izraelin, që të vazhdojnë me veprime të ngjashme”, tha Jarrar, duke iu referuar goditjes së administratës Trump ndaj aktivistëve pro-palestinezë dhe revokimit të vizave të tyre studentore apo të punës.
DAWN po shqyrton mundësinë e kundërshtimit ligjor të direktivës izraelite, pasi një ndalim masiv ndaj shtetasve amerikanë mund të bie ndesh me marrëveshjen e programit për përjashtim nga viza midis SHBA-së dhe Izraelit, të arritur në vitin 2023.
“Izraeli është pozicionuar krah regjimeve më autoritare dhe shtypëse të rajonit dhe të botës”, – tha Raed Jarrar.
Ai e quajti ndalimin “të paprecedentë”.
Ky program (Visa Waiver Program) lejon vizitorët ndërkombëtarë të qëndrojnë në SHBA deri në 90 ditë pa vizë, ndërkohë që u garanton të njëjtin privilegj shtetasve amerikanë në vendet pjesëmarrëse. Prej dekadash, izraelitët nuk mund të udhëtonin në SHBA pa viza, pasi amerikanët me prejardhje palestineze shpesh ndaloheshin në kufi dhe u mohohej hyrja në Izrael dhe në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Kjo ndryshoi vetëm pak ditë para datës 7 tetor 2023.
“Përfshirja e Izraelit në Programin e Përjashtimit nga Vizat është një njohje e rëndësishme e interesave tona të përbashkëta të sigurisë dhe e bashkëpunimit të ngushtë mes dy vendeve,” – deklaroi sekretari i Sigurisë Kombëtare të SHBA, Alejandro Mayorkas, në fund të shtatorit 2023.
“Kjo përfshirje, që është rezultat i mbi një dekade pune dhe koordinimi mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, do të forcojë bashkëpunimin në fushën e luftës kundër terrorizmit, rendit publik dhe prioriteteve të tjera të përbashkëta… [dhe] do t’i bëjë më të sigurta të dy vendet tona,” – shtoi ai.
Megjithatë, Jarrar theksoi për MEE se ky program “nuk është krijuar për të mohuar hyrjen e shtetasve amerikanë bazuar në pikëpamjet apo aktivitetet e tyre politike”.
“Izraeli sot gjendet në një pozitë që e rendit ndër regjimet më shtypëse autoritare në rajon dhe në mbarë botën,” – përfundoi ai./gazetaimpakt/middleeasteye