Erdogan: Nuk është e duhur të fajësohet Irani për sulmet ndaj Aramco-s

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se nuk është e duhur të fajësohet Irani për sulmet ndaj fabrikave saudite të naftës Aramco.

“Epo unë nuk mendoj se do të ishte gjëja e duhur të fajësohet Irani”, tha Erdogan në një intervistë për Fox News.

Ai rikujtoi faktin se sulmet kanë ardhur nga disa pjesë të Jemenit.

“Nëse ne thjesht e vendosim tërë barrën tek Irani, kjo nuk do të ishte mënyra e duhur për të vazhduar. Sepse dëshmitë në dispozicion nuk tregojnë domosdoshmërisht në atë fakt”, tha presidenti i Turqisë.

Tensionet janë përshkallëzuar në Gjirin Persik pasi dronët sulmuan dy fabrika saudite të naftës në pjesën veriore të Arabisë Saudite më 14 shtator.

Grupi rebel Huthi i Jemenit fillimisht mori përgjegjësinë për sulmin, por SHBA-të për sulmin fajësuan Iranin, po ashtu edhe Arabia Saudite. Teherani ka mohuar çdo lidhje me sulmin.

Duke folur për sanksionet amerikane ndaj Iranit, presidenti turk tha sanksionet asnjëherë nuk kanë zgjidhur probleme.

“Ne sot jemi këtu dhe nesër nuk jemi. Veçanërisht, ne jemi fqinjë me Iranin dhe unë e di se sanksionet kurrë nuk kanë zgjidhur asgjë,” tha Erdogan.

Presidenti gjithashtu refuzoi pretendimet e gazetës amerikane The New York Post e cila thotë se Turqia ka ndihmuar Iranin, Venezuelën dhe Sirinë që t’u shmangen sanksioneve amerikane nëpërmjet bankave dhe kompanive turke.

“Këto janë pretendime që bëhen nga organizata terroriste e njohur si FETO”, tha Erdogan.

“Këto pretendime janë më shumë se të gabuara. Këto janë propagandë e prodhuar nga organizata terroriste FETO”, tha presidenti turk, duke shtuar se bankat turke punojnë në përputhje të plotë me rregullat bankare.

“Rregullat bankare të transaksioneve gjithmonë janë zbatuar në korniza të parimeve të njohura ndërkombëtare”, shtoi ai.

Organizata terroriste FETO dhe udhëheqësi i saj me qendër në SHBA, Fetullah Gülen, orkestruan grushtin e shtetit të mposhtur më 15 korrik të vitit 2016, i cili la 251 dëshmorë dhe afër 2.200 të plagosur.

FETO qëndron pas një fushate të gjatë për përmbysjen e shtetit përmes depërtimit në institucionet turke, veçanërisht në ushtri, polici dhe gjyqësor.

– Ekstradimi i liderit të FETO-s

Presidenti turk Erdoğan tha se SHBA kërkonte dokumente dhe argumente për ekstradimin e Gülenit.

Erdoğan tha se ministri i drejtësisë Abdulhamit Gül në qershor është takuar me Prokurorin e Përgjithshëm të SHBA-ve, William Barr, dhe se ai ka folur me presidentin Donald Trump.

“Ne dorëzuam argumente në dosje, por asnjëherë nuk morëm ndonjë përgjigje”, tha Erdoğan. “Nëse ne jemi partnerë strategjik, ne duhet të luftojmë së bashku kundër terrorizmit”.

Lideri i FETO-s që nga viti 1999 jeton në Pennsylvania një ekzil të vetë-imponuar.

Ankaraja disa herë nga SHBA ka kërkuar ekstradimin e Gulenit, por kjo akoma nuk ka ndodhur.

Në lidhje me marrëdhëniet mes Turqisë dhe SHBA-ve, presidenti turk tha se marrëdhëniet datojnë nga një histori e gjatë “e ndërtuar mbi lidhje të forta”.

“Qëllimi jonë eventual është që të zgjerojmë marrëdhëniet ekonomike mes SHBA-ve dhe Turqisë dhe të rrisim shkëmbimin tregtar mes dy shteteve deri në 100 miliardë dollarë”, tha Erdogan.

I pyetur se cili ishte më i mirë në marrëdhëniet me Turqisë, Trump apo Obama, presidenti turk refuzoi të bënte një vlerësim të tillë.

“Duhet të them se prej kur presidenti Trump mori funksionin, ne kemi lidhje të ngushta dhe marrëdhënie të ngushta”, tha ai./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne