Gazeta franceze “Le Monde” i ka kushtuar një artikull të gjatë mbylljes së “TikTok” nga qeveria shqiptare. Sipas saj, kjo është një tjetër manovër e kryeministrit shqiptar për të tërhequr vëmendjen e ndërkombëtarëve. Në artikull ka folur dhe vetë Rama, teksa media fraceze i jep goditje të forta qeverisë në shumë raste.
Edi Rama ia ka dalë me një marifet të ri mediatik, që të bëjë që në arenën ndërkombëtare të flitet për Shqipërinë. Të shtunën, më 21 dhjetor, kryeministri flakërues i vendit të vogël ballkanik, njoftoi se do të mbyllë TikTok “për të paktën një vit”, pas vdekjes së një adoleshenti nga Tirana, pas një sherri të nisur në rrjetet sociale. Ky vendim, është i pari në botë që ndërmerret pa u vërtetuar realisht se konflikti mes të rinjve e gjeti burimin në rrjetin social kinez, teksa u cilësua menjëherë si veprim “diktatorial” nga kundërshtarët e tij.
Por kjo nuk ka rëndësi për zotin Rama, i cili e drejton Shqipërinë që nga viti 2013 dhe i pëlqen të bëhet kryefjalë në shtypin ndërkombëtar me vendimet e tij ikonoklastike. Prej disa muajsh, “flitet për atë që kam bërë”, tha ky burrë i gjatë 60-vjeçar, gjatë një takimi me gazetën Le Monde, në fund të tetorit, kur disa nga nismat e tij kishin filluar tashmë të tërhiqnin vëmendjen. Si ideja e një shteti bektashi në zemër të Tiranës apo marrëveshja e tij e diskutueshme me Italinë për të mirëpritur azilkërkuesit. Apo projekti për të shndërruar një ishull shqiptar në një hotel luksoz të financuar nga vajza e Donald Trump, Ivanka, dhe dhëndri i tij, Jared Kushner.
Ndonëse të gjitha këto projekte nuk kanë patjetër koherencë mes tyre, duke ngjallur shpeshherë kritika apo ndoshta edhe duke mos u realizuar kurrë, ato kanë një meritë: fshirjen graduale të reputacionit të Shqipërisë si një çerdhe mafioze, një imazh që i është ngjitur këtij vendi të gangrenizuar për një kohë të gjatë nga trafiku i kanabisit. “Mafia është një fenomen ndërkombëtar. Në portet e shteteve të mëdha evropiane kalojnë sasi aq të mëdha droge sa që nuk mund të krahasohen me PBB-në e Shqipërisë”, shprehet Rama.
Ai di të tregohet mjaft i hidhur kur diskutohet kjo temë delikate.
Nga ana tjetër, ai bëhet dukshëm më tërheqës kur shpjegon se si synon të bashkojë vendin e vet me Bashkimin Evropian, sa më shpejt të jetë e mundur. “Në mënyrë teknike, do të jemi gati [për t’u bashkuar me BE-në] në vitin 2028,” siguron ai, ndërkohë që Shqipëria ka filluar negociatat për anëtarësimin në mes të tetorit. Për t’i përfunduar ato sa më shpejt, Rama pretendon se do mbështetet te Chat GPT, drejtuesja teknike e të cilit ka qenë deri në shtator, inxhinierja shqiptare Mira Murati.
Përveç shtatit të një basketbollisti, Edi Rama është gjithashtu një hero romanesh (“Zgjerimi” i autorit austriak Robert Menasse, përkthyer së fundi në shqip nga shtëpia botuese “Dudaj”) dhe një artist i ekspozuar në Paris dhe New York. Më e rëndësishmja, atij i pëlqen të bëjë përshtypje: ka transformuar zyrat e tij në qendër të Tiranës në një qendër të shkëlqyer ekspozitash ndërsa, kur ishte kryetar i bashkisë, pikturoi fasadat e blloqeve të mëdha të pallateve në stil sovjetik me motive dhe ngjyra të ndryshme. Kundërshtarët e tij, nga ana tjetër, e kritikojnë këtë djalë të një artisti të afërt me diktatorin Enver Hoxha (1908-1985) se ka vendosur një kontroll të rreptë mbi të gjitha institucionet e vendit të tij.
Me një udhëheqës që nuk mban kurrë fjalime nacionaliste, ndryshe nga shumë kolegë të tij në rajon, Shqipëria mund të bëhet anëtare e BE-së deri në fund të dekadës, përkrah Malit të Zi, një tjetër shtet model sipas Brukselit. “Ne kurrë nuk kemi pasur një vizitë zyrtare të nivelit të lartë nga Moska, marrëdhëniet tona me Rusinë janë minimale”, kujton Rama, ndërkohë që Serbia refuzon të ndërpresë lidhjet me Vladimir Putin. A mjafton kjo për të mundësuar anëtarësimin e Shqipërisë në BE? “Nuk e di nëse Këshilli Europian do të thotë po apo jo”, pranon me kujdes Rama, i cili e di shumë mirë se procesi i zgjerimit është gjithashtu një çështje “shumë politike e lidhur me dinamikat e brendshme të Bashkimit dhe nevojat elektorale të shteteve anëtare”. Me një popullsi kryesisht myslimane, Shqipëria mbetet ende një pengesë për shumë grupe ekstremiste të djathta evropiane, edhe pse praktika e fesë atje është shumë tolerante.
“I infektuar nga kriminelët”
Pavarësisht përpjekjeve të zotit Rama për ta shmangur këtë temë, mafia e fuqishme shqiptare mbetet një shqetësim i vërtetë, sidomos kur ajo është diversifikuar në vitet e fundit në transportimin fitimprurës të kokainës nga Amerika Latine. Shumë ekspertë mendojnë se paratë e saj ndihmojnë në financimin e bumit të pasurive të patundshme që po vërehet aktualisht në Tiranë. “Por, a është tregu i pasurive të patundshme në Londër ose Neë York i pastër?”, përgjigjet Rama, i cili krenohet për reformën e thellë të drejtësisë që ka nisur në vitin 2017.
Kjo reformë po jep rezultatet e para, ndërsa disa personalitete politike shqiptare janë arrestuar për korrupsion në muajt e fundit. “Për herë të parë në historinë tonë, individë të lidhur me pushtetin politik, qoftë të majtë apo të djathtë, po ndiqen penalisht nga drejtësia”, mburret kreu i qeverisë. “Një duzinë zyrtarësh të partisë së tij janë përfshirë në raste korrupsioni ose krimi të organizuar”, ka thënë Gjergj Erebara.
“Shteti ende është i gangrenizuar nga kriminelë që janë në pozita pushteti dhe kontrollojnë policinë, bashkitë dhe institucionet”, kujton gazetari.
Një deputet i partisë së zotit Rama është arrestuar në tetor për përdorimin e SKY ECC, aplikacioni të mesazheve të preferuar nga mafiet ballkanike, për të transmetuar informacion të ndjeshëm kriminal. “U kam thënë bahskëpunëtorëve të mi se çdo njeri duhet të përgjigjet individualisht në rast korrupsioni”, mbrohet kryeministri, i cili ka zakon të lajë duart nga fati gjyqësor i njerëzve të tij. Në këtë kuadër, strategjia e goditjeve të vazhdueshme mediatike mund të jetë gjithashtu e dobishme për të shmangur vëmendjen nga dosjet e sikletshme. /Përshtatur me shkurtime nga “Le Monde”