E vërteta për Kongresin e Alfabetit në Manastir

Nga: Dr. Frymzim Dauti

Në vitin 1908, menjëherë pas përfundimit të festimeve me rastin e shpalljes së kushtetutës osmane, në Manastir u formua klubi i shqiptarëve “Bashkimi”. Ata i dërguan edhe një telegram Sulltanit për ta njoftuar për themelimin e atij klubi. Sulltani nuk e vonoi përgjigjen dhe i dërgoi dhuratë 100 lira, para që do të përdoreshin për organizimin e kongresit të alfabetit.

Klubi Bashkimi i Manastirit mori përsipër të ftonte klube të tjera shqiptare që të mblidheshin në Manastir në një Kongres për të përcaktuar alfabetin e shqipes. Më 1 shtator 1908 iu dërgua një ftesë për t’u mbledhur në Manastir në nëntor 1908. Në ftesë thuhej se pas shpalljes së kushtetutës osmane, shqipja ishte e lirë për t’u përdorur. Kjo do të thoshte se shkollat shqipe mund të hapeshin edhe në të gjithë perandorinë, prandaj ishte e nevojshme të hartohej një alfabet i vetëm për shqipen. Ftesa që ata dërguan përfshinte edhe programin e punës së kongresit për alfabetin. Programi i kongresit parashikonte që punimet të zgjasin nëntë ditë pa ndërprerje. Në programin e kongresit, ndër të tjera, shkruhej se kongresi do të vendoste vetëm një alfabet për shkrimin e shqipes dhe se ata shqiptarë që do të kundërshtonin vendimin e marrë për alfabetin do të quheshin tradhtarë kombëtarë. Sipas programit, gjatë tre ditëve të para ishte planifikuar të mbaheshin 6 konferenca, në të cilat do të merrnin pjesë edhe joshqiptarë. Një nga temat e konferencës ishte “Dobia e bashkëpunimit të shqiptarëve me Xhemietin”. Vetë titulli i konferencës nënkuptonte se organizatorët dhe të ftuarit ishin në një linjë politike me xhonturqit. Kryetar nderi i kongresit të alfabetit u emërua Valiu (guvernatori) i Manastirit, ndërsa për punët e kongresit u caktua myftiu i Manastirit dhe kryetari i klubit shqiptar të Manastirit. Emërimi i Valiut dhe i Myftiut të Manastirit në krye të kongresit të alfabetit ishte një tregues se kongresi ishte një organizim serioz dhe për këtë arsye shumica e të ftuarve iu përgjigjën pozitivisht ftesës me praninë e tyre në Manastir.

Delegatët e pranishëm në Kongresin e Alfabetit përfaqësonin disa qytete të banuara me shqiptarë. Kishte edhe përfaqësues të klubeve shqiptare nga Rumania, Bullgaria, Egjipti dhe Italia. Të pranishëm ishin edhe tre priftërinj katolikë shqiptarë. Kishte edhe tre klerikë myslimanë shqiptarë: myftiu Rexhep Efendi, Haxhi Vildan Efendi dhe Hafiz Ibrahim. I deleguar në kongres nga Manastiri ishte Salahudin Beu, i cili ishte kajmakam (shef i policisë) i Manastirit. I pranishëm si përfaqësues i Stambollit ishte edhe Fazil Pasha, i cili ishte mushir (marshal). Nga përbërja e të pranishmëve dhe delegatëve kuptojmë se ky kongres u përfaqësua nga vali, deputet, myfty, kajmakam dhe mushir, gjë që i dha ligjshmëri të plotë politike, fetare dhe ushtarake atij kongresi.

Në ditën e parë të kongresit të alfabetit kryetar u zgjodh Mit’hat Bej Frashëri me votim të fshehtë nga delegatët. Zgjedhja e Mit’hat Bej Frashërit si kryetar rriti shanset për pranimin e të ashtuquajturit alfabet të Stambollit, i hartuar nga burokratët osman-shqiptarë në Stamboll në vitin 1879. Babai i Mit’hat beut kishte qenë një nga themeluesit e Xhemijeti Ilmije Arnavudije në Stamboll më 1879, prandaj dhe Mit’had Beu agjitonte për disa vite që alfabeti i Stambollit të pranohej nga të gjithë shqiptarët. Pas zgjedhjes së kryetarit të kongresit, të gjithë të ftuarit ishin të ftuar në hapjen solemne të Kongresit. I pranishëm ishte edhe Guvernatori i Manastirit, Hifzi Pasha, si dhe përfaqësues diplomatikë të konsullatave që ndodheshin në Manastir. Me këtë rast kajmakami i Manastirit, i cili ishte edhe delegat i kongresit, Salahuddin Beu, mbajti një fjalim në turqisht.Në ditën e tretë të Kongresit u zgjodhën 11 delegatë që do të vendosnin për një alfabet të vetëm të shqipes. Delegatët me votim të fshehtë zgjodhën në krye të komisionit Gjergj Fishtën.

Zgjedhja e një prifti katolik në krye të komisionit do të thoshte se do të ishte e vështirë të merrej një vendim për alfabetin e shqipes. Priftërinjtë katolikë për një kohë të gjatë kishin agjituar dhe përdornin alfabetin latin për të shkruar shqip. Ata nuk e pranuan alfabetin e Stambollit, i cili ishte kryesisht me shkronja latine, por edhe i përzier me disa shkronja greke.

Gjatë dy ditëve të debateve me dyer të mbyllura, anëtarët e komisionit nuk arritën të hartonin një alfabet të vetëm, siç parashikohej në programin e kongresit. Në fund ata dolën me vendimin për dy alfabete. Në vendimin e tyre ndër të tjera thuhej: “[…] me pëlqim të të gjithëve u vendos që të miret abeja e Stambollit e me te bashk një abece thjesht latine që të mësohen e të përdoren bashkërisht në mes shqiptarëve. Mësimi në shkolla do të jetë i shtërnguar dhe i detyruar për të dyja. Kjo deklaratë, e nënshkruar nga 11 anëtarët e komisionit, iu prezantua edhe delegatëve të tjerë të kongresit. Deklaratën e nënshkruan edhe 19 delegatë të tjerë, të cilët u betuan se do ta respektonin atë vendim. Ajo që bie në sy në firmat e delegatëve është fakti se të gjithë delegatët nënshkruan me germa latine në një periudhë kur shkrimi latin ishte i huaj për shqiptarët. Mes nënshkruesve mungojnë emrat e 3 klerikëve myslimanë, ndërsa lexohen qartë emrat e tre klerikëve katolikë. Klerikët myslimanë ndoshta refuzuan të nënshkruanin pasi nuk ishin dakord me vendimet e Kongresit. Ata nuk mund të betoheshin dhe të nënshkruanin sepse kjo do të ishte hipokrizi. Klerikët myslimanë të udhëhequr nga myftiu i Manastirit Rexhep Efendi vendosën të zgjidhnin një rrugë tjetër për shkrimin e shqipes dhe sipas frymës së Kongresit të Manastirit ai veprim u konsiderua tradhti kombëtare.

Në miratimin edhe të alfabetit latin për shkrimin e shqipes, në kongres, përveç priftërinjve katolikë, kanë ndikuar edhe delegatë me identitet të dyfishtë vllaho-shqiptar. Kjo edhe për arsyen se gjuha rumune shkruhet me alfabetin latin prandaj edhe ata sikur katolikët preferonin alfabetin latin./GazetaImpakt

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne