Profesori Besnik Baraj, anëtar i Akademisë së Shkencave, ka prezantuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, disa matje të ndotjes së ajrit në Tiranë nga grimcat që qëndrojnë pezull në ajër, të cilat depërtojnë në enët tona të gjakut dhe konsiderohen nga OBSH si më të rrezikshmet. Këto grimca shkaktojnë sëmundje të rënda si hemoragjitë cerebrale, kanceri, infarktet, etj.
Matjet në mjediset e lokaleve pranë rrugëve kryesore të Tiranës, tregojnë prezencën e grimcave nga 33.6 në 92.6 mikrogram/m3, shumë herë më e lartë se vlera e rekomanduar nga OBSH, 5 mikrogram/m3. Në qendrat tregtare në vendet e parkimit vlerat arrijnë në nivele kritike, deri në 352 mikrogram/m3, nga norma 5 mikrogram/m3.
“Këto matje i kam kryer nga ora 08:00 e mëngjesit deri në 10:00 të mëngjesit, në objektet ku njerëzit ulen buzë lokaleve. Ishte ditë e thatë. Vlerat janë shumë të mëdha. Janë shumëfish nga rekomandimi i OBSH”, tha Baraj.
Profesori Baraj, i ka bërë matjet edhe në orët e para të mëngjesit, ku ka qarkullim minimal të mjeteve dhe grimcat janë sërish në nivele alarmante. Vlerat e matura në 15 stacione të Tiranës, nga ora 03:00-05:00, variojnë nga 31.7 – 78 mikrogram/m3. Pra në asnjë rast më e vogël se 5 mikrogram/m3, që është norma e OBSH.
Baraj i ka kryer matjet me një aparat i cili e ka marzhin e gabimit deri në +/- 10%. Edhe po t’ua heqësh vlerave këtë përqindje, shifrat e ndotjes në Tiranë nga grimcat vdekjeprurëve, janë në nivele shumë shqetësuese, ndërkohë kryebashkiaku i Tiranës u ka rekomanduar qytetarëve, që nuk u pëleqejnë ndërtimet dhe ndotja, që “të shpërngulen në fshat”. /tpz