Përmes një videokartoline të stërzgjatur në Facebook, ku protestuesit qytetarë i quan me ironi “flamingo”, Edi Rama ka shpërndarë një tjetër mesazh ku dëshmon shkëputjen totale nga realiteti i shqiptarëve. Në vend që të mbajë përgjegjësi për krizën ekonomike, korrupsionin dhe zbrazjen e vendit, kryeministri zgjedh të sulmojë egërsisht opozitën, diasporën e Prishtinës e Tetovës, nacionalistet, muslimanet dhe vetë qytetarët, duke i trajtuar ata si “të manipuluar” nga konspiracionet. Ky shkrim nxjerr zbuluar një lider që nuk pranon asnjë kritikë, por që përdor retorikën e vjetër të ndasisë për të fshehur dështimet e qeverisë së tij.
Edi Rama
Të dashur flamingo,
Kjo videokartolinë e trishtë është bërë për ata prej jush që 20 vjet më parë ishin fëmijë ose ende embrionë në barkun e nënës;
për ata që, ndonëse ishin mjaft të rritur atëherë, e kanë lënë Shqipërinë dhe Tiranën e asaj kohe aq pas, saqë sot u duket sikur ose nuk ka ekzistuar kurrë, ose sikur kujtesa e së djeshmes është një barrë që i pengon të kërkojnë më shumë prej saj sot;
dhe për ata që u larguan nga Shqipëria dhe Tirana, por që së fundmi kthehen për një rrugë apo dy punë, nga njëra anë për pushime në Shqipërinë e re të një realiteti të transformuar me reforma, projekte, “ne mundemi” dhe durim kolosal, e nga ana tjetër protestojnë për një “Shqipëri të re”; një Shqipëri të çelësave magjikë, në emër të së cilës kërkohet që kontrata elektorale me popullin të shkelet me autokolona makinash të veshura me kuqezi.
Parashikohet që institucionet demokratike duhet të vihen në shënjestër dhe të lirohen me forcë si kështjella armike.
Arsyetohet dhuna ndaj të zgjedhëvë të popullit, të cilët duhen penguar të hyjnë e të dalin nga puna në Parlamentin e Shqipërisë.
Dhe përcaktohet nga një “popull” i vetëshpallur rrugëve se kush është patriot dhe kush tradhtar, kush shkon në burg, kush linçohet dhe kush lavdërohet.
Nuk është qëllimi im t’ju bëj të ndiheni se keni gabuar, ndërsa protesta juaj u kthye në një kopje të zmadhuar të protestave të kënetës së shëmtuar politike. Sepse jo, nuk keni gabuar aspak kur u ndiet të zënë në kurthin e problemeve më të mëdha se fuqia juaj për t’i zgjidhur dhe ku gjetët njëri-tjetrin me shekujt dhe me shpresat tuaja.
Jo, nuk gaboni as sot nëse ndiheni mirë duke u njohur si një komunitet i madh njerëzish nga të gjitha sferat e jetës, me zogjtë, me natyrën, me tokën, me atdheun, me Shqipërinë.
Jo, nuk gaboni që kërkoni të ngriheni mbi përditshmërinë e zakonshme dhe të kërkoni nga ky vend shumë më tepër nga sa është arritur deri më sot.
Kjo nuk është vetëm e drejtë. Kjo është tejet e nevojshme.
Dhe sa do e çuditshme t’ju duket, unë jam mirënjohës për dritën e shpresës dhe të alarmit që ndezët me energjinë e protestës suaj paqësore, po kjo është një bisedë më e gjatë për një ditë të afërt.
Është e drejta juaj të kërkoni nga jeta në këtë vend shumë më tepër nga sa është arritur në harkun kohor midis arkëmortit të atëhershëm, që ishte brenda një të vdekuri, dhe arkëmortit të mbrëmshëm, në të njëjtin bulevard, që ishte brenda humnerës mes jush dhe atyre që dritën e protestës suaj e futën në një arkëmort.
Atëherë arkivoli u përdor për t’u ngjitur shkallëve të kështjellës së kryeministrisë dhe i vdekuri u bë mish për top, duke rënë te porta e saj si dikur në Mesjetë, për të rrëzuar qeverinë. Siç mbrëmë arkivoli rishfaqej si rezultati më i pritshëm për mua i një përpjekjeje të orkestruar për të thyer shkallët e ngjitjes së këtij vendi, duke përmbysur Shqipërinë e ngritur, më në fund në këmbë, pas një gjunjëzimi të gjatë politik, ekonomik e ndërkombëtar.
Po, ishte mjaft e papritur për mua. Sepse nuk është as e para dhe as e fundit Shqipëri, ku edhe me mbështetjen frikësuese të Algoritmit, duart e stërvitura të armiqve dhe fqinjëve kundër shoqërive demokratike (me fatet e lidhura me Bashkimin Evropian apo Shtetet e Bashkuara) hyjnë, marrin kontrollin dhe bëjnë çmos për të devijuar në dëm të këtyre shoqërive protestat që lindin si shprehje e ndjenjave të sinqerta nga barku i shoqërisë, jo nga konspiracionet ndërkombëtare.
Sigurisht, ato duar marrin kontrollin e një proteste falë zellit të salahanëve që ka çdo vend, dhe që këtu njihen nga të gjithë, lapaqenët me shokë, që kujtuan se bulevardi u bë kos dhe rrethuan menjëherë protestën tuaj, si hienat sorkadhet. Pas konfuzionit të fillimit, në lojë hyrën edhe ujqërit e lodhur të Rrugës së Shpresës, të cilët për t’u maskuar si patriotë i dhanë jetë tregtisë së qelizave në mes të vapës. Dhe kur ju filluat të largoheshit nga bulevardi duke krijuar hapësira për “200 mijë” fotografi të mediave ndërkombëtare, u mobilizuan çunët e “diasporës” nga Prishtina dhe Tetova, të cilët panë në bulevard oxhakun e shumëpritur për benzinën e urrejtjes së tyre ndaj Tiranës zyrtare, ku nuk kanë gjetur dhe nuk mund të gjejnë asnjë hapësirë për të zhvilluar deliret e tyre kombëtar-folklorike. Sepse Tirana është kryeqyteti i Evropës Ballkanike, jo një kryeqytet i iluzioneve kombëtar-komuniste, kombëtar-islamiste apo kombëtar-izolacioniste.
Sigurisht ato duar dhe ato forca që janë përzier në supën e arkëmortit, nuk kontrollojnë njëra-tjetrën ose më saktë, kanë mospërputhje ekstreme mes vete. Por asnjë mosmarrëveshje nuk ka rëndësi për ta sot, sepse sot i bashkon, disa me vetëdije e shumë të tjerë me verbëri, qëllimi i errët për të ndalur Shqipërinë dhe për ta kthyer atë pas, pikërisht në kilometrat e fundit të rrugës shumëshekullore drejt diellit që lind nga perëndimi. As kjo nuk është një bisedë për sot, aq më tepër që ju nuk keni asnjë lidhje me ta.
E sotmja ka një gjë kryesore për të thënë. Ajo protestë nuk është më e juaja, të dashur flamingo! Ju jeni bërë, pa autorizimin tuaj dhe jashtë vullnetit tuaj, alibia e një arkivoli të rikthyer në bulevard si shembull i mallkimit që e ndjek Shqipërinë që nga viti 1912; duke përdorur gjithmonë atdheun, flamurin dhe sovranitetin si përbërës për të ushqyer urrejtjen mes shqiptarëve dhe si gozhdët e ndëshkimit që, më shumë se një herë, e kanë kyçur këtë vend në humnerën brenda atij arkivoli.
Por kjo videokartolinë e trishtë nuk është kurrë një thirrje që ju të lëshoni ndjenjat dhe mendimet që ju mbajtën bashkë. Jo, kjo është thjesht një ftesë miqësore që ju të mos hiqni dorë në asnjë mënyrë nga kujtesa. Sepse historia nuk është një barrë nga e cila shpëtojmë duke e larguar nga vëmendja jonë, por është kompasi që nuk na lejon të humbasim rrugën.
Kush harron se nga vjen, nuk e di më se ku po shkon.

















