Kryeministri spanjoll: Izraeli po pushton sistematikisht tokat palestineze

Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, deklaroi se Izraeli po pushton sistematikisht tokat palestineze dhe theksoi se ajo që Izraeli do të bëjë në Gaza pasi të përfundojë kjo spirale dhune është e papranueshme. Në deklaratën e tij për televizionin shtetëror RTVE, Sanchez theksoi se, si qeveri spanjolle, ata dënuan dhe kundërshtuan sulmet e Hamasit më 7 tetor që në momentin e parë.

“Ne gjithmonë kemi thënë se Hamasi duhet të lirojë pengjet pa kushte dhe menjëherë. Por në të njëjtën mënyrë, ne duhet t’i themi Izraelit se veprimet e tij duhet të bazohen në të drejtat e njeriut”, ka theksuar Sanchez. Duke iu referuar sulmeve të Izraelit në Rripin e Gazës, Sanchez tha: “Imazhet që shohim, dhe veçanërisht vdekjet e vajzave dhe djemve, sinqerisht më lënë në dyshim për përmbushjen e të drejtave ndërkombëtare të njeriut nga Izraeli”. Ai tha se një zgjidhje politike është e detyrueshme për t’i dhënë fund krizës mes Izraelit dhe Palestinës dhe kjo sipas tij kërkon njohjen e shtetit palestinez.

“Më shumë se 140 vende në botë e kanë njohur aktualisht shtetin e Palestinës. Vendet që nuk e njohin këtë janë vendet e quajtura Perëndim në thonjëza, SHBA-ja dhe disa vende të BE-së. Sepse janë 7-8 vende që e kanë njohur shtetin palestinez para se të bëhen anëtare të BE-së. Po ashtu edhe Suedia, e cila ishte anëtare e BE-së dhe e njohu atë në mënyrë të njëanshme shumë kohë më parë. Por tani besoj se situata ka ndryshuar. Sepse kur flasim me vendet arabe, ata na thonë: ‘Ne nuk marrim pjesë në një konferencë paqeje që të flasim për çështjet për të cilat u ra dakord dhe më pas nuk u përmbushën’. Duhet të ndërmerren hapa konkretë, thonë ata. Ky hap konkret është njohja e shtetit palestinez nga Perëndimi dhe Evropa”, tha Sanchez.

Duke thënë se pajtohet me reagimet e vendeve arabe, Sanchez tha: “Ne pamë që Izraeli pushtoi sistematikisht tokat palestineze, Bregun Perëndimor. Tani ne shohim se çfarë po ndodh në Gaza. Për ne ka që thonë se: ‘Spanja është qeveria më pro-palestineze’. Unë mendoj se kjo nuk është e vërtetë. Ne jemi një qeveri pro-evropiane dhe ne besojmë se kjo (të qenit pro-Palestinë) është një çështje evropiane. Së pari, ne duhet ta bëjmë këtë nga një këndvështrim moral. Sepse ajo që shohim është e papranueshme. Për më tepër, ajo që Izraeli do të bëjë në Gaza pasi të përfundojë kjo spirale dhune është e papranueshme. Së dyti, kjo çështje është në interesin gjeopolitik të Evropës. Stabiliteti i rajonit është i rëndësishëm. Nëse konfliktet përhapen në Liban, Jordani dhe Egjipt, Mesdheu, i cili është shumë i rëndësishëm për ne, do të jetë gjithashtu në rrezik”.

Kryeministri spanjoll tha se Evropa nuk duhet të lejojë hapjen e dy zonave të konfliktit në Ukrainë në veri dhe në Lindjen e Mesme në jug dhe se duhet të përdorë mjete diplomatike për ta parandaluar një gjë të tillë dhe se qeveria e tij po përpiqet ta bëjë këtë./aa

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne