Elon Musk përpiqet të tërhiqet nga postimi antisemitik

Pasi u përball me reagime publike dhe një eksod të reklamuesve të mëdhenj, Elon Musk të mërkurën u përpoq të tërhiqej nga postimi i tij i fundit antisemitik në X, duke shprehur keqardhje për atë që ai e quajti postimin e tij “më të marrë” ndonjëherë në mediat sociale, transmeton Anadolu.

“Në thelb, u dhashë një armë të mbushur atyre që më urrejnë, si dhe atyre me bindje antisemitiste dhe për këtë më vjen shumë keq”, tha Musk në një intervistë për “New York Times”, duke shtuar se “ky nuk ishte qëllimi im”.

Postimi në fjalë erdhi në fillim të këtij muaji kur Musk po komentonte me një përdorues të X, i cili pretendoi se hebrenjtë kanë inkurajuar “urrejtje dialektike kundër të bardhëve” dhe “hordhitë e pakicave që mbështesin vërshimin e vendit të tyre”.

Miliarderi i teknologjisë, i cili përveç Tesla-s dhe SpaceX, posedon edhe platformën X, mbështeti postimin, duke e quajtur atë “e vërtetë aktuale”.

Musk më vonë tha se pretendimet se ai është antisemitik “nuk mund të jenë larg nga e vërteta” ndërsa në intervistën e tij për Times, tha se “në retrospektivë”, ai “nuk do t’i përgjigjej postimit në fjalë”. “Pra, shikoni, më vjen keq për këtë postim. Ishte marrëzi nga unë. Mund të them nga 30.000 postime, ky mund të jetë postimi më i keq dhe më i marrë që kam bërë ndonjëherë”, tha Musk. Ai më tej tha se “në fakt larg të qenit antisemitik, unë jam në fakt filo-semitik”, ose një dashamir i hebrenjve.

Musk vizitoi Izraelin të hënën, ku u takua me kryeministrin Benjamin Netanyahu, ndërsa këmbënguli se udhëtimi i tij nuk ishte si përgjigje ndaj polemikave rreth postimit të tij X, sipas fjalëve të tij, nuk ishte një “turne faljeje”. Reklamuesit kryesorë, përfshirë Comcast, Discovery, Paramount dhe Warner Bros filluan të tërheqin reklamat e tyre nga X lidhur me pretendimet për rritje të antisemitizmit në faqen e mediave sociale, duke fajësuar gjerësisht Musk, i cili zbuti kontrollet rreth gjuhës së urrejtjes pasi bleu platformën.

– Musk u drejtohet reklamuesve që largohen me sharje

“Unë nuk dua që ata të bëjnë reklamë. Nëse dikush mendon të më shantazhojë me reklama ose me para, pirdhuni”, tha ai.

Musk veçoi drejtorin ekzekutiv të Disney, Bob Iger, për tërheqjen e reklamave nga faqja, duke thënë: “Pirdhu, a ke të qartë? Hej, Bob, nëse je në audiencë, kështu ndihem unë. Mos reklamo”. Por, në shtator, Musk kërcënoi të padisë Lidhjen Anti-Shpifje, një grup që lufton antisemitizmin, duke e fajësuar atë për një eksod masiv prej muajsh të reklamuesve nga platforma e tij X.

Muajin e kaluar, raporte të shumta thonin se X ka humbur gjysmën e vlerës së saj që kur e bleu Musk në vitin 2022, kur njihej si Twitter./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne