ENDERUN

Nga: Nexhat Ibrahimi

Fjalë turke. Enderun mektebi është një institucion arsimor i vetëm dhe origjinal i themeluar nga Devleti Osman; nuk ka pasur asnjë institucion të ngjashëm me të, as në administrimin e selxhukëve dhe as në Perëndim. Është e vërtetë se pjesëtarët e familjes sundimtare merrnin një lloj të veçantë arsimimi si në praktikën selxhuke, ashtu edhe në atë evropiane, por Enderun ishte tërësisht ndryshe: ishte një shkollë e madhe me qindra studentë të përzgjedhur, e krijuar në Topkapı Saray (Pallati Topkapi) për t’i dhënë mësim elitës, dhe për të stërvitur një numër të madh studentësh të shkëlqyer si të merrnin përgjegjësinë si sadrazem, vezir, pasha, bejlerbej, kapitan pasha etj. Ishte një akademi e specializuar për shkencat ushtarake, administrative dhe politike. Shkolla Enderun rekrutonte studentë nga radhët e Axhemi Ogllanëve (të rinjve të konvertuar në muslimanë). Fillimisht ata stërviteshin në njërin nga këto pallate: Edirne Sarajë, Gallata Sarajë, Ibrahim Pasha Sarajë, Iskender Çelebi Sarajë. Enderun është edhe pjesë e brendshme e shtëpisë iraniane, në të cilën qëndrojnë femrat dhe në të cilën pjesë nuk kanë qasje të përbashkët mysafirët apo të huajt. Enderuni (andaruni) i përgjigjet haremit te turqit apo arabët.

Burimi: Nexhat Ibrahimi, Fjalor Enciklopedik Islam, Logos-A, Shkup, 2017.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne